Sinella: Nuk duam tolerime, Tomori fiton me goleada
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tomori është duke shkëlqyer gjatë këtij edicioni, teksa në fundjavë ka arritur një tjetër rezultat pozitiv në transfertën e Përmetit.
Beratasit vazhdojnë të renditen të dytët pas Naftëtarit dhe lufta duket se do të jetë e hapur deri në fund.
Në një intervistë për gazetën "Panorama Sport", trajneri Bledar Sinella bën analizën e ndeshjes së fundit dhe parashikon se skuadra shumë shpejt do të jetë në vendin e parë.
Një fitore e ngushtë në transfertën e Përmetit ku shënuat golin e avantazhit vetëm pas kartonit të kuq të marrë nga vendësit. Çfarë ndodhi me ekipin?
Normalisht, në këtë kategori nuk është asnjë sfidë e lehtë, por dua të them se skuadra ka qenë në çdo minutë të lojës superiore ndaj kundërshtarit. Skuadra vazhdon të krijojë lojë të bukur ndaj çdo kundërshtari që mund të ketë përballë, por i vetmi problem qëndron te rastet e humbura. Nëse do të jemi të saktë, çdo takim e fitojmë me goleadë.
Si ju duket arbitrimi në këto tri sfidat e para të kësaj faze?
Perfekt. Dhe kjo në sajë të FSHF-së, të cilën duhet ta falënderojmë. Në këto tri sfidat e kësaj faze na ka rastisur që të kemi përballë arbitra, të cilët dinë ta menaxhojnë lojën dhe të mbajnë drejtësi. Nuk duam që të na tolerojë askush, pasi skuadra që kam krijuar di t'i bëjë ballë çdo kundërshtari.
Ndaj Himarës rikthehen edhe Myzyri e Paja, do ndryshojë formacioni?
Dy lojtarë të rëndësishëm, të cilët do të japin kontributin e tyre për të vazhduar rrugën drejt objektivit për ngjitjen e Tomorit. Në radhë të parë, rrotacionet në formacion janë pozitive për skuadrën. Ato u japin mundësi lojtarëve për t'u çlodhur. Unë jam një trajner që nuk kam një formacion bazë. Mendoj se në fund të kampionatit do ta sigurojmë ngjitjen.
Në fundjavë, ndaj Himarës së vendit të fundit, duket si ndeshje statistikore?
Për ne, çdo takim vlen tri pikë. Në asnjë moment të vetëm nuk e shikojmë kundërshtarin nga pozitat në të cilat ai ndodhet. Ne kemi një objektiv përsipër dhe nuk duhet të nënvlerësojmë apo tolerojmë askënd, pasi në të kundërt do të kishim dështuar.
Përgatiti: ERIS SYLYKU