Në këtë fillim sezoni të Bundesligës, Bastian Shvajnshtajger është një nga lojtarët kryesorë që do të mungojë për bavarezët. Për shkak të dëmtimit në gju, mesfushori i Bajernit të Mynihut mund të qëndrojë jashtë fushe 5-6 javë, por ndërkohë ka patur zëra se ai mund të mungojë më gjatë. Duke i cilësuar totalisht të pavërteta këto spekulime, Shvajni siguroi se problemi i tij po trajtohet siç duhet, për t’u rikthyer në kohë në dispozicion të ekipit: “Njerëzit nuk duhet të shqetësohen për mua. Problemet që kam në gjurin e majtë kanë nisur që prej muajit Janar, por falë Zotit jam në duart e sigurta të doktorit Myller-Vohlfart. Aktualisht po merremi me trajtimin e problemit dhe besoj se shumë shpejt do të jem në gjendje të luaj pa ndjerë dhimbje. Jam i bindur se çdo gjë do të shkojë mirë, por sidoqoftë nuk mund të jap një datë të saktë për rikthimin”.
Mefushori theksoi se mbi çdo gjë, riaftësimi i plotë ka më shumë rëndësi se koha e rikthimit. Momentalisht mesfushori gjerman po stërvitet i shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës dhe pa ushtruar shumë presion mbi gjurin e majtë. Për shkak të problemeve fizike, në sezonin e fundit Shvajni u aktivizua në 23 ndeshje të Bundesligës, duke shënuar 4 gola gjithsej.