Kuqo: Basketbolli shqiptar në krizë, ja çfarë duhet bërë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të basketbollit, Ermal Kuqo, si gjithmonë është i drejtpërdrejtë. Ndërsa procesi për zgjedhjen e forumeve drejtuese të Federatës Shqiptare të Basketbollit është në prag (30 mars në Korçë), Kuqo, një zë kritik, shprehet në një intervistë për "Panorama Sport" se duhet ndryshim dhe se basketbolli është në krizë.
Ermal, së shpejti do të ketë zgjedhje për kreun e FSHB-së. Ju keni qenë shpesh kritik me presidentin aktual, Avni Ponari. Përballë tij do të jetë Ben Fagu. Fillimisht, cili është vlerësimi juaj për ta?
Dua të qartësoj diçka, unë personalisht me z. Ponari nuk kam asgjë, ai është një biznesmen i suksesshëm në fushën e tij dhe dua patjetër që të jetë sa më e qartë për publikun dhe mbarë opinionin që kjo nuk është aspak personale. Kritika ime është 100 për qind e lidhur me basketbollin dhe performancën e z. Ponari në krye të dikasterit drejtues të këtij sporti. Kjo kritikë vjen në bazë të eksperiencës sime në dy edicione si kapiten i ekipit kombëtar, duke parë mënyrën e organizimit dhe mungesën totale të profesionalizmit nga ana e federatës. Për mua, federata aktuale ka ngelur në klasë, prej kohësh është kthyer në një gangrenë të pashërueshme të basketbollit shqiptar. Gjendja e kampionatit kombëtar është "ku thërret qameti", një nivel totalisht mizerabël, që mbahet në këmbë nga 3-4 lojtarë gjithsej! Asnjë lojtar i ri (në moshë) nuk është në nivelin e duhur për të ngritur sadopak cilësinë e këtij sporti sepse mbi të gjitha i mungojnë gjërat më elementare! Nuk punohet aspak me ekipet e moshave dhe ajo pak punë që bëhet lë shumë për të dëshiruar. Nuk afrohen njerëzit e duhur që duan të punojnë dhe të ngrenë nivelin e punës, por, përkundrazi, gjithçka bëhet me nepotizëm dhe me interes. Miku, shoku, krushqia, domethënë "interesi" është shkaktari numër 1 i gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhet basketbolli!
Jeni pro ndryshimit, por në Shqipëri kjo nuk garanton domosdoshmërisht sukses. Pse jeni kaq i bindur që me ndryshime mund të ketë edhe përmirësim?
Siç e thashë edhe pak më lart, ndryshimi është i domosdoshëm. Pas kaq shumë kohësh në postin drejtues, edhe sikur të ishte i suksesshëm, vetë natyra e njeriut të shtyn që pas njëfarë kohe të "dembelosesh", dhe kjo të detyron të bësh gabime. Një lider që nuk pranon një zë ndryshe, nuk pranon kritika, madje i shtyp ato me kërcënime dhe gënjeshtra, që rreth vetes mban njerëz të paaftë, të cilët i bëjnë vetëm lajka dhe e gënjejnë, dhe krijon njëfarë monopoli mbi diçka që nuk është prona e tij private është shenja e parë që e bën atë të pamerituar në atë post.
Cilat janë konkretisht?
Po i marrim me radhë:
1. Gjendja e ekipit kombëtar dhe mungesa e profesionalizmit në organizimin e tij.
2. Mungesa e nivelit të kampionatit kombëtar.
3. Mungesa e cilësisë dhe trajnerëve të rinj për ekipet e moshave. (Trajnerë të rinj ka, por u mungon kualifikimi për të nxjerrë lojtarë të rinj. Brezi i fundit i talentuar është ai i Shimës, Daliut, Agollit, Voglit dhe Karajt.)
4. Mungesa totale e transparencës së federatës (fondet, pagat, etj.).
A ju bind realisht kandidatura e Fagut se ai mund të realizojë vërtet këto që ju pretendoni?
Unë për profesor Ben Fagun kam shumë respekt, është një nga trajnerët më të suksesshëm të 30 viteve të fundit në Shqipëri. Është arkitekti i një prej ekipeve më të mira të Shqipërisë (pas Partizanit sigurisht...) (qesh), atij të Dinamos duke filluar me Fatmir Cukën, Ed Çarçanin, vëllezërit Rama, Fred Rushaj, Tan Mema, Afrim Bilali e plot e plot të tjerë. Ka shume eksperiencë si trajner dhe drejtues. Por ajo që më shtyn të bindem më shumë janë njerëzit, të cilët ai ka zgjedhur të ketë rreth vetes në rast fitoreje në zgjedhjet e ardhshme. Pothuajse të gjithë ishlojtarët e tij i ka mbështetës, sigurisht edhe ikona e basketbollit, vëllai i tij mjeshtri Agim Fagu, Artan Kuqo, Pjerin Bushati etj. Janë emra, të cilët sigurisht zgjojnë një- farë emocioni dhe optimizmi.
Çfarë mendoni se ka shkuar keq deri tani në basketbollin shqiptar dhe si mund të korrigjohet?
Duke mos shkuar më larg sesa 2 vjet përpara, mospjesëmarrja e ekipit kombëtar në eliminatoret për kampionatin europian ishte një vendim absurd dhe skandaloz. Dhe, jo vetëm për mua, dua që kjo të jetë sa më e qartë. Duke pasur parasysh gjendjen e mjeruar të kampionatit kombëtar, ato ndeshje ndërkombëtare janë mundë- sia e vetme e sportistëve që luajnë aktualisht në Shqipëri për të treguar veten e tyre. Gjithashtu është një mënyrë për të hyrë në radarin e ndonjë menaxheri apo ekipi të huaj që t'i ndihmojnë të vazhdojnë karrierën e tyre dhe në këtë mënyrë të ngrenë nivelin e tyre personal, gjë që automatikisht do ishte në dobi të vetë ekipit kombëtar. Rezultatet negative kurrsesi nuk mund të jenë një arsyetim logjik i vënies së kyçit ekipit më të rëndësishëm të këtij sporti në vend. Sipas kësaj logjike, kombëtarja e futbollit duhet të kishte falimentuar me kohë. Por nëse sot mburremi me arritjen historike të futbollistëve tanë për kualifikimin në "Euro 2016", kjo është arritur në sajë të sakrificës dhe punës së federatës së futbollit dhe vetë futbollistëve. Por fatkeqësisht në federatë mungojnë ata specialistë të mirëfillte të basketbollit që mund të kuptonin përmirësimin e skuadrës brenda vetëm një viti. Me mospjesëmarrjen në eliminatore, ata treguan se sa amatorë janë dhe se sa nuk e kuptojnë basketbollin. Dhe fshihen pas arsyes më absurde që mund të ekzistojë, atë të krijimit të ekipeve zinxhirë. Ekipet zinxhirë duhet të ishin krijuar me kohë dhe duhet të ishin aktivë vite e vite më parë. Pa pasur ekip të rriturish, për çfarë duhen ekipet e moshave? Çfarë qëllimi kanë ato ekipe pa aspirimin e të luajturit për ekipin e parë?
Trajner i Kombëtares është emëruar një qipriot, si ju duket kjo zgjedhje?
Trajnerin nuk e njoh personalisht, por di që aktualisht është trajner i Sigal Prishtina në kampionatin kosovar. Nuk është çudi që i është ofruar posti i ekipit kombëtar kur kompania që z. Ponari drejton, Sigal pra, është edhe sponsori kryesor i ekipit prishtinas. Por Prishtina vendos vetë për fatin e saj dhe ka një bord drejtues me në krye z. Blerand Stavileci, i cili është vetë një ishlojtar dhe njohës i mirë i basketbollit europian. Fakti që Prishtina fitoi Ligën Ballkanike vitin e kaluar tregon se sa serioze dhe efikase është puna që Blerandi bën atje. Besoj se duke pasur parasysh edhe suksesin e freskët të fitimit të Kupës së Kosovës nga ana e Prishtinës, z. Ponari e pa të arsyeshme t'i ofronte postin e trajnerit z. Konstandinidis. Nuk mund të komentoj më shumë, shpresoj që zotëria të mos haset me problemet që jam hasur unë para dy vitesh.
Dikush mund të thotë se jeni i njëanshëm në qëndrimin tuaj për shkak të përplasjeve që keni pasur me Ponarin vazhdimisht në të kaluarën, ndaj edhe sot mbështesni rivalin e tij... Si do t'u përgjigjeshit këtyre zërave?
Sigurisht që do të ketë edhe njerëz, të cilët do të mendonin në këtë mënyrë. Unë besoj se e bëra të qartë qëndrimin tim dhe arsyet e këtij qëndrimi. Qëllimi im nuk është të diskretitoj askënd, unë thjesht kërkoj që të bëhet punë dhe të arrihet diçka. Gjithashtu, unë nuk po mbështes rivalin e z. Ponari. Unë po mbështes kandidaturën e z. Arben Fagu. Ka një ndryshim rrënjësor në këtë këndvështrim. Nuk jam mbështetës i logjikës "të heqim këtë që është pa le të vijë kush të dojë"! Absolutisht jo! Unë nuk mund të hedh poshtë faktin që z. Ponari në fillim të karrierës së tij si president i federatës ka bërë shumë për basketbollin shqiptar. Do të ishte absurde dhe e padrejtë nga ana ime. Ai ka dhënë maksimumin e tij për këtë sport, por ka gabuar te njerëzit që ka vënë në drejtim të basketbollit. Kritika ime më e fortë ndaj z. Avni ka qenë gjithmonë kokëfortësia e tij për të vazhduar drejtimin e postit që zotëron në një mënyrë totalitare dhe diktatoriale. Nën vete ka njerëz plotësisht të paaftë, të cilët e drejtojnë gabim dhe nuk e njohin basketbollin modern.