Barcelona therret, Reali i pergjigjet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barcelona thërret, Reali i përgjigjet. Dy skuadrat më të mëdha të La Ligës spanjolle e mbyllin vitin kalendarik me fitore jashtë fushave respektive. Barcelona bën një gjysmë mrekullie në Madrid kur përmbys Getafen pasi shkon në disavantazh të dy golave. Ndërkohë, Reali i Madridit merr tri pikët mes polemikash në “Mestaja” përballë Valencias. Heroi i takimit ishte Hese Rodrigez, i cili shënoi golin e fitores në minutat e fundit. Dush i ftohtë – Vetëm tri minuta pasi startoi loja në “Coliseum Alfonso Pérez”, Pike pati një rast të artë për të shënuar. Ky aksion la të kuptohej se pasditja do të ishte e këndshme për Barçën, që shumë shpejt u fut në një makth, prej të cilit vetëm Pedro mund ta nxirrte. Getafe kaloi në avantazh të dyfishtë, duke shënuar në minutën e 10-të dhe atë të 15-të. Në të dy rastet mbrojtja katalanase la shumë për të dëshiruar. Në golin e parë Dani Alvesh nuk kuptoi gjë, pas kombinimeve të bukura të Lafitës dhe Eskuderos. Gjithashtu edhe në golin e Lisandros prapavija e miqve u gjend e papërgatitur. Pas pësimit të këtyre dy golave, Barça kishte vetëm një meritë: nuk u rrëzua.
Pedro shou - Martino vuri re se duhet që të ndërhynte dhe lëvizi diçka në formacion. Fabregas me kalimin e minutave filloi që të tërhiqej më shumë në mesfushë, duke i dhënë më shumë oksigjen këtij reparti që ndihmoi mjaft mirë Pedron në shfaqen e tij personale. Gjithashtu edhe Iniesta u ngjit në “katedër” duke dhuruar spektakël. Në mungesë të Mesit dhe Nejmarit, sulmuesi spanjoll përmbysi rezultatin brenda 8 minutave, duke e mposhtur Mojën plot tri herë. Një parabol, një goditje me hark me të djathtën dhe një gjuajtje të befasishme me të majtën “groposën” Getafen në fushën “Coliseum Alfonso Pérez”. 26- vjeçari shënoi edhe një tjetër gol, që kryesori Majenko nuk e konsideroi si të vlefshëm, duke qenë se sulmuesi ishte nisur në pozicion jashtë loje. Duhet thënë se edhe goli i parë i Barçës nuk ishte rregullt, pasi Sançez nuk ia doli që ta mbante topin brenda fushës pak sekonda para se të niste aksioni deciziv. Në pjesën e dytë, kur të gjithë prisnin një Getafe të dorëzuar, ishte Kastro që rrezikoi. Në minutën e 60-të mesfushori i krahut të majtë poshtëroi Maskeranon dhe goditi sferën që përfundoi pak larg shtyllës. Më pas Barça mbylli çdo histori me anë të Fabregasit, që shënoi dy gola (njërin nga pika e bardhë e penalltisë).
Reali ruan hapin – Valencia, që drejtohej nga pankina nga një trajner që është vetëm 33 vjeç, befasoi duke e nisur mirë lojën. Por Reali nuk i bindet dhe për 10 minuta kthehet në padron të fushës. Aksionin e parë të rrezikshëm e ndërtoi Ronaldo, i cili në minutën e 18- të zgjoi tërë “Mestajën”. Golin e parë të takimit do ta shënonte skuadra mike pak minuta më vonë. Në të 29′, Marselo harkon topin për te Di Maria, i cili pasi driblon dy kundërshtarë shënon me të majtën. Si për t’u treguar kastijanëve se në Valencia nuk e kanë të lehtë të marrin tri pikët, vendësit i ekuilibrojnë shifrat vetëm 6 minuta më pas. Bernat zbret me mjeshtëri nga e majta dhe fut një top të bukur në zonë, aty ku Piati “djeg” Arbeloan për të mposhtur me kokë Lopezin. Pas kësaj rrjete, vendësit rrezikojnë sërish me anë të Bernatit. Por golit do t’i gëzohen miqtë.
