Shqiptaret, mes trukimeve ne Itali
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiptarët kanë qenë pjesë e trukimeve në kampionatin italian të futbollit ose kanë kërkuar që të bëhen protagonistë duke investuar shuma të rëndësishme me synim fitime kolosale. Kjo është ajo që shfaqet në aktet e prokurorisë italiane, e cila ka rihapur çështjen e manipulimit të ndeshjeve të futbollit në Itali, falë përgjimeve dhe provave të reja që janë grumbulluar gjatë disa muajsh hetime. Prania e emrit të Igli Tares mes përgjimeve ka bërë shumë bujë, ndërsa është parë me mjaft interes tentativa e një organizate shqiptare e etiketuar si “e rrezikshme” për t’u bërë pjesë e sistemit.
Të konfirmuarit
Pas arrestimit të katër personave, të cilët mendohet se kanë qenë aktivë në manipulimin e ndeshjeve gjatë viteve të kaluara, por edhe në vitin 2013, prokuroria italiane, në dokumentet e çështjes, ka bërë të qartë rolin aktiv të shqiptarëve. Është konfirmuar se shtetasit shqiptarë Ismet M. dhe Antonio Sh., të përmendur edhe në fazën e parë të hetimeve të nisur dy vite më parë, kanë qenë në dijeni të plotë të veprimit të grupit të Ravenës, me në krye drejtorin sportiv të këtij klubi, Xhorxhio Bufone. Këta dy persona, nëpërmjet Bufone, viheshin në dijeni të manipulimit të ndeshjeve dhe më pas vinin baste në Itali, por edhe Shqipëri. Të dy këta persona janë marrë në pyetje gjatë fazës së parë të hetimit, por kanë refuzuar përfshirjen e tyre në manipulimet e rezultateve. Me përgjimet e reja, prokuroria italiane konfirmon edhe pjesëmarrjen e tyre aktive.
Igli Tare
Nuk ka asnjë përgjim telefonate që konfirmon pjesëmarrjen aktive të drejtorit sportiv të Lacios në manipulimin e ndeshjeve. Por një nga të arrestuarit e djeshëm, Françesko Baxani, mendohet se ka njohje të drejtpërdrejtë me ish-futbollistin shqiptar. Kjo dyshohet nga një telefonatë që është përgjuar mes Baxanit dhe një gruaje, që ishte ulur pranë Tares në tribunën e stadiumit “Olimpiko”, duke i kërkuar kësaj të fundit që t’i kalonte telefonin drejtuesit shqiptar. Sipas prokurorisë italiane, fraza “dua t’i them diçka”, e përdorur nga Baxani, lë të kuptohet për familjaritet mes të dyve. Për më tepër, meqë Tare në ato momente është duke biseduar me persona të tjerë, gruaja në fjalë i bën të ditur Baxanit se do t’i kërkonte Tares që ta telefononte më vonë. Por dyshimet për drejtuesin shqiptar janë tërësisht hipotetike, ndonëse duhet theksuar se gruaja në fjalë, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm për një periudhë të gjatë me Xhuzepe Sinjorin dhe Françesko Xhianone, krerët e grupit të “bolonjezëve” që është vërtetuar se manipulonte ndeshje.
Organizata shqiptare
Ajo që duket më interesante në të gjitha përgjimet e publikuara dje nga prokuroria italiane është tentativa e një organizate shqiptare për t’u bërë pjesë e manipulimeve nëpërmjet investimeve të shumave të mëdha apo edhe “shkëmbimit të informacionit rreth ndeshjeve të huaja”. Ky grup shqiptar ka kontaktuar direkt me dy prej të hetuarve në Itali, ish-futbollistin e Modenas, Simone Grilo dhe Kozimo Rinçi, me këtë të fundit që siguronte ndeshjet e manipuluara dhe bënte lidhjet me një “investitor” kinez. Fillimisht, ky grup shqiptar që me sa duket operon në vende të tjera, është treguar i gatshëm të shkëmbejë informacione, duke i ofruar palës italiane ndeshje të sigurta nga jashtë territorit italian. Më pas, pala shqiptare ka kërkuar të bëhej investitore e shumave të mëdha për ndeshjet që manipuloheshin në Itali. Grilo dhe Rinçi kanë filluar në një pikë të caktuar të negocionin për pagesat që duhej të merrnin nga pala shqiptare nëse i kalonin atyre informacione për ndeshje të sigurta. Gjithsesi, dy italianët janë treguar shumë të kujdesshëm në raportin me palën shqiptare, duke i cilësuar shpesh si “persona të rrezikshëm”. Telefonatat e përgjuara të Rinçit në muajin maj, kur ai u kontaktua nga një numër telefoni shqiptar, janë mbyllur me përfundimin e edicionit futbollistik 2012-2013, pa u arritur në një akord të mirëfilltë për manipulimin e ndeshjeve.
