e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shulku: Sezoni 2012-2013, nje tjeter hap pozitiv

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shulku: Sezoni 2012-2013, nje tjeter hap pozitiv
Me gjithë problematikat që nuk kanë munguar as në këtë sezon, si dhuna dhe dyshimet për trukimin e disa ndeshjeve, numri dy i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulku, e konsideron edicionin 2012-2013 që po shkon drejt mbylljes, si një sezon pozitiv, ku u luftua deri në javët e fundit për objektivat e rëndësishëm. Sekretari i përgjithshëm këmbëngul se problemet e hasura nuk duhet t’ia zbehin bukurinë garës së fortë sportive, e cila nuk ka munguar dhe që mund të konsiderohet një tjetër hap i hedhur përpara.

“Sezoni ende nuk është mbyllur, pasi duhet që të luhet edhe java e fundit, por gjithsesi për mendim tim, ky edicion mund të konsiderohet i bukur, ku pati një garë të fortë sportive deri në javët e fundit të kampionatit, kur edhe u përcaktuan shumica e verdikteve: përjashto Skënderbeun, që nuk e vuri thuajse asnjë herë në diskutim titullin kampion, vetëm në javën e parafundit mësuam se cilat skuadra do të luajnë në Europë dhe cilat do të bien nga kategoria. Mund të themi se për sa i përket cilësisë, kemi hedhur një tjetër hap pozitiv përpara”. Por Shulku nuk i mohon problemet që kanë shqetësuar futbollin shqiptar në këtë vit, si dyshimet për trukimin e disa ndeshjeve, por thekson se FSHF-ja ka shtuar masat kundër këtij fenomeni në kërkim të minimizimit të ngjarjeve të tilla.

“Është folur shumë për ndeshjet e trukuara në këtë sezon, por duhet të qartësojmë, se kur flet UEFA apo FIFA, nuk citohet ndeshje e trukuar, por ndeshje të dyshuara si të trukuara, sqaron sekretari. Megjithatë zhvillimet edhe në këtë drejtim kanë qenë pozitive. FSHF-ja ka ngritur Komisionin e Etikës që heton këto ndeshje, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar edhe në prokurori”. Një tjetër problematikë e sezonit aktual ka qenë edhe çështja e krizës financiare e disa klubeve, të cilat nuk kanë mundur të shfaqen në nivelin e zakonshëm të tyre. “Kriza financiare është një dukuri që ka filluar të ndihet prej disa sezonesh në kampionatin shqiptar, shprehet sekretari i përgjithshëm.

Megjithatë tashmë rregullat janë më të forta, sidomos pas kushteve të vëna nga UEFA në lidhje me bilancet financiare të klubeve, të cilat do të duhet të japin garancia financiare për të përballuar sezonin”. Sezonin e ardhshëm, Kategoria Superiore rikthen formulën me 12 ekipe, tri faza dhe 33 ndeshje, që sipas Shulkut ka treguar se është një skemë ideale për të parë një kampionat edhe më të fortë. “Kam qenë partizan i kësaj formule të strukturës së kampionatit me 12 ekipe dhe tri faza, sepse kështu është më i bukur dhe më i fortë. Skema e fazës së tretë ofron që verdiktet të ndahen në javët e fundit”, përfundon sekretari i përgjithshëm i FSHF-së.

Trukimet

“Për sa i përket fenomenit të trukimeve, FSHF-ja ka ngritur Komisionin e Etikës që heton këto ndeshje, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar edhe në prokurori”