Sondazhi i Panorama Sport: Arbitrat marrin urdhra nga lart
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arbitrat e Kategorisë Superiore shpeshherë janë vënë në qendër të kritikave nga klubet, për shkak të vendimeve të tyre që nga java në javë po nxisnin edhe më shumë polemikat mes klubeve.
Madje u arrit deri aty sa klubet më të rëndësishme në vend filluan të shpallin gjyqtarë "non grata", duke mos i preferuar që të gjykonin ndeshjet e tyre.
Një gjë e tillë detyroi kreun e FSHF-së, Armand Duka, që pak kohë më parë të bënte një mbledhje urgjente me zyrtarët e sektorit të arbitrimit në organizmin që ai drejton, por edhe me vetë gjyqtarët. Në përfundim të saj pati edhe dënime të disa prej arbitrave të Kategorisë Superiore.
Sondazhi - Faqja online e gazetës "Panorama Sport" ka kryer një sondazh ku kërkohej mendimi i lexuesve në lidhje me vendimet e gabuara të gjyqtarëve. 2200 persona që vizitojnë faqen www. panorama-sport.com kanë dhënë mendimin e tyre dhe 39 për qind e tyre, ose më saktë 878 njerëz mendojnë se arbitrat veprojnë gabim, pasi marrin urdhra nga lart.
Kjo ishte edhe alternativa e parë e vendosur në këtë sondazh. Ndërsa 28 për qind e personave, që kanë marrë pjesë në këtë sondazh, ose thënë ndryshe 622 vota kanë shkuar për alternativën e dytë, që do të thotë se gabimet e gjyqtarëve janë të qëllimshme.
404 vota kanë shkuar për alternativën e tretë, që do të thotë se gabimet e gjyqtarëve vijnë prej paaftësisë, kur janë në drejtimin e një ndeshjeje. Më pak vota, rreth 15 për qind, ose 323 njerëz mendojnë se gjyqtarët gabojnë për shkaqe njerëzore. K
jo ishte edhe alternativa e fundit që u është servirur lexuesve për të zgjedhur në këtë sondazh. Ashtu siç vërehet nga rezultatet e votimit, pjesa më e madhe mendojnë se gjyqtarët janë të detyruar të gabojnë gjatë një takimi për shkak të orientimeve që kanë marrë nga eprorët e tyre.