Shqiperia pa busull dhe pa fat, thyhet nga Azerbajxhani
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duhet të ishte një test i vlefshëm, por menjëherë sapo gjyqtari italian, Mazoleni fërshëlleu fundin e lojës, miqësorja me Azerbajxhanin u shndërrua në një ndeshje që duhet harruar sa më shpejt. Shqipëria humbi 1-0 përballë skuadrës së drejtuar nga Berti Vogts, gjermani që cilësohet si një prej kandidatëve potencialë për të marrë drejtimin e stolit të boshatisur kuqezi. Një rezultat zhgënjyes, që ka ardhur prej lojës pa ide dhe organizimit të dobët të një ekipi që vuan largimin e “senatorëve” dhe mungesën e trajnerit. Fillimisht me formacionin 4-4-2 dhe më pas me katër lojtarë në repartin sulmues, Shqipëria e teknikut të emergjencës, Xhemal Mustedanagiç, ishte një skuadër pa busull në fushën e lojës. Ndërkohë, vetëm zemra nuk ka mjaftuar që ofensiva e pjesës së dytë të takimit të prodhonte të paktën një gol. Kjo prej mungesës së fatit, por edhe prej mundësive të shumta të shpërdoruara në minutat e fundit, ku lojtarët kuqezi thjesht nuk dinin ta dërgonin topin në rrjetë. Kësaj i shtohet edhe ambienti i ftohtë në “Qemal Stafa”, ku bojkoti i grupimeve të organizuara ka bërë që edhe ata pak tifozë të pranishëm të mos shërbenin si mbështetje për skuadrën.
Mustedanagiç dhe skuadra kishin premtuar lojë sulmuese dhe spektakël, por pjesa e parë e takimit ishte e plogësht, pa emocione dhe pa grintë. Në 20 minutat e para ata nuk arritën të kërcënonin asnjëherë kundërshtarët, ndërsa Azerbajxhani gjeti rrugën e rrjetës që në sulmin e parë. Në minutën e 22-të, kapiteni i azerëve, Sadigov depërtoi bukur, duke çarë mbrojtjen shqiptare dhe shërbeu shumë mirë te Alijev, që i vetëm me Hidin nuk gaboi. Kuqezinjtë provuan të reagonin me Bakaj, Hykën e Salihin deri në fundin e pjesës së parë, por tentativat e tyre nuk mjaftuan për të mposhtur gardianin 19-vjeçar, Popoviç. Në fraksionin e dytë të lojës situata ndryshoi, dhe kjo jo vetëm prej zëvendësimit të Bogdanit nga Vila. Shqipëria e nisi lojën pa asnjë pikë referimi në sulm dhe me inkursione nga krahët, duke i krijuar probleme që në fillim miqve. Në harkun e pak sekondave, Salihi, Roshi dhe Hyka ishin pranë golit gjatë të njëjtit aksion. Starti i vrullshëm i përfaqësueses tonë vazhdon edhe me rastin flagrant të humbur nga Salihi në të 52-ën, kur fare pranë portës, sulmuesi shkodran nuk u koordinua si duhet.
Pas tentativave të shpërdoruara, kuqezinjtë vuajtën edhe mungesën e fatit: gjithçka nisi në minutën e 62-të, kur një devijim i fortë me kokë i Lorik Canës pas harkimit të Bakajt nga goditje këndi, u spastrua nga mbrojtësi Levi në vijën fatale, duke i mohuar golin kapitenit. Në të 72-ën, me aktivizimin e Januzit në vend të Bakajt, Shqipëria kalon me dy sulmues të mirëfilltë në fushë dhe dy sulmues krahu, por edhe kjo lëvizje e guximshme, përveç volumit të lojës dhe rasteve, nuk solli golin. Tentativat e pasakta të Salihit, Roshit, Hykës dhe Januzit i paraprinë shtyllës së Kapllanit, në të 89-ën: i futur në lojë vetëm pak sekonda më parë, sulmuesi i Augsburgut kërkoi goditjen nga distanca, por fati nuk ishte në krahun e tij. Takimi u mbyll me një tjetër rast flagrant të shpërdoruar në sekondat e fundit nga Muzaka, që vulosi kapitullimin e Shqipërisë. Humbja me Azerbajxhanin, por mbi të gjitha loja, treguan se Shqipëria ka shumë punë për të bërë, për zëvendësimin e Skelës, Duros e Lalës, me këtë të fundit që e ndoqi ndeshjen nga tribuna kryesore, përkrah presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe ish-sulmuesit, Alban Bushi.