Në minutën e 40-të Angel Di Maria ekzekuton një goditje dënimi dhe fut topin në zonë, aty ku Kristiano Ronaldo, në pozicion dukshëm të parregullt, shënon me kokë. Ky ishte edhe aksioni i fundit i pjesës së parë. Sa i përket fraksionit të dytë, Ançeloti nuk ndryshoi asgjë dhe përsëri lojën nën kontroll e morën vendësit. Pas shumë provave, në minutën e 62-të, Matjë shënon golin e barazimit për Valencian pas goditjes së këndit të ekzekutuar nga Lopez. Rrjeta e mbrojtësit u dha shumë zemër të zotërve të shtëpisë, që rrezikuan sërish, edhe pse nuk e gjetën më rrugën e golit. Një gjë të tillë s’mund ta themi për Realin. Ançeloti bën zëvendësimin e duhur në minutën e 73- të kur në vend të Iskos (më i dobëti në fushën e lojës) fut Hesen. 9 minuta më pas ishte pikërisht sulmuesi i ri që, pasi mori një top të bukur nga Modriç, shënoi golin e fitores për vendësit. Kështu, Reali merr një fitore në një fushë si ajo e “Mestaja”-s dhe mban gjallë shpresat për të fituar titullin kampion.
Martino: Mungesat nuk duhet të jenë justifikim
“Minutat e para ishin fatale për ne. Ndonëse kaluam në disavantazh të dy golave, mendoj se meritonim të shënonim, pasi luajtëm mirë për disa minuta”. Gerardo Martino ishte i kënaqur me skuadrën e tij pas takimit. Trajneri argjentinas nuk harroi që të përgëzonte edhe heroin e katalanasve, që u mundësoi miqve “remuntadën” e famshme. “Kjo ishte një ndeshje fantastike për Pedron. Nuk është e thënë që ai të shënojë 3 gola në çdo ndeshje, sepse në fakt golat e tij nuk mungojnë”, – tha 51-vjeçari. Në fund të fjalës Martino përsëriti se ka ende vend për përmirësim te blaugranat dhe konkretisht kërkoi që skuadra e tij të pësojë sa më pak gola dhe të luajë më mirë në repartin e mbrojtjes: “Getafe ishte pozicionuar në fushë ndryshe nga ç’e prisnim ne, por duhet të bëjmë më shumë kujdes në mbrojtje për të shmangur golat. Mungesat nuk mund të jenë një justifikim, por shpresoj që në janar të gjithë do të jenë në dispozicion”.
“Pesë pikë nuk janë pak, Barça dhe Atletiko favorite”
“Ishte një ndeshje e vështirë ku ne luajtëm mirë. Na duhej të luanim me ritëm të lartë për të fituar. Valencia është skuadër me eksperiencë, prandaj edhe vuajtëm shumë për të marrë atë që kërkonim. Rezultati i ditës së sotme ishte shumë i rëndësishëm”. Fjalët e Karlo Ançelotiti pas kësaj ndeshjeje ishin të qarta. Reali i tij nuk e pati aspak të lehtë që të mposhtte një rival që është në krizë financiare. Ndër të tjera, numri një i stolit të Realit komentoi edhe tabelën e klasifikimit, që tregon se Reali është 5 pikë prapa dy skuadrave që mbajnë vendin e parë, Barcelonës dhe Atletikos së Madridit. “Nuk janë pak 5 pikë diferencë. Triumfi që morëm këtu ishte i rëndësishëm për ne, sepse gjendeshim nën presion. E nisëm ndeshjen me tetë pikë diferencë me rivalët tanë. Nuk jam i kënaqur nga pjesa e parë e kampionatit që ka bërë Reali”, – tha Karlo Ançeloti.