Fyerjet raciste, UEFA ndeshkon me gjobe Rusine dhe Spanjen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Federata Europiane e Futbollit, UEFA, ka dënuar Federatën ruse të Futbollit me 30 mijë euro, dhe atë të Spanjës me 20 mijë euro, për shkak të incidenteve raciste në të cilat janë përfshirë tifozët rusë dhe spanjollë gjatë Kampionatit Europian të Futbollit, Euro 2012, që po mbahet në Ukrainë dhe Poloni. Spanja u dënua pasi tifozët e saj brohoritën parulla raciste dhe gjithashtu shfaqën sjellje raciste gjatë takimit kundër Italisë në Gdanjsk të Polonisë, më 10 qershor, ku u ofendua sulmuesi italian me ngjyrë, Mario Baloteli.
Rusia është dënuar për sjellje të ngjashme raciste nga tifozët e saj gjatë takimit të Rusisë me Çekinë, në Vrocllav të Polonisë, më 8 qershor, pas mbarimit të të cilës u shënuan akte të rënda dhune mes tifozerive respektive dhe u shfaqën sjellje të theksuara raciste nga ana e tifozëve rusë. Kjo pasi, në radhët e çekëve luante edhe futbollisti me ngjyrë, Teodor Gebre Selasie. Ndërkohë, fyerjet raciste, ashtu siç ishte parashikuar, nuk kanë munguar në këtë kompeticion të madh të futbollit evropian, ndërsa më herët Federata e Futbollit e Kroacisë është dënuar me 80 mijë euro nga UEFA, për fyerje raciste ndaj Mario Balotelit, gjatë takimit Kroaci-Italia.