E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqiperia do Azerbajxhanin per miqesore

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiperia do Azerbajxhanin per miqesore
Siç gjithnjë, Shqipëria është në emergjencë për sa i përket gjetjes së një ndeshjeje miqësore për përfaqësuesen kuqezi. I njëjti ritual përsëritet vazhdimisht me përpikëri. Edhe kësaj radhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Datë e lirë e UEFA-s është 15 nëntori. Kjo ka vënë në lëvizje Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), e cila është hedhur në kërkim të një kundërshtari,me të cilin kuqezinjtë e trajnerit Josip Kuzhe. Alternativa më e mundshme është një kombëtare e vogël, Azerbajxhani. Tratativat e deritanishme për të gjetur një kundërshtar më me emër në Europë kanë hasur vështirësi. Kjo për shkak të programimit afat gjatë që federatat e mëdha bëjnë.

Nëse do të arrihet në një marrëveshje, atëherë pritet që me shumë gjasa takimi të luhet në qytetin e Korçës, ku u luajt edhe miqësorja edhe miqësorja e humbur 0-1 me Maqedoninë. Ajo e 15 nëntorit pritet të jetë edhe ndeshja e fundit e kuqezinjve për këtë vit. Nëse do të realizohet, kjo do të jetë hera e pestë që ndeshemi me Azerbajxhanin në takime miqësore. Takimi i parë historik midis dy vendeve, ai i 8 shkurtit të vitit 2000, ka qenë një miqësore, por e luajtur në Valeta të Maltës, në kuadër të Turneut "Kupa Rothmans", ku përveç Shqipërisë e Azerbajxhanit, morën pjesë edhe Malta e Andora.

Shqipëria, e drejtuar nga Medin Zhega, e fitoi atë takim të zhvilluar në "Ta'Qali" me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të takimit e shënoi Edvin Murati në minutën e 37-të. Në këtë turne, Shqipëria ka fituar trofeun e dytë ndërkombëtar, pas atij në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946. Në përballjen e dytë, më 27 mars 2002, Shqipëria e drejtuar nga Sulejman Demollari fitoi me të njëjtin rezultat 1-0, falë golit të Igli Tares në minutën e 39-të. Në atë takim janë aktivizuar edhe Arjan Beqaj, Altin Lala, Ervin Bulku, Klodian Duro dhe Erjon Bogdani, të cilët ende luajnë për fanellën kuqezi.

Takimi i tretë daton më 17.08.2005 dhe sërish Shqipëria e drejtuar nga gjermani Hans Peter Brigel ka dalë fituese ndaj skuadrës azerbajxhanase: 2-1. Azeri Takishzahda shënoi në minutën e 2-të për miqtë, ndërsa për Shqipërinë realizuan Alban Bushi në minutën e 28-të dhe Lorik Cana në të 72'. Por përballja e 15 nëntorit me Azerbajxhanin pritet të jetë edhe një hakmarrje e vogël për trajtimin aspak miqësor që na u bë në takimin e katërt miqësor mes dy ekipeve, të zhvilluar në Baku më 19 nëntor 2008, e cila përfundoi me rezultatin 1-1.

Azerbajxhani kaloi në avantazh që në minutën e katërt pas një kundërsulmi që e gjeti të pavëmendshme mbrojtjen tonë. Subasiç doli i vetëm përpara Isli Hidit dhe gjuan tokazi duke e dërguar topin në rrjetë. Kapiteni Ervin Skela barazon 1-1 në minutën e 12' të pjesës së parë. Ndërsa incidenti ndodhi në fundin e pjesës së parë pas protestave për një karton të kuq të marrë nga Elvin Beqiri. Shqiptarët më pas vonuan futjen në fushë në pjesën e dytë, pasi u fol edhe për tërheqje nga ndeshja, një acarim i pakuptueshëm për kartonin e kuq ndaj Beqirit. Presidenti Armando Duka dhe Lutfi Nuri zbritën në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit për të qetësuar situatën. Aktualisht mbetet të presim konfirmimin zyrtar nga FSHF miqësoren e pestë.