e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqiperia e De Biazit e nis me kembe te mbare 2014-en...

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiperia e De Biazit e nis me kembe te mbare 2014-en...

Shqipëria e De Biazit e nis me këmbë të mbarë 2014-ën. Në ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit, që qëlloi të ishte miqësore, kuqezinjtë tanë fitojnë 2-0 ndaj Maltës. Suksesi ka ardhur nga dy mesfushorë, Migjen Basha, që ka zhbllokuar shifrat e bardha në minutën e 26-të, pas goditjes me kokë, dhe eurogolit që ka qenë “qershia mbi tortë” e këtij ballafaqimi, me autor Alban Mehën, në minutën e 52-të. Vec këtyre dy “rrjetave”, kombëtarja jonë ka goditur dy herë edhe shtyllën e portës malteze, me anë të Bashës dhe Roshit. Një test i kaluar me sukses, por përgjigjet më mirë se askush tjetër duhet t’i ketë marrë De Biazi, që po mundohet të vërë pikat mbi “I” sa i përket grupit të lojtarëve që do të ketë në fokus për fushatën kualifikuese të “Euro 2016”. Sikurse dihet, Shqipëria ka rënë në një grup mjaft të vështirë, ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia. Kësisoji, llogaritë duhen bërë mirë nga De Biazi dhe të tijtë, që e provuan veten në veprim ndaj maltezëve modestë, ku të paktën kanë “shkundur pluhurin”, për shkak se ishin bërë ca muaj pa luajtur. Ndeshja e fundit, edhe kjo miqësore, datonte më 15.11.2013, kur barazuam 0-0 me Bjellorusinë në stadiumin asnjanës të Antalias.


Nëse i referohemi renditjes botërore të FIFA-s për muajin shkurt, kuqezinjtë tanë janë më superior ndaj maltezëve, cka u duk qartë edhe në fushën e lojës. Shqipëria mban vendin e 55-të, ndërsa Malta është shumë më poshtë në këtë klasifikim mujor të kombëtareve, pikërisht në vendin e 131-të. Kjo ishte përballja e tetë në historikun e të dyja kombëtareve, seria e të cilave zë fill më16.08.1995 dhe vijonte deri në sfidën pararendëse, më 11.02.2009. Bilanci është i tillë tashmë: 5 fitore Shqipëria, 2 barazime dhe 1 fitore Malta. Golaverazhi flet për kuqezinjtë, 14-3. Nga këto, 6 ndeshje janë miqësore dhe dy të tjera kualifikuese për Botërorin 2010.  Në përplasjen e fundit zyrtare (eliminatore) mes Shqipërisë dhe Maltës, kur luhej në “Qemal Stafa”, fitonim me rezultatin 3-0, falë golave të Bogdanit, Klodian Duros dhe Dallkut. Asnjëri prej këtyre lojtarëve nuk është më pjesë e kuqezinjve të drejtuar nga De Biazi, ndërsa asokohe kishim trajner holandezin Ari Han. Luhej për kualifikueset e Botërorit 2010, ndërsa barazonim pa gola në Maltë dhe fitonim, sikurse thamë, 3-0 në kryeqytetin tonë.

SHQIPËRI-MALTË  2-0


Golat: Basha 26′, Meha 52′
Shqipëria: E.Berisha (Shehi 85′), A.Lila, Cana, Mavraj, Agolli, Kace (Memushaj 78′), Basha (Vila 82′), Meha (Abrashi 64′), Rama (Roshi 71′), Hyka, Kapllani (Sadiku 78′). Trajner: De Biazi
Malta: Hog, Muscat, Bezzina, Sciberras (Kristensien 57′), Agius, Fenech, Failla, Misfud (Vella 89′), Schembri (Andrew Cohen 66′), Mintoff, Camilleri (Herrera 90+1′). Trajner:  P.Ghedin
Gjyqtarë: D.Jakimovski, I.Emurli, G.Petreski (Maqedoni)
Kartonë të verdhë: Cana 34′, Kace 69′ / Misfud 54′

Pjesa e parë Ndeshja nis me një rrezik serioz në portën tonë. Pa kaluar katër minuta lojë, sulmuesi kryesor i Maltës, Misfud, fiton një top në mesfushën tonë, përparon dhe vihet përballë Berishës. Godet fort, por për fatin e mirë të kuqezinjve, jashtë. Nuk vonon dhe vjen kundërpërgjigjia jonë. Rama vepron bukur në të majtë të mesfushës, fut një top mbi vijën ballore të zonës malteze, ku Hyka zbulohet bukur, godet menjëherë, por pret në pozicion portieri kundërshtar. Pas këtij momenti loja zhvillohet kryesisht në mesfushë, derisa vjen minuta e 18-të. Shpërthim i Valdet Ramës, që pozicionohet porirtazi me portën malteze, godet fuqishëm, por topi devijohet në këndore. Tre minuta më vonë kemi një skemë të bukur të kuqezinjve. Meha nga goditja e këndit e pason topin mbi vijën ballore të zonës malteze, ku gjendet i zbuluar Hyka. Ky i fundit godet fluturimthi, por pa shënjestrën e duhur.


