e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqiperi-Serbi, kontroll tifozeve nga toka dhe ajri per te parandaluar incidentet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiperi-Serbi, kontroll tifozeve nga toka dhe ajri per te parandaluar incidentet

Në kuadër të masave për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Serbi që do të zhvillohet në 8 tetor në “Elbasan Arena”,  Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki ÇAKO , priti në një takim Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbolit, Armando Duka.

Në takim ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Altin Qato si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku.

Për rreth një orë, Çako dhe Duka kanë diskutuar për marrjen e masave të përbashkëta për zhvillimin sa më normal të ndeshjes , si dhe për të garantuar rendin e sigurinë në çdo hap, që nga mbërritja e lojtarëve, tifozëve, miqve nga Serbia, para , gjatë dhe pas mbarimit të ndeshjes.

Kryepolici e siguroi numrin një të federatës së futbollit, se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat, duke angazhuar të gjitha kapacitetet më të mira të saj , qoftë në burime njerëzore ashtu dhe në  logjistikë.

“Ndeshja me Portugalinë ishte një test për këtë prag sfide dhe ne do të forcojmë akoma më shumë masat me qëllim që të parandalojmë çfarëdo lloj incidenti të mundshëm që mund të ndodhë, – theksoi Çako. –  Masat janë të shumëllojshme, nga toka dhe nga ajri , por i garantoj që të gjithë tifozët se masat e policisë nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo t’i frenojnë ata,  por kanë për qëllim vetëm të garantojnë mbarëvajtjen e kësaj ndeshje duke i ardhur në ndihmë skuadrës tonë kombëtare”.

Nga ana e tij, Presidenti Duka ka garantuar se do të vendosë në dispozicion të Policisë së Shtetit listën me emrat e të gjithë tifozëve që kanë blerë biletë, me qëllim që policia të këtë mundësi të kryej verifikimet e nevojshme.

Në takim u vendos që një grup nga Polica e Shtetit dhe një grup nga Federata Shqiptare e Futbollit të bëjnë vëzhgimin e stadiumit dhe të ambienteve përreth, duke përcaktuar në vend edhe masat konkrete për gjithë pikat e paraqitura në planin e masave.