e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Sporti 2011, nga dështimi i Kombëtares, te suksesi i shtangës

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sporti 2011, nga dështimi i Kombëtares, te suksesi i shtangës
Viti 2011 nuk shënoi ndonjë sukses të veçantë për sportin shqiptar, sidomos në aspektin futbollistik, ku pati një dështim të rëndë të ekipit kombëtar në eliminatoret e Kampionatit të ardhshëm europian. Natyrisht që për vitin e fundit ky ka qenë dështimi më i madh i futbollit tonë dhe një nga dështimet më të mëdha të viteve të fundit, pasi nuk bëmë asnjë hap përpara dhe mbetëm në dimensionin e lojës e të rezultateve në të njëjtët nivele si këtu e 30 apo 40 vjet më parë. Shqipëria ndodhej në grupin D së bashku me Francën, Bjellorusinë, Rumaninë, Bosnjën dhe Luksemburgun, por pas një ecurie të mirë në ndeshjet e para, gjithë pjesa tjetër e sezonit ishte në nivel të dobët dhe pavarësisht premtimeve që bënin pjesëtarët e stafit teknik dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit,

Kombëtarja nuk mundi të mbante ritmin e kërkuar në ndeshjet e fundit dhe për pasojë humbi shumë terren, duke regjistruar një sërë humbjesh dhe duke u pozicionuar në vendin e parafundit, me vetëm 9 pikë në 10 ndeshje, që do të thotë më pak se një pikë për ndeshje. Në grup lamë pas vetëm Luksemburgun, i cili, në historikun e përfaqësimit të tij ndërkombëtar do të shënonte dhe fitoren e bujshme 2-1 ndaj Kombëtares tonë kuqezi. Pra eliminatoret e Kombëtares sonë u mbyllën në mënyrën më të keqe të mundshme dhe ishte krejt e natyrshme që edhe trajneri Jozip Kuzhe të mos rinovonte më tej kontratën e tij me federatën, duke dhënë dorëheqjen. Zhvillime të tilla nxorën në pah dy gjëra themelore: së pari pamundësinë e skuadrës tonë për të kapërcyer një pengesë disavjeçare që është pozicionimi në një vend më të lartë në klasifikim, domethënë që t’i ikë vendeve të fundit dhe nga ana tjetër mungesa e theksuar e elementit cilësor, që po bëhet një problem shqetësues për Kombëtaren. Me kalimin e viteve, talentet janë pakësuar, ndërkohë që mungon një strategji afatgjatë për ekipin kombëtar që t’i mundësojë prurje të reja cilësore dhe të pretendojë pse jo një kualifikim të mundshëm në një eveniment të madh europian apo botëror të futbollit.

Peshëngritja, një sukses në oazin e dështimeve

Në kuadër të shumë disiplinave sportive, peshëngritja ishte i vetmi sport që justifikoi investimet e bëra, pasi në kampionatin botëror të zhvilluar në Paris në muajin nëntor, ekipi kombëtar iu shtangës për meshkuj zuri një pozicion të mirë dhe falë pikëve të shumta që siguruan shtangistët tanë u bë i mundur kualifikimi me katër sportistë në Lojërat Olimpike të Londrës. Natyrisht që shtanga ka qenë e suksesshme, pasi edhe në aktivitetet e tjera ndërkombëtare sportistët tanë kanë bërë një prezantim shumë cilësor, sidomos të rinjtë. Kështu, Daniel Godelli doli kampion i botës për të rinj në Malajzi në muajin korrik, ndërsa Romela Begaj fitoi medalje bronzi për të rritura në Botërorin e fundit. Shumë sportistë të tjerë kanë shënuar rezultate impresionuese, siç ishte rasti i Hysen Pulakut që shënoi disa rekorde të reja kombëtare gjatë këtij viti në peshën trupore 77 kg. Padyshim surprizë ishte dhe kthimi në garë i Ilir Sulit, i cili8 i dha një ndihmesë jo të vogël skuadrës kombëtare në Botërorin e fundit në Paris. Me pak fjalë, peshëngritja mund të quhet e suksesshme në krahasim me shumë disiplina të tjera që kanë dështuar plotësisht në objektivat e tyre.

Infrastruktura/ Asnjë ndërtim në sport gjatë 2011

Sporti shqiptar ka kohë që vuan mungesën e terreneve sportive. Sidomos e rëndë është situata në qytetet e mëdha e veçanërisht në kryeqytet, ku ka shumë pak fusha për ekipet dhe aq më tepër për të rinjtë e lagjeve të ndryshme. Para dy dekadash në kryeqytet kishte mbi 25 fusha futbolli të përmasave olimpike, por sot janë më pak se 25% e tyre, që tregon për degradimin e terreneve që janë zënë nga ndërtimet. Gjatë vitit 2011 nuk u bë asgjë që situata të përmirësohet dhe fëmijët e të rinjtë kryeqytetas kanë shumë pak hapësirë për të luajtur. Ky është një problem madhor i sportit në Shqipëri.

Problemi/ Financimi në sport, më i ulëti i dekadës

Viti 2011 do të mbahet mend dhe për masën e ulët të investimit në sport, gjë që u duk në pakësimin e aktiviteteve sportive të shumë federatave, por nga ana tjetër edhe vetë klubet nuk patën mundësi të mira financiare që të pretendonin më shumë cilësi. Kështu, për sportin u dha nga fondi grant i qeverisë një shumë afro 1 milionë euro, ndërkohë që krahasuar me vendet e tjera ballkanike, të ngjashme për nga numri i popullsisë, kjo shifër duket tejet absurde. Shumë federata morën “thërrime” të parëndësishme për ekzistencën e tyre, ndërsa shumë klube u shkrinë. Ky ishte viti ku u investua më pak në sport në dekadën e fundit.