Pas një insititimi të gjatë, ekzekutimit të disa goditjeve nga këndi, del në dritë edhe goli i parë i miqësores. Alban Meha kroson bukur nga këndi, topi shkon në qendër të zonës kundërshtare, ku Migjen Basha gjendet i lirë dhe me kokë shënon. Vetëm dy minuta më vonë kemi një tjetër rast të mirë për të dyfishuar rezultatin, kur Meha lëshon një goditje predhë tokazi, por topi përfundon shumë pak larg kuadratit maltez. Nga minuta në minutë loja e kombëtares shqiptare rritet, ndërsa bie në sy lëvizshmëria e madhe e lojtarëve, me dhe pa top, si dhe fantazia e befasia nga krahët. Sidomos dyshja Agolli-Rama në të majtë funksionojnë për bukuri, teksa gjenden përherë në mbështetje të sulmuesit Kapllani. Hyka vjen si sulmues i maskuar, i vendosur mes repartit të përparmë dhe mesfushës, duke zhbilancuar prapavijën kundërshtare, e cila vuan presionin e kuqezinjve. Ky fraksion loje mbyllet në ofensivë për tanët, që nuk lëshojnë aspak terren. Valdet Rama dhe Kapllani merren vesh mirë me njëri-tjetrin. Lojtari kosovar kroson bukur nga e majta, topi gjen në pozicion ideal sulmuesin durrsak, që godet me kokë, por cuditërisht jo në rrjetë. Rast i artë për ta cuar në 2-0 rezultatin e ndeshjes, teksa loja zhvillohet vetëm në gjysmëfushën e Maltës. Në dhjetë minutat përmbyllëse të kësaj pjese poirta malteze kthehet në tabelë qitjeje, teksa Meha e “bombardon” ngado, nga distanca.

Pjesa e dytë Nis pa zëvendësime në të dyja skuadrat, por sërish me kuqezinjtë tanë ngulmues në gjysmëfushën malteze. Nuk mund të mungonte edhe “perla” e Alban Mehës, që ka shënuar rregullisht te skuadra e tij, paderborni, madje është kthyer në golashënues të tij. Në minutën e 52-të, mesfushori bën atë që pakkush mund ta mendonte. Në një largësi prej më shumë se 25-metrash, kalibron një goditje sikurse di ai, duke e fluturuar topin me një hark të cuditshëm, por që përfundon në trekëndëshin e portës malazeze. Migjen Bashën e ndalon shtylla e portierit Horg në minutën e 57-të. Goditja e mesfushorit të Torinos është e fortë, por kësaj here fati s’është me të, për të kompletuar dopietën personale të tij. Trajneri De Biazi vendos të bëjë zëvendësimin e parë në minutën e 64-t, duke I dhënë munësinë Mehës të fitojë duatroktijet e ngrohta të tifozërisë, për atë gol të bukur, ndërsa në fushë ka vend për Abrashin. Pas shënimit të golit të dytë loja e humb disi ritmin. Kjo edhe për shkak të njëfarë tërheqjeje të tanëve në mesfushë dhe mungese reagimi të maltezëve. Këta të fundit shfaqen të mefshtë dhe pa forcën e duhur. Në një situatë të tillë qetësie, De Biazi mendon t’i japë disa minuta lojë edhe Roshit, i cili zë vendin e Ramës në minutën e 71-të. Gjashtë minuta më pas kryhen edhe dy zëvendësime të tjera për tanët: Kace-Memushaj dhe Kapllani-Sadiku. Roshi do të trondiste për të dytën herë shtyllën e portës së Maltës, duke konfirmuar epërsinë e thellë të kuqezinjve dhe nivelin e ulët të kundërshtarit. Tetë minuta lojë ka edhe për Vilën, që përmbyll serinë e zëvendësimeve të kryera nga De Biazi në këtë miqësore, ku pati mundësinë të eksperimentonte dhe shihte “në veprim” strategjinë e tij të të luajturit.