Skënderbeu/ Llogari për titullin, Radas: Ja ku vuloset trofeu
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas humbjes në Kupë, e gjithë vëmendja për Skënderbeun është spostuar te Kukësi. Marko Radas e cilëson këtë javë vërtet delikate.
Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", mbrojtësi paralajmëron se kjo do të jetë ndeshja më e bukur e vitit, pasi do të përballen dy ekipe që i kanë dhënë tonin këtij kampionati.
Kroati "snobon" Partizanin, pasi, sipas tij, presioni i kundërshtarit është minimizuar ndjeshëm. Gjashtë pikë avancë në renditje duket se i kanë dhënë qetësinë e duhur për të vijuar garën, paçka se Radas e thotë hapur se titulli për ta vendoset ndaj Kukësit, Tiranës dhe Partizanit.
Do të jenë këto tri javët përcaktuese për kampionatin. Pas humbjes në Laç, mund të quhet e mbyllur aventura për Kupën?
Jo, nuk jam i këtij mendimi. Është një humbje minimale me rezultatin 1-0, por kemi edhe një ndeshje kthimi. Për këtë arsye, kompeticioni i Kupës është më i bukur, pasi ka dy ndeshje dhe ke mundësinë e një përmbysje rezultati.
Pra, Marko beson te përmbysja në ndeshjen e kthimit?
Sigurisht që besojmë. Rezultati 1-0 nuk është shumë i keq, paçka se po të shënonim ne ndonjë gol,do të ishte më e lehtë. Por me një gol të shpejtë në Korçë do futemi në lojë menjëherë dhe mund të tentojmë përmbysjen. Ne do të provojmë të kthejmë rezultatin dhe me pak fat në anën tonë jam i bindur se do t'ia arrijmë. Por tani radhën e ka Kukësi.
Si e shikoni këtë ndeshje në transfertë?
Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Kukësi në javët e fundit është shndërruar. Po kalon një formë të mirë dhe është ekipi më në formë i kampionatit. Kjo do ta bëjë që ndeshja Kukësi-Skënderbeu të jetë ndoshta më e bukur e vitit, por edhe më e forta, për vetë faktin se po përballen dy ekipe që i kanë dhënë tonin kampionatit sezonet e fundit.
Sa të vështirë e shikoni këtë 90-minutësh?
Do të jetë mjaft impenjative për ne, por edhe për Kukësin gjithashtu. Besoj se do të jetë një ndeshje mjaft e luftuar për vetë faktin se ky ekip luan futboll të pastër, të shpejtë dhe të fortë. Kjo do t'i japë më shumë grintë lojës. Pritet të jetë një superduel, që nuk duhet humbur.
Ju thatë që Kukësi është ekipi më në formë. A e ka forcën Skënderbeu që ta mposhtë?
Kemi jo vetëm forcën, por edhe eksperiencën. Pasi në futboll një peshë të mirë të sukseseve e bën edhe përvoja. Ne jemi mësuar me të tilla përballje kaq të forta dhe të rëndësishme, madje kemi qenë edhe në të tjera kushte me ekipe shumë herë më të mira se ne dhe ia kemi dalë mbanë të marrim rezultat pozitiv. Dua të them që Skënderbeu ka potencialin e nevojshëm për të qenë fitues në Kukës.
Gjashtë pikë kundër Partizanit janë mjaftueshëm për të luajtur edhe për një barazim në Kukës?
Duke parë që Partizani është gjashtë pikë pas nesh, mendoj se duhet ta interpretojmë disi më të qetë dhe më të përqendruar këtë takim, pasi presioni është më i vogël mbi ne në këtë diferencë që kemi. Ne do të shkojmë të marrim rezultat në Kukës dhe më pas do të presim ndeshjen e Partizanit në Vlorë ku nuk e ka aspak të lehtë. Por duhet të jemi të përqendruar vetëm te takimi ynë fillimisht.
Pra, gjashtë pikë janë një diferencë që ju bën të ndiheni komodë?
Edhe janë, edhe nuk janë. Nëse je i përqendruar, diferenca është mjaft komode dhe mund të menaxhohet me lehtë- si. Por nëse nuk i merr me seriozitet, edhe mund të çedosh. Për këtë ne duhet të shohim takimet me radhë dhe t'i vlerësojmë maksimalisht që të gjithë kundërshtarët që do të kemi përballë qoftë në shtëpi, qoftë në transfertë.
Cila është ndeshja kyçe që mund të vendosë çështjen e titullit?
Nuk e di me saktësi se kush mund të jetë përcaktuese për titullin kampion, por të jeni të bindur se të gjitha ndeshjet do të kenë peshën e tyre për të fituar titullin. Mund të them që nga rëndësia është takimi i Kukësit këtë javë, ai i Tiranës në transfertë dhe ndeshja direkte me Partizanin në Korçë. Këto ma merr mendja se do të jenë takimet më të rëndësishme që do të luajmë deri në fund.
Po shkoni drejt titullit të gjashtë radhazi. E kishit menduar ndonjëherë që të fitonit kaq shumë në Korçë?
Nëse më pyesni si kroat, ju them që nuk e kisha menduar. Por si korçar, e dija që do të ndodhte kështu, ndaj vendosa të qëndroj këtu. Ndoshta kam hyrë edhe unë në histori si i huaji që ka fituar 5 tituj radhazi në kampionatin shqiptar.
Përgatiti: LLAZI SARO