Dhuna/ Stadiumet u kthyen në arenë përleshjesh

Një nga fenomenet negative të shfaqura me forcë në vitin që po lëmë pas ishte dhuna në stadiume. Kështu, në ndeshjet e futbollit pati incidente të rënda në shkallët e shumë stadiumeve të vendit, në të gjitha kategoritë. Dhuna ishte prezente dhe në Superiore, ku në Laç, Berat, Korçë, Pogradec e Vlorë, u regjistruan edhe lëndime fizike dhe situata doli jashtë kontrollit. Federata është munduar të bëjë ndëshkime të rrepta për të marrë shembull, por vetë klubet e akuzojnë atë se është iniciatorja e të gjitha fenomeneve negative në futbollin tonë. Ky ishte një nga vitet më të dhunshëm në sport.

Fenomeni/ Trukimet, kampionati shqiptar i manipuluar

Mjaftuan disa raporte konfidenciale të UEFA-s me Federatën Shqiptare të Futbollit, që vetëm pak ditë më parë të regjistrohej një fenomen që dihej që më parë, por që mori përmasa shqetësuese në rang institucional. Bëhet fjalë për trukimin e futbollit shqiptar. Nisur dhe nga skandalet e basteve në mbarë Europën, nuk mund të bëhej përjashtim në kampionatin tonë, i përfolur herët për fiksimin e ndeshjeve dhe përfshirjen e grupeve kriminale në këtë veprimtari. Raportet e UEFA-s, tronditën thellë themelet e Federatës tonë,q ë pretendonte se nuk ka asnjë provfë të manipulimit të kampionatit, madje kishte dështuar kushedi sa herë me komisionet e saj për hetimin e ndeshjeve të dyshuara në kampionatin tonë. Gjatë këtij viti tolerimet dhe trukimet e  ndeshjeve arritën nivele marramendëse, madje u bënë hapur ditën për diell, siç ndodhi në javën e 22-të e të 29-të në sezonit 2010-2011, pra në muajin prill dhe maj. UEFA ka dhënë verdikt të saktë në bazë të hetimit nga qendra e kontrollit të basteve dhe kampionati ynë rezulton të jetë tërësisht i trukuar. UEFA e dha paralajmërimin, por federata nisi të mbrojë veten dhe klubet, duke insistuar se nuk ka prova. Por gjithkush e di se asgjë të pastër nuk ka në kampionatin shqiptar të futbollit.

Kampioni/ Skënderbeu, kampion pas 78 vjetësh

Në maj u shpall kampion pas 78 vjetësh në historinë e kampionatit shqiptar skuadra korçare e Skënderbeut. Ajo e kishte fituar titullin e parë kampion në vitin e largët 1933. Dueli i saj i fuqishëm këtë sezon me Flamurtarin e bëri garën të bukur, por pati dhe mjaft akuza nga rivalët se korçarët u ndihmuan nga gjyqtarët, krerët e FSHF-së dhe politikanët që të dilte me sukses në sezonin e kaluar. Sidoqoftë, Skënderbeu e arriti objektivin e tij dhe mbetet ende një skuadër cilësore që pretendon të mbrojë titullin kampion dhe në sezonin aktual. Fitimi i titullit ishte një ngjarje e bukur për sportdashësit korçarë.

Fenomeni/ Lojërat me dorë në mëshirë të fatit

Basketbolli dhe Volejbolli kaluan këtë vit një situatë shumë të vështirë, që u shpreh jo vetëm në rënien e cilësisë, por mbi të gjitha në pakësimin e skuadrave në garë dhe rënien e ndjeshme të rivalitetit. Lojërat me dorë ishin dhe sportet më të diskriminuara nga fondi grant i shtetit, ku secila prej tyre nuk mori më shumë se 80 milionë lekë të vjetra në vitin 2011. Padyshim ë mungesa e financimit pati efekte negative në zhvillimin e aktiviteteve. Shumë ndeshje ndërkombëtare të skuadrave tona përfaqësuese u anuluan dhe vijojnë të mos jenë në kalendar. Cilësia ra për tokë dhe sidomos basketbolli ka humbur shumë nga vlerat e tij. Për më tepër, ka vetëm disa skuadra që dominojnë prej disa vitesh dhe të tjerat luftojnë për mbijetesë, duke qenë sa për statistikë në garë.

Shumësportëshi/ reduktohen aktivitetet, bie cilësia

Shumë sporte individuale me një traditë të spikatur në vendin tonë po shkojnë drejt shkrirjes. Shkaku: mungesa e financimit dhe e sportistëve cilësorë. Në këto sporte nuk ka më interes dhe mungon pothuajse krejtësisht infrastruktura. Këtu mund të futej pingpongu, alpinizmi, radioamatorizmi, qitja, etj. Në një situatë të rëndë ishin dhe sportet e rënda individuale si mundja, boksi dhe xhudo, që kanë elementë cilësorë, por është investuar pak. Me pak fjalë, shumësportëshi është në krizë totale dhe këtë e tregon fakti se ka pakësim të vazhdueshëm të numrit të sportistëve.