e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shpresat sfidojnë Greqinë, Jupi: Punojmë për De Biazin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shpresat sfidojnë Greqinë, Jupi: Punojmë për De Biazin

Trajneri i Kombëtares U-21, Redi Jupi, në konferencën e djeshme për shtyp në "Elbasan Arena" foli për dy sfidat eliminatore të Shpresave, ndaj Greqisë dhe Hungarisë.jupi

Për Jupin nuk kanë shumë rëndësi pikët, pasi tjetër gjë kërkohet nga kjo Kombëtare, por thekson se të tre rezultatet janë brenda në këto dy sfida. Për Jupin, ky është një brez shumë i mirë dhe në të ardhmen 7-8 prej këtyre lojtarëve do të luajnë në Kombëtaren A, ndonëse ai personalisht nuk sponsorizon asnjë për momentin.

Ndër të tjera, Jupi pohon se nën vëzhgim janë edhe rreth 40 futbollistë që aktualisht nuk janë pjesë e Shpresave.

Si paraqitet gjendja e skuadrës në prag të dy ndeshjeve të radhës?

Gjendja është shumë e mirë dhe nuk kemi probleme dëmtimesh, përveç një lojtari që është në mëdyshje, por më shumë shkon drejt rikuperimit. Presim një lojtar të pajiset me dokumente, por ndoshta s'e arrijmë dot në kohë.

Cili është objektivi për dy ndeshjet e radhës të Kombëtares U-21?

Të them të drejtën nuk kemi një objektiv direkt për sa u përket pikëve. Në këto kualifikuese kemi synim për të bërë një ekip të mirë dhe të përgatisim djemtë e rinj, që sa më shumë nga ata të jenë pjesë e ekipit A. Kemi bërë 6 ndeshje deri më tani, duke fituar 2, barazuar po kaq dhe humbur po 2, me një kundërshtar që i ka mundur të gjithë. Edhe vendi i dytë është gati i paarritshëm, por në dy ndeshjet e radhës kemi mundësi për të arritur çdo gjë.

Mendoni se ky është brezi më i artë i kësaj Kombëtareje?

Është një brez i mirë, ku është punuar gjatë, sepse ka 6 vite që investohet nga të gjitha strukturat. Nuk është se u hap dera e hotelit dhe u futën brenda, por është bërë punë kolosale për të arritur deri këtu, pasi gjërat nuk vijnë asnjëherë nga qielli. Një lojtar, që është ndër më të rëndë- sishmit, ka dalë nga një seleksionim në Kamzë. Them se është brez shumë i mirë, edhe pse s'ka pasur rezultate fantastike me moshat.

A do të aktivizohen Manaj, Rashica apo edhe Grezda?

Për Grezdën presim akoma dokumentacionin dhe s'e kemi akoma të gatshëm për efekt dokumentesh, ndërsa Manaj, Rashica dhe gