Skenderbeu Lilaj prane Ostraves ne Ceki

Skenderbeu, Lilaj prane Ostraves ne Ceki

Alarm tek Skënderbeu, Sabjen Lilaj dhe dy lojtarë të tjerë janë në prag largimi, ndërsa Josa duhet të bëjë edhe pa dy mbrojtësit e tij kryesorë, Osmani-Vangjeli.

Skënderbeu, skuadra e cila mban fronin e kampionit të Shqipërisë prej 4 sezonesh është në alarm të plotë. Sipas burimeve të MAPO-s pranë klubit korçar, tre futbollistë janë në prag largimi, ndërsa mësohet se Mirel Josa në takimin e radhës ndaj Laçit do të ketë dhe dy mungesa të rëndësishme për shkaqe dëmtimi dhe viroze.

Largimet: I pari në listë për t’u larguar është Sabjen Lilaj, të cilit i përfundon kontrata në qershor. Mësohet se mesfushori është kërkuar nga dy skuadra europiane, teksa oferta më konkrete është ajo e skuadrës së ligës së parë çeke, Banik Ostravas. Sabjen Lilaj ka dhënë konsensusin e tij për këtë transferim, ndërsa Skënderbeu ka hyrë në tratativa me klubin çek për të gjetur gjuhën e përbashkët monetare për këtë transferim. Klubi çek mban vendin e pestë në ligën e parë të kampionatit çek dhe pretendon kualifikimin në Europë për sezonin e ardhshëm.

Skënderbeu dhe presidenti Ardian Takaj janë interesuar të arrijnë marrëveshjen sa më shpejt me çekët, pasi në të kundërt, nëse 25 vjeçari nuk largohet brenda janarit, atëherë Skënderbeu rrezikon ta humb lojtarin në qershor pa përfituar asnjë të ardhur ekonomike. Dy lojtarët e tjerë që janë në rrugën e largimit nga Skënderbeu janë Peter Olianka dhe Bakary Nimaga. Të dy lojtarët kanë pasur oferta të rëndësishme nga klube europiane, ndërsa mësohet se brenda ditës së sotme lojtarët pritet të nënshkruajnë dhe një parakontratë me skuadrat e tyre të ardhshme, ndërsa sezonin do ta përfundojnë në Korçë. Të dy lojtarët kanë kontrata 2-vjeçare me Skënderbeun dhe largimi i tyre pritet të sjellë dhe të ardhura në arkën e korçarëve.

Dëmtimet: Tekniku Mirel Josa do të duhet të bëjë planet pa dyshen Osmani-Vangjeli. I pari është duke vuajtur një virozë, e cila e ka detyruar mbrojtësin Osmani të rrijë në shtrat, ndërsa sa i takon Kristi Vangjelit, dëmtimi i marrë në ndeshjen e luajtur në Elbasan pritet të jetë më i rëndë se parashikimet. Gjatë ditës së sotme Kristi Vangjeli do të bëjë dhe rezonancën magnetike për të kuptuar nivelin e dëmtimit dhe programin që do të ndjekë lojtari për të rikuperuar në një kohë sa më të shpejtë. Këto dy dëmtime e vënë në vështirësi trajnerin e  korçarëve, Mirel Josën, i cili duhet të bëjë pa dy mbrojtësit e tij kryesor në përballjen e  të shtunës në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës.

Faza e tretë ka nisur mjaft mirë për kampionët e Shqipërisë që mundën me rezultatin 4-1 Elbasanin në “Elbasan Arena”. Skuadra e Mirel Josës ka treguar edhe në sezonet e shkuara forcën e saj të vërtetë në pjesën e dytë të sezonit. Por, ndryshe nga më parë, këtë sezon janë katër skuadra pretendente dhe niveli i rivalëve të Skënderbeut duket mjaft afër ujqërve, prandaj dhe rikthimi në krye i Skënderbeut duket një mision pak më i vështirë se çfarë mund të ishte parashikuar në fillim të këtij sezoni. Skënderbeu aktualisht është në vendin e dytë, 2 pikë poshtë Kukësit dhe 1 pikë sipër Tiranës së vendit të tretë. Ndeshja me Laçin do të luhet të shtunën e 31 janarit në orën 16:00, në Korçë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama