e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skenderbeu u druhet incidenteve, pergatit festen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skenderbeu u druhet incidenteve, pergatit festen

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Milsamit, e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampionëve, do të luhet të mërkurën në “Elbasan Arena” dhe kjo për arsye sigurie. Drejtuesit e klubit korçar i kanë bërë thirrje tifozerisë së tyre të mos bien pre e provokimeve, ndërsa kanë shtuar se takimi duhet përjetuar si një festë, pasi Skënderbeu është shumë pranë ëndrrës pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Moldavi.

“Iu bëj thirrje tifozëve dhe sportdashësve që do të jenë në “Elbasan Arena” për t’u distancuar nga dhuna, nga të gjitha parullat apo thirrjet politike apo raciste, sepse jemi në një moment historik që nuk përfshin vetëm Skënderbeun, por edhe në rang kombëtar, ndaj duhet të tregojmë vlerat kulturore dhe qytetari, për të treguar se siç po rritemi vit pas viti jemi gati për të hyrë në Europë si komb dhe si qytet”, – tha shefi i klubit kampion të Shqipërisë, Ilirian Përmeti.

“Ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm për bileta, kemi pasur mbështetje nga të gjithë dhe nuk ka rëndësi nëse luajmë në Korçë apo në Elbasan, unë i ftoj të gjithë nga gjithë Shqipëria të mbështesim Skënderbeun, pasi është hera e parë që një ekip i yni është para një momenti të tillë”.

Gjithashtu, nga burime pranë klubit u bë me dije se do të jenë një sasi e konsiderueshme autobusësh të vënë në dispozicion nga klubi, që do të transportojnë sportdashësit nga Korça drejt Elbasanit dhe nisja do të bëhet në orën 17:00.

Gjyqtarët e takimit që do të luhet të mërkurën në mbrëmje: Portugezi Atur Diaz do të jetë gjyqtari kryesor i përballjes në “Elbasan Arena” mes Skënderbeut dhe Milsamit. Këtë ka vendosur qeveria europiane e futbollit. Ky arbitër gjatë sezonit të kaluar ka gjykuar disa ndeshje të fazës së grupeve të Europa League. Ndihmës të tij janë Rui Tavares dhe Paulo Soares. Për këtë duel, trajneri Mirel Josa nuk do të ketë të gatshëm dy mbrojtës, Tefik Osmanin për arsye dëmtimi, dhe Renato Arapin, i pezulluar nga UEFA me 3 ndeshje. Eliminimi i Milsamit do t’i siguronte Skënderbeut kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League, që konsiderohet arritje historike për një klub shqiptar.

Hamdi Salihi, arma e korçarëve: Hamdi Salihi rezulton shënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve, faza eliminatore, për klubet europiane në këtë sezon. Me katër gola të realizuar deri më tani, Hamdi Salihi kryeson listën përkatëse të UEFA-s, ndërkohë që ndan vendin e parë dhe të dytë me Michael Wilde të skuadrës uellsiane, The New Saints FC. Saktësisht, sulmuesi që iu bashkua kohët e fundit kampionëve të Shqipërisë ka luajtur 270 minuta lojë në total në tri ndeshje aktivizim. Ai shënoi dy gola ndaj Crusadersit në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve, ndërsa vulosi fatin e ndeshjes së parë të turit të tretë ndaj Milsamit në Moldavi, me dopietën personale.