Shqiperi-Serbi, interes i madh per bileta
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Interes i jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri-Serbi edhe pse ky takim do të luhet pas më pak se një muaji.
Ndeshja përballë ekipit serb ka vënë në lëvizje shumë tifozë të interesuar për ta ndjekur nga afër këtë sfidë në “Elbasan Arena”.
Federata Shqiptare e Futbollit po përballet me një fluks të madh kërkesash edhe pse biletat nuk kanë dalë ende në shitje. Kapaciteti maksimal i impiantit është 12.700 vende, çka do të thotë se gjatë ditëve të ardhshme situata mund të bëhet problematike edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit ka një plan të qartë për shpërndarjen e biletave.
Interesi në rritje për të ndjekur nga afër djemtë e De Biasit është tregues i rëndësisë së kësaj sfide.
Kualifikimi i mundshëm në Euro2016 në një ndeshje ndaj një kundërshtari si Serbia ka një peshë të dyfishtë për të gjithë mbështetësit e Kombëtares, duke e bërë këtë sfidë një nga më të rëndësishmet e historisë së futbollit shqiptar.
Për herë të parë në takimin me Portugalinë, tifozët në “Elbasan Arena” u futën me bileta të dedikuara me emrin e tyre duke treguar në hyrje edhe një mjet identifikues.
Shitja online e biletave për sfidën ndaj luzitanëve rezultoi e suksesshme, prandaj edhe këtë herë pritet që të ndiqet një procedurë e tillë sepse në plan të parë qëndron siguria.
Masat e marra nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me autoritetet e rendit do të jenë të ashpra për të evituar ngjarje të pakëndshme që mund të dëmtojnë Kombëtaren Shqiptare.
Takimi mes Shqipërisë dhe Serbisë do të luhet në datën 8 Tetor në stadiumin e Elbasanit që është kthyer në shtëpinë e skuadrës kuqezi për sfidat eleminatore të Europianit 2016.