Skenderbeu-Dinamo, 8 mije bileta te shitura
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që të shiteshin kaq shumë bileta në pak orë. Biletat për ndeshjen mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit u hodhën në treg të shtunën rreth orës 13.00 të mesditës në qytetin juglindor, ndërkohë që më pas dolën në treg edhe në Elbasan dhe Tiranë. Sipas klubit kampion, vetëm në Korçë u hodhën afërsisht 70% të biletave në total, pra rreth 8 mijë bileta, ndërkohë që në dy qytetet e tjera janë hedhur në treg 3 mijë biletat e pjesës tjetër të stadiumit. Dje, në mbrëmje në vetëm 30 orë të daljes në treg, klubi “Skënderbeu” ka njoftuar që janë shitur gjithsej në total 8 mijë bileta. Nga këto 7 mijë në Korçë dhe 1 mijë në Elbasan dhe Tiranë (në Elbasan shiten te biletaria e “Elbasan Arenës”, ndërsa në Tiranë te pika e shitjes pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”).
Sigurisht që këto shifra të shitjes në kaq orë janë të “frikshme” dhe është e sigurtë që sot do të jetë e vështirë të gjesh një biletë për të ndjekur ndeshjen e së mërkurës Skënderbeu- Dinamo Zagreb. Rreth 700 bileta janë në dispozicon të klubit mik, ku pritet që edhe kroatët të jenë me kapacitetin e tyre maksimal në stadium për këtë ndeshje të parë në Shqipëri. Në Korçë mësohet se ka pasur radhë të gjata deri në orët e vona të mbrëmjes dhe ato pak bileta që kanë mbetur absolutisht që sot në orët e para të mëngjesit do të jetë e vështirë që të gjesh qoftë edhe një të vetme. Prej vitesh kaq shumë shitje nuk ishin parë asnjëherë më parë për një ndeshje ku luan një skuadër shqiptare, ndërkohë që vetë rëndësia që ka faza e “play-off”-it ka bërë që të gjithë të jenë të interesuar për ta ndjekur live këtë sfidë të së mërkurës. Tashmë është e sigurtë që “Elbasan Arena” do të jetë plot e përplot dhe sigurisht që Skënderbeu ka një arsye më shumë që të japë maksimumin në fushë, pasi do të ketë mbështetjen e 12 mijë shqiptarëve në stadium, pa thënë dhe mijëra të tjerëve nga ekrani i televizorit.
Interesimi
Ndërkohë që shitjet e biletave janë drejt fundit, janë shumë shqiptarë nga Greqia, Italia, Mali i Zi e Maqedonia, pa përmendur edhe ata nga Kosova, të cilët dje kanë kontaktuar nga jashtë vendit për të siguruar një biletë, pasi shumë prej tyre e kanë të sigurtë që do të udhëtojnë drejt Elbasanit të mërkurën. Por, a do të gjendet një biletë për këta mijëra shqiptarë që kërkojnë të jenë në stadium? Është vërtetë e pamundur t’u plotësohet dëshira të gjithëve, ndërkohë që edhe përsa i përket gazetarëve, vendet e tyre do të jenë plot, pasi do të ketë përfaqësues të medias, jo vetëm nga gjithë Shqipëria dhe Kroacia, por edhe nga shtete të tjera pranë Shqipërisë. Jo më kot presidenti Takaj e quajti Skënderbeun pak ditë më parë një kombëtare për të gjithë shqiptarët. Dhe, vërtet ashtu është, Skënderbeu ka mbështetës kudo, në Shqipëri dhe jashtë saj.
