e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skenderbeu i papermbajtshem, merr tre futbolliste nga Uest Hemi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skenderbeu i papermbajtshem, merr tre futbolliste nga Uest Hemi

Pas shumë ditësh pritjeje në lidhje me emrat e merkatos të kampionëve, “Sport Ekspres” ka zbuluar dje lajmin e bujshëm se te Skënderbeu do të huazojë 3 lojtarë të Uest Hemit për ndeshjet e Championsit.

Jo më kot presidenti Takaj prej disa ditësh ka deklaruar se asnjë nga emrat e publikuar në shtyp nuk do të jetë pjesë e Skënderbeut.

Me sa duket, ai ka synuar goditjen e madhe, pasi e ka “ndarë mendjen” për të arritur objektivin për të çuar ekipin e tij deri në fazën me grupe të Europa League.

Deklaratat e presidentit të korçarëve linin dyshime në lidhje me përforcimet dhe dje është mësuar se lojtarët e rinj do të vijnë nga Premier Liga dhe konkretisht nga Uest Hemi, por në forma huazimi.

Dhe janë tre futbollistë të ekipit të njohur anglez, të cilët do të jenë pjesë e bardhekuqve, por emrat për momentin nuk janë zbuluar.

Sigurisht që ky është një lajm i bujshëm për Skënderbeun dhe tifozërinë korçare. Nga 3 futbollistët që priten, 2 janë sulmues dhe 1 mesfushor.

Më shumë detaje do të mësohen, kur ata të jenë të pranishëm në fazën përgatitore me Skënderbeun. Ky lajm konfirmohet nga burime shumë të besueshme pranë presidentit Ardjan Takaj.