Stojku bën bilancin: Jemi në lojë, gati të kapim kreun
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pogradeci e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e dytë.

Pas ndeshjeve të së shtunës, liqenorët e kanë ngushtuar diferencën me Luftëtarin e vendit të parë në vetëm dy pikë, në një kohë që janë barazuar me Apoloninë.
Gjithçka për fazën e tretë të kampionatit është e hapur dhe Pogradeci tashmë rihyn edhe një herë fuqishëm në garë. Në takimin e fundit ndaj Sopotit, liqenorët bënë një paraqitje shumë të mirë duke arritur të fitojnë 2-0 në takimin e zhvilluar në Fushë-Krujë. Topllari dhe Mihani ishin autorët e golave që i dhanë 3-pikëshin skuadrës.
Në lidhje me atë takim dhe me fazën e tretë, trajneri i skuadrës, Gentjan Stojku, shprehet:
"Kishim disa mungesa në formacion në sfidën me Sopotin, megjithatë arritëm të fitonim. I përgëzoj të gjithë djemtë për atë që dhanë në fushë duke siguruar një 3- pikësh shumë të rëndësishëm. Duke parë edhe rezultatet e rivalëve tanë, tashmë jemi afruar me vetëm dy pikë nga kryesuesit e Luftëtarit. Ka ende edhe nëntë takime në këtë fazë të tretë. Sigurisht, lufta bëhet më e fortë pasi nuk ke më shumë kohë për të korrigjuar.
Do të duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë maksimalisht çdo kundërshtar, ashtu siç kemi bërë deri tani. Gara është e hapur dhe Pogradeci i ka të gjitha mundësitë për të kapur vendin e parë që e dërgon automatikisht në Superiore. Si Luftëtari, edhe Apolonia janë ekipe të forta dhe duhet shumë kujdes.
Fazën e tretë e nisim në fushën tonë ndaj Butrintit ku synimi i vetëm do të jetë fitorja. Gjithashtu, një mbështetje maksimale që na jepet janë edhe tifozët, të cilët i kemi pranë në çdo sfidë", shprehet trajneri Stojku në prononcimin e tij.
Përgatiti: Pëllumb Starova