Si e kuptova ndeshjen Partizani Skënderbeu
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sigurisht, ndeshjen e së hënës në mbrëmje, këtë Partizani - Skënderbeu 1-1, unë nuk e kuptova si një "margaritar" i ardhur falë Federatës Shqiptare të Futbollit, servilizmi ndaj së cilës prej disa shkruesve, "analistëve", "moviolistëve" apo "komentatorëve" është bërë krejt i papranueshëm.
Ndeshjen Skënderbeu - Partizani unë e kuptova si një bukuri të vogël të këtij Kampionati. Them "të vogël" ngaqë "bukuri të mëdha" ka kohë që nuk ka Kampionati i Shqipërisë. Dhe, në historinë e këtyre Kampionateve, ndeshja Partizani-Skënderbeu nuk ka qenë thuajse asnjëherë e rëndësishme apo vendimtare. Madje as tradicionale.
Ndoshta bën përjashtim vetëm Kampionati i vitit 1976-1977, saktësisht Java 13 e tij, ajo e 19 shkurtit 1977, kur Skënderbeu fitonte në Tiranë 1-0 me Partizanin falë golit të Milutin Kërçiçit dhe qysh nga kjo ditë ndodhi që për herë të parë Mbasluftës skuadra korçare të bëhej mëtuese për titullin Kampion të Shqipërisë.
Në të vërtetë, do të ishte Nënkampione përballë një Dinamoje të shkëlqyeshme, po dhe jo pak "pushtetare", mbas një barazimi spektakolar 2-2 në Tiranë po me Partizanin më 8 qershor 1977. Ky ka qenë Skënderbeu i trajnerit Aleko Pilika dhe i protagonistit Dhimitraq Xhambazi - autor i 16 golave të paharrueshëm. Dhe vetëm kaq. Duhej të kalonin pra, plot 40 vjet (1976-1977) që papritmas ndeshja Partizani-Skënderbeu të bëhej kësisoj e rëndësishme. Kjo për dy arsye.
E para sepse është rikthyer Partizani mbas peripecive që e çuan deri në Kategorinë e Tretë. E dyta sepse Skënderbeu mbretëron tash plot 6 vjet në Kampionatin e Shqipërisë. Kësisoj, them se ndeshja e së hënës i vuri vulën rëndësisë së sotme të duelit të ri të futbollit shqiptar, këtij Skënderbeu-Partizani.
Kur, ndërkaq, ka dhe një arsye të tretë: janë vetëm këto dy skuadra që mund të synojnë titullin e Kampionit të Shqipërisë për stinën 2015-2016. Kundërshtari më i afërt i tyre, KF Kukësi, është bukur 16 e 12 pikë larg! Historia na kujton, ndërkohë, se në ndryshim, bie fjala nga Sportklub Tirana apo Vllaznia e Shkodrës, Skënderbeu i ka dhënë pak futbollistë të mëdhenj Partizanit, teksa veçoj dy të ndritshmit Teodor Vaso dhe Jani Kaçi.
Çka do të thotë se pesha e ndeshjeve Partizani-Skënderbeu gjithnjë ka qenë disi e papërfillshme. Kjo ngaqë Paraluftës së Skënderbeut të Teli Samsurit me shokë - kampion më 1933 - Partizani nuk ekzistonte; e mandej ngaqë Mbasluftës asnjëherë deri më 1976-1977 skuadra korçare nuk luftoi për titull. Në një kohë që Partizani rrëmbente plot 15 të tillë. Tash historia ka ndryshuar.
Partizani, i cili ka plot 23 vjet (1993) që nuk fiton më asnjë titull të kampionatit, në këtë 2015-2016 befas ka meritën që edhe sepsederi para vetëm 3 vjetësh (2013 ishte në Kategorinë e Dytë, befasisht, brenda vetëm 30 muajve vjen e bëhet synues i titullit të Shqipërisë! Thuajse po ashtu si Skënderbeu, i cili, ndonëse jo larg, por deri më 2009 ishte i Kategorisë së Dytë edhe ai, mbas vetëm 24 muajve, më 2011, bëhet Kampion i Shqipërisë! Rritje të tilla të rrufeshme merret me mend se kanë vetëm një shkak: paranë. Paranë që sjell lojtarë të mirë dhe vetëm kaq.
