e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Apolonia u kërkon ndihmë tifozëve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia u kërkon ndihmë tifozëve

Apolonia do të luajë këtë fundjavë një sfidë vendimtare ndaj Luftëtarit, që kryeson Grupin B. ApoloniaNjë fitore e fierakëve, që do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve të tyre, do t'i çojë ata në vendin e parë në klasifikim, pasi diferenca aktuale është vetëm dy pikë.

Fitorja me Dinamon javën e shkuar ka rritur ndjeshëm optimizmin në ekip dhe tani synohet të ruhet vazhdimësia.

Në një prononcim për "Panorama Sport", mbrojtësi shkodran i fierakëve, Izmir Balaj, ka thënë: "Ndeshjen ndaj Dinamos e kemi vlerësuar maksimalisht në të gjitha aspektet. U futëm në fushë ashtu si gjithmonë vetëm për fitore, pasi çdo rezultat tjetër do të na vështirësonte arritjen e objektivit që kemi. Luajtëm si asnjëherë tjetër me qetësi e saktësi duke qenë të disiplinuar në kryerjen e detyrave taktike. Falë lojës që zhvilluam, por edhe fatit që ishte në anën tonë, arritëm të merrnim tri pikë me shumë vlera", u shpreh Balaj, i cili ishte një nga më të mirët në fushë.

Përballja

Por triumfi me dinamovitët tashmë është harruar dhe të gjithë janë përqendruar te sfida me Luftëtarin. "Është një nga sfidat më të rëndësishme e të vështira për të mos thënë një finale e vërtetë. Nuk ka diskutim që po e vlerësojmë kundërshtarin në të gjitha aspektet.

Synimi ynë i vetëm në këtë ndeshje është fitorja për të qenë në krye të grupit, çka na jep edhe përparësi në kalendar fazën e tretë", vazhdoi Balaj në prononcimin e tij. Ai ka bërë me dije edhe aspektet në të cilat është përqendruar stërvitja e ekipit.

"Po punojmë kryesisht në drejtimin taktik, në mënyrë që lojtarët të kuptojnë më mirë detyrat e tyre në fushë dhe t'i respektojnë me përpikmëri ato. Gjithashtu, rëndësi të veçantë i kushtohet edhe lojës së kundërshtarit, të cilën deri diku e njohim. Morali i lojtarëve është i lartë dhe nuk jemi nën presion, edhe pse nuk duhet të gabojmë në asnjë mënyrë. Megjithatë, në këtë ndeshje, Apolonia është e favorizuar për të fituar, pasi luajmë në fushën tonë dhe jam i bindur se nuk ka për të na munguar mbështetja e tifozëve. I ftoj që të jenë sa më të shumtë në shkallët e stadiumit, duke i premtuar se nuk kemi për t'i zhgënjyer me lojën tonë", ka mbyllur Balaj.

Përgatiti: MIKEL MBRIÇAJ