e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Spanja fiton ne miqesore, Italia ne sfidat zyrtare

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Spanja fiton ne miqesore, Italia ne sfidat zyrtare
Nëse u referohemi statistikave atëherë Spanja nuk duhet as ta provojë që të fitojë ndaj Italisë mbrëmjen e së dielës në “Olimpikun” e Kievit. Në fakt, nuk është se mes dy skuadrave ka diferenca të jashtëzakonshme në rezultatet gjatë gjithë historisë së dueleve mes tyre, por ama “axurrët” kanë qenë shumë herë më shumë rezultativë në sfidat “e vërteta”, ndërsa spanjollët u janë kënaqur fitoreve në ndeshjet miqësore.

Duke filluar nga Itali- Spanjë (0-0) e 9 marsit 1924 e deri në ndeshjen që pritet të luhet më 1 korrik mes “furive të kuqe” dhe të kaltërve janë zhvilluar 26 përballje, nga të cilat shtatë fitore u përkasin spanjollëve, 11 ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe tetë herë kanë qenë italianët që kanë fituar. Edhe golavarazhi flet për Italinë: 30 gol përkundrejt 26 të Spanjës.

Siç shihet nuk ka diferenca të mëdha, por nëse vërejmë me kujdes ndeshjet që këto ekipe kanë luajtur me njëratjetrën kuptohet edhe pse Italia është shumë më superiore. Në ndeshjet në kampionatet botërore mes këtyre dy skuadrave janë zhvilluar tri përballje (1994 dhe dy më 1934), ku në dy raste kanë fituar italianët dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim. Edhe për sa u përket Evropianëve, “axurrët” janë më lart se “La Roja”, duke qenë se kanë fituar një ndeshje dhe barazuar tri të tilla. Por, duhet thënë se në 22 qershor të 2008-ës, pas barazimit pa gola në çerekfinale, ishin spanjollët që u kualifikuan pas gjuajtjeve të penalltive dhe më pas fituan edhe trofeun, në finale me Gjermaninë.

Ndërkaq, të shtata fitoret e spanjollëve janë në ndeshjet miqësore (hera e fundit më 26 mars 2008, 1-0). Por, fitorja e fundit mes këtyre skuadrave i përket sërish Italisë në miqësoren e 10 gushtit 2011 në “San Nikola” të Barit, ku i pari shënoi Montolivo, më pas barazoi me penallti Ksabi Alonso dhe në fund Alberto Akuilani i dha fitoren Italisë.