Siç e shikoni, pak a shumë, si Partizani, po aq edhe Skënderbeu, janë të formuar prej lojtarëve jo burimorë të klubit, por të blerë majtas e djathtas. Kjo është gjeopolitika e re edhe e futbollit shqiptar, imitim i skajshëm i futbollit perëndimor të shteteve të mëdha, stil i të cilit deri në këtë shkallë jam kundërshtar. Nuk mendoj se ka ardhur koha për ta përvetësuar këtë stil futbolli modest shqiptar me kaq fanatizëm dhe në dëm të elementit të ri kombëtar. Kur dihet se as ka ndër mend të fitojë Kupën e Kampioneve të Europës dhe as të bëjë pra "furore" në kontinent. E megjithatë!...
E megjithatë, ndeshjen e së hënës, këtë Partizani - Skënderbeu, unë e kuptoj si një dhuratë të bukur cilësie të Kampionatit të Shqipërisë. Kjo ngaqë, për stadin tonë, ajo i kishte të gjitha. Kishte mjedisin e ndjekësve të Partizanit, të cilët, edhe pse nuk e mbushën stadiumin në 18 000 veta si më 1977, prapë të paktën gjysmën po. Edhe kështu, ndeshja pati mjedisin kontemporan të ndeshjeve të sotme qytetëse europiane, çka shihej edhe në gjallërinë e rrugës së afërt që të çonte te stadiumi.
Kishte dhe transmetimin po cilësor televiziv, me rekordin e vetëm (unik) në Europë që e transmetuan drejtpërsëdrejti dy televizione (arkaizëm shqiptar?). Po, nga ana tjetër, ndeshja kishte "jetën" e këndshme futbollistike të fushës së blertë. Unë për vete atë e përjetova si një ndeshje plot nerv dhe dëshirë, një ndeshje krejt e hapët, doemos edhe taktike, vetvetiu nën epërsinë e Partizanit - e kuptueshme kjo përderisa ai ndodhej 4 pikë mbrapa.
Nga kampi tjetër, ajo ishte një ndeshje disi e kujdesshme e Skënderbeut, i cili merrej me mend se do të kënaqej edhe me barazimin - çka dhe arriti. Dhe një ndeshje me episode kulmore golash e jogolash. Gabim fatal i Shehit në golin e Partizanit, një njëmbëdhjetëmetërsh klasik, tash i shpëtuar po prej portierit Shehi! E ky qe dhe çasti përcaktues i rezultatit, i nënshkruar prej golit për antologji të Vangjelit. Dhe 1-1! U tha se Partizani, i cili luajti mjaft mirë, qe i pafat! Nuk e kam kuptuar kështu.
Them se krejt ndeshja në thelb pati në përmbajtjen e saj fatalitetin e zakonshëm që topi dinak i futbollit shpalos përherë. Mû kjo ishte një bukuri më tepër për duelin mbresëlënës të së hënës. E ai, ndërkaq, pati madje paksa edhe "egërsinë" futbollistike në kuptimin më të butë të kësaj fjale - çka vinte prej dëshirës së madhe për të fituar.
Kur edhe ritmika e lojës u ruajt për 90 minuta të tëra e, ashtu siç po shkonte, të dukej se në çdo çast diçka të bukur përsëri mund të shpaloste. Mandej? Mandej një intervistë "përimtuese" për t'u marrë shembull e trajnerit italian të Partizanit, Andrea Agostineli, qoftë dhe me kundërshtimin për rastin e dhënies së një goditje gabimi për Skënderbeun prej ku lindi dhe goli i çmueshëm korçar.
Doemos pa harruar këtu "europeistin" Mirel Josa - lakonikun origjinal të intervistave të mbasndeshjeve. E, nga ana e gazetarisë televizive, pashë po aq një profesionalizëm trajtese. Me një përjashtim teksa fiksova këto fjalë: "Mirëmbrëma mister, komplimente për performancën!" Ndër pesë fjalë, vetëm njëra e gjuhës shqipe!...
Morali i fabulës së këtij editoriali më duket se është ky: Nuk po dimë t'u gëzohemi për së mbari ndeshjeve të bukura tejet të rralla të Kampionatit. Mërzia e humbjes apo dhe euforia e fitores sundojnë frikshëm. Dhe propaganda e përditshme, disi dhe komerciale, e etjes për një vend në Kupat e Europës apo për rënien e mosrënien, është bërë qëllim më vete i strategjisë së vetë Kampionatit të Shqipërisë. Nuk është ky qëllimi i një kampionati të futbollit. Ngaqë kështu harrojmë më të rëndësishmen: qëllimin shpirtëror dhe shoqëror të lojës së futbollit, që është e vetmja veprimtari krijuese çlodhëse e njerëzimit që jep premierë publike çdo javë. Unë kështu, si një premierë të bukur të javës, e kuptova (dhe e përjetova) ndeshjen Partizani - Skënderbeu...