Si pritet të rreshtohen në fushë
Josa është në përgatitjet e fundit me të tijtë, ndërkohë që formacionin thuajse e ka gati me përjashtim të ndonjë dileme që ka për ndonjë lojtar. Gjithsesi këtë do ta vendosë kreu i pankinës në dy stërvitje të fundit, sot në Durrës dhe nesër në Elbasan. Gjithsesi nga ato që janë parë ditët e fundit nga njëshi i stolit kampion pavarësisht se Skënderbeu luan në “shtëpinë e vet”, duhet theksuar se skema e lojës do të jetë 4-3-2-1, pra me një mesfushë të ngjeshur dhe në ndihmë të mbrojtjes dhe sulmit. Tre janë mungesat e Skënderbeut në këtë ndeshje, teksa Arapi, Osmani dhe Abilaliaj do të jenë pushim, ndërkohë që në fushë pritet të shohim të tjerë lojtarë. Shehi pa më të voglin dyshim do të jetë në portë. Në mbrojtje katërshja thuajse është e bërë, me përjashtim të krahut të majtë.
Vangjeli do ta nisë nga e djathta, ndërkohë që Radas e Jashanica janë dyshja e qendrës. Për të plotësuar prapavijën në krahun e majtë mund të jetë Eskuerdinja, braziliani që është provuar edhe në ndeshjet e fundit ndaj Milsamit, por që në këtë vend është edhe Abazi lojtar që duket se edhe ai po kalon një moment të mirë. Mes këtyre dy futbollistëve, Josa pritet të zgjedhë brazilianin, por që gjithsesi asgjë nuk është e sigurtë deri në momentin e fundit. Mesfusha do të jetë edhe reparti me lojtarët më të ngjeshur, teksa Nimaga, Shkëmbi dhe Lilaj, janë një treshe më shumë se e konsoliduar dhe për këta lojtarë nuk ka mëdyshje që do të jenë përkrah njëri-tjetrit nga starti.
Në rolin e mesfushorit të krahut të djathtë që do të shërbejë edhe si gjysëm mesfushori, apo si gjysëmsulmuesi është Liridon Latifi që po tregon formë të mirë edhe pse vjen nga dëmtimi, ndërsa në krahun e majtë nuk diskutohet Berisha. Kjo dyshe është tepër e shpejtë dhe pritet të sjellë probleme për kroatët. Në sulm i vetëm është Hamdi Salihi, golashënuesi më i mirë i Logës së Kampioneve deri tani me pesë gola të shënuar. Kjo pak a shumë është 11-shja që do të zbresë të mërkurë në fushën e stadiumit “Elbasan Arena”, por mund të kemi edhe ndonjë surprizë, nga ato surpriza që Josa i bën gjithmonë.
Konferenca
Heshtje shtypi dje e sot, nesër Josa e Shkëmbi përballë gazetarëve
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka vendosur që disa ditë përpara startit të ndeshjes ndaj Dinamos së Zagrebit të mbajë larg gazetarëve futbollistët e tij. Qysh të shtunën në mbrëmje, por edhe dje e sot, nuk do të ketë asnjë prononcim, apo konferencë shtypi nga ana e futbollistëve. Kjo do të thotë që Josa u ka “qepur” gojën të tijve, dhe me të drejtë e ka bërë një gjë të tillë, pasi futbollistët duhet të jenë sa më të përqëndruar për ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”.
Sipas trajnerit të Skënderbeut dita e nesërme, pra të martë në orët e pasdites dhe më konkretisht 30 minuta përpara startit të seancës së fundit stërvitore vetë trajneri dhe kapiteni Bledi Shkëmbi do të jenë përpara gazetarëve për të folur enkas për ndeshjen ndaj Dinamos së Zagrebit, atje ku pritet të ketë jo vetëm gazetarë nga mediat shqiptare, por edhe gazetarë që do të mbërrijnë nga Kroacia. I pyetur në lidhje me mundësinë që Shkëmbi të jetë të paktën sot përballë gazetarëve dhe Josa nesër, trajneri nuk e ka pranuar aspak këtë propozim nga mediat dhe në këtë mënyrë duhet pritur dita e nesërme për të qenë përpara mediave trajneri dhe kapiteni.