e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Stojku: Në formacion futet kush e meriton

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Stojku: Në formacion futet kush e meriton

Nën drejtimin e trajnerit Stojku, skuadra pogradecare ka vazhduar përgatitjet për takimin ndaj Butrintit në shtëpi. "Pogradeci vlerëson çdo takim si të rëndësishëm, pavarësisht ndaj kujt luan. Për ne e rëndësishme është të zhvillojmë lojë bindëse dhe sigurisht rezultative.

Pogradeci-Butrinti para ndeshjesNuk duam të mbivlerësojmë ose të nënvlerësojmë ndonjë ekip, pasi çdo ndeshje ka peshën e vet dhe kjo është një meritë e të gjithëve. Është krijuar harmoni brenda grupit dhe kjo e bën ekipin edhe më të fuqishëm.

Faza e tretë fillon me një ndeshje në shtëpi ndaj Butrintit, një skuadër e cila do të vijë për të marrë një pikë, por nga ana tjetër ne jemi përgatitur për të marrë një fitore", u shpreh për "Panorama Sport" Stojku, i cili ka kërkuar nga lojtarët e tij impenjim maksimal.

"Gjithsecili i di detyrat e tij, ndaj të mundohet t'i zbatojë ato në stërvitje. Në formacion futet ai që do të paraqitet më mirë dhe e rëndësishme është që nuk ka qejfmbetje. Le t'i quajmë të 9 ndeshjet e fundit të kampionatit tepër të rëndësishme, pasi të gjitha kërkojnë impenjim, besim, por edhe përkushtim", vazhdoi tekniku, i cili, duke u kthyer te ndeshja e radhës, ka deklaruar:

Nuk ka rezultat tjetër veç fitores. Vlerësojmë kundërshtarin, por futbollistët e mi janë mjaft të motivuar, pasi jemi afër kreut. Kthehemi në Pogradec pas tri fitoreve radhazi në transfertë dhe sigurisht kërkojmë mbështetjen e tifozëve tanë. Do të kërkoj nga lojtarët e mi korrektësi në fushë ndaj kundërshtarit, por edhe në vendimet e gjyqtarëve", mbylli Stojku.