Skenderbeu, Partizani dhe Kukesi, te 'cmendura' ne merkato
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kampionët e Shqipërisë, Demat e Kuq dhe Kukësi janë tri skuadrat më aktive në këtë nisje të merkatos së verës. Ujqërit e dëborës kanë siguruar Sefën, Agoboin, Vangjelin dhe Osmanin, ndërsa kanë larguar Bicin, Muzakën, Tomiç, Fagun dhe Gvozdenoviç. Me këto ndryshime Skënderbeu po kthehet në një skuadër të pathyeshme dhe duket se i ka të qartë objektivat; fitimin e titullit të pestë radhazi të Superligës Shqiptare të Futbollit dhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve, që do ishte një ngjarje historike për futbollin shqiptar. Në të njëjtën rrugë janë edhe “të kuqtë” e kryeqytetit, të cilët po tregohen mjaft aktivë në këtë nisje të merkatos së verës.
Pas zyrtarizimit të Duros në pankinë, Partizani ka nënshkruar me Bathën dhe Mustafën, ndërsa ka larguar Mazrekajn, Memellin dhe Pliskan. Duro gjithashtu ka paralajmëruar edhe largime të tjera ndërsa ka premtuar një skuadër konkurruese për titullin kampion. Edhe Kukësi ka bërë lëvizjet e tij, ka siguruar Bicin, Bakajn dhe Karabecin (dy të fundit fillimisht vetëm për në Europë, më tej do diskutohet më konkretisht), ndërsa s’ka largime. Pritet një sprint në merkato i Flamurtarit dhe Tiranës. Kuqezinjtë presin zyrtarizimin e turqve në drejtimin e klubit për të nisur ndërtimin e skuadrës së sezonit tjetër, ndërsa bardheblutë e kryeqytetit janë me sytë nga Bashkia për të kuptuar të ardhmen e tyre. 24 herë kampionët e Shqipërisë gjatë kohës që presin lajme nga Bashkia kanë siguruar parimisht 4 lojtarë, ndërsa po punohet për rinovimin e një pjese të madhe nga grupi i sezonit të shkuar.
Në vështirësi paraqitet skuadra shkodrane e Vllaznisë e cila, ashtu si edhe Tirana, i ka sytë tek Bashkia për të kuptuar si do jenë financat e klubit. Skuadra e traditës e futbollit shqiptar rrezikon të përsërisë sezonin që lamë pas, për shkak të mungesës së një presidence që do të zgjidhte problemet financiare dhe që do të niste punën për ndërtimin e një ekipi pretendent.