Reagimi
“Lacio, presidenti Klaudio Lotito dhe drejtori sportiv, Igli Tare, deklarojnë se nuk kanë pasur asnjë lloj raporti, as të karakterit sportiv, as të karakterit personal dhe as të ndonjë lloji tjetër me z. Françesko Baxani. Prova jepet nga fakti se ky i fundit nuk kishte as numrat telefonikë të presidentit apo të drejtorit teknik, aq sa për të tentuar t’i kontaktonte, ka përdorur persona të tjerë”.
Përgjime telefonike datë 15.05.2013
Grilo dhe Rinçi komunikojnë rreth ofertës së palës shqiptare dhe shumave të përfshira në manipulimin e ndeshjeve, duke u treguar të kujdesshëm për të mos rrezikuar.
Rinçi: Mos më bëj të të telefonoj… ta jap unë lajmin të premten… në mëngjes.
Grilo: Në rregull… por duhet të më tregosh… ti duhet të takohesh me këta, sepse nuk flasin në telefon.
Rinçi: Në rregull, por para se t’i takoj, dua të di pak a shumë shifrën.
Grilo: Në rregull, të tregoj unë.
Rinçi: Dy…
Grilo: Po një milion për një milion… po?!!
Rinçi: Po!!!
Grilo: Ta marrë dreqi, nuk është se pastaj e pësojmë keq, apo jo?
Rinçi: Jo.
Grilo: Jo.
Rinçi: Nga koeficienti 2.3 deri në 2.5.
Grilo: Në rregull.
Rinçi: Më thuaj sa është… sa më ofron… sa janë gati… pastaj të them unë.
Pak orë më vonë, Rinçi telefonohet nga numri shqiptar +355697701xxx, me një shtetas shqiptar që kërkon një takim me të, për të diskutuar këtë çështje.
Rinçi: Alo.
Shqiptari: Alo, Çarli (pseudonimi i Rinçi), jam, miku i Grilos, të shqetësoj?
Rinçi: Jo, nuk më shqetëson.
Shqiptari: Si ia kalon?
Rinçi: Gjithçka në rregull… po ti?
Shqiptari: Mirë, kam qenë në Pragë dhe jam kthyer një natë më parë…
Rinçi: Praga ka shumë femra të bukura apo jo?
Shqiptari: Po, disa po…
Rinçi: Si jetohet në Pragë? A është e bukur Praga?… unë kam folur me Grilon.
Shqiptari: Po…
Rinçi: Nesër në darkë dëgjohemi, shohim nëse ka ndonjë gjë të mirë… në rregull?
Shqiptari: Nesër në darkë?
Rinçi: Nesër në darkë.
Shqiptari: Në rregull, në rregull, të shqetësoj nesër në darkë atëherë.
Rinçi: Nesër më duhet të shkoj të takohem me një person.
Shqiptari: Në rregull, në rregull… e lëmë kështu.
Numri shqiptar ka telefonuar edhe dy herë të tjera Kozimo Rinçin në dy ditët në vazhdim, por nuk është arritur asnjë akord mes palëve rreth trukimit të një ndeshjeje, pasi Rinçi ka shmangur çdo kontakt të drejtpërdrejtë.
Lista e ndeshjeve të Serisë A që u manipuluan apo u tentuan të manipuloheshin:
2010/2011
Bolonja-Lacio, 23.01.2011, 3-2
Breshia-Kievo, 30.01.2011, 0-3
Milan-Lacio, 01.02.2011, 0-0
Kievo-Napoli, 02.02.2011, 2-0
Kaljari-Kievo, 13.02.2011, 4-1
Kievo-Milan, 20.02.2011, 1-2
Breshia-Leçe, 27.02.2011, 2-2
Kievo-Parma, 06.03.2011, 1-1
Milan-Bari, 13.03.2011, 1-1
Lacio-Juventus, 02.05.2011, 0-1
Udineze-Lacio, 08.05.2011, 2-1
Milan-Kaljari, 14.05.2011, 4-1
Sampdoria-Palermo, 15.05.2011, 1-2
2012/2013
Palermo-Bolonja, 13.04.2013, 1-1
Peskara-Siena, 13.04.2013, 2-3
Palermo-Inter, 28.04.2013, 1-0
Parma-Atalanta, 05.05.2013, 2-0
Shqiptarët, mes trukimeve në Itali
Shfaqet edhe emri i Igli Tares. Një grup shqiptar ishte gati për “investime”
Shqiptarët kanë qenë pjesë e trukimeve në kampionatin italian të futbollit ose kanë kërkuar që të bëhen protagonistë duke investuar shuma të rëndësishme me synim fitime kolosale. Kjo është ajo që shfaqet në aktet e prokurorisë italiane, e cila ka rihapur çështjen e manipulimit të ndeshjeve të futbollit në Itali, falë përgjimeve dhe provave të reja që janë grumbulluar gjatë disa muajsh hetime. Prania e emrit të Igli Tares mes përgjimeve ka bërë shumë bujë, ndërsa është parë me mjaft interes tentativa e një organizate shqiptare e etiketuar si “e rrezikshme” për t’u bërë pjesë e sistemit.
Personazhet
Përgjimet e reja shohin pjesëmarrjen e tyre në manipulimin e ndeshjeve
Xhenaro Gatuzo dhe Kristian Broki fusin në telashe Milanin e Lacion
Futbolli italian është tronditur përsëri nga të dhëna të reja që dalin rreth manipulimit të ndeshjeve në favor të basteve të paligjshme sportive, pasi këtë radhë emrat e përfshirë në këtë rrjet masiv janë ato të futbollistëve shumë të njohur dhe skuadrave të mëdha. Guardia Di Finanza ka arrestuar të martën në orët e para të mëngjesit katër shtetas italianë: Kozimo Rinçi, Fabio Kuadri, Salvadore Spadaro dhe Françesko Baxani, të cilët mendohet se kanë bashkëpunuar me organizatat e ndryshme kriminale që kishin si qëllim manipulimin e rezultateve të ndeshjeve. Këto persona, në bashkëpunim me organizatën që vepronte në Azi, grupin hungarez, atë sllav apo edhe “bolonjezët”, kanë manipuluar për vite me radhë ndeshjet në kampionatin italian, duke filluar nga Lega Pro, për të përfunduar në Serinë A, ku tashmë nën lenten e hetuesve janë vënë ndeshje të skuadrave si Milan, Inter, Lacio, Napoli e Juventus. Për më tepër, mes bashkëpunëtorëve të tyre figurojnë dy emra të njohur të futbollit në Itali, ish-mesfushori i Milanit, Xhenaro Gatuzo dhe ish-mesfushori i Lacios, Kristian Broki.
Sipas prokurorisë italiane, personat e arrestuar ishin ndërmjetësit mes klubeve apo lojtarëve të përfshirë dhe grupeve të bastexhinjve, duke bërë “oferta” të mirëfillta me ndeshje të manipuluara thuajse në çdo fundjavë. Spadaro mendohet se ka qenë i lidhur me grupin e “bolonjezëve” që komandohej nga Bepe Sinjori, ndërsa Baxani kishte lidhje edhe me Almir Gegiç, lideri i grupit sllav. Rinçi dhe Kuadri janë bashkëpunëtorë të ngushtë të tyre. Sipas prokurorisë, kjo katërshe është përgjegjëse për manipulimin e rreth 90 ndeshjeve të Serisë A, B dhe Lega Pro, nga viti 2009, deri në vitin 2013.
Sistemi me të cilin ato vepronin ishte shumë i thjeshtë: të arrestuarit merrnin informacione direkt nga klubet dhe i shisnin në tregun e zi të basteve kundrejt pagesave të tarifave shumë të larta, deri në 600 mijë euro. Përgjimet e telefonatave kanë zbuluar një seri të gjatë bashkëpunëtorësh të njohur, duke filluar nga drejtues klubesh, e deri tek ish-futbollistë të kombëtares.
Emri më i njohur është padyshim i Gatuzos, që ka komunikuar shpesh me Baxanin, ashtu si Broki. Të tjerë ish-figura të njohura të futbollit italian që dalin nga përgjimet janë Klaudio Beluçi, Davide Bombardini, Leonardo Koluçi, Nikola Mingaxini, Samuele Olivi dhe Lorenco D’Ana. Ndërkohë, ka edhe lojtarë aktivë si Klaudio Terci i Palermos dhe Fabricio Grilo i Sienës që kanë manipuluar së fundmi ndeshje në kampionatin italian. Të gjithë akuzohen për “bashkëpunim kriminal me qëllim mashtrimin sportiv”, arsye për të cilën Guardia Di Finanza ka kontrolluar shtëpitë e tyre gjatë ditës së djeshme.
Deklarata
Gatuzo: Po gjetën gjë, vras veten!
Ish-mesfushori italian ka deklaruar se është krejtësisht i pafajshëm dhe se do të sqarojë sa më parë situatën e tij. “Dua të flas sa më parë me gjykatësit dhe të shpjegoj atë që di. Nëse gjejnë se kam bërë diçka të gabuar gjatë profesionit tim, jam i gatshëm të dal në shesh dhe të vras veten para njerëzve. Nuk do të kisha më kurajën të shihja askënd në sy dhe këto gjëra i them me zemër. Unë për bastet nuk di asgjë, nuk di se si bëhen, nuk më kanë shkuar asnjëherë në mendje. Baxani? E njoh, e njeh gjysma e Serisë A, por nuk kam folur asnjëherë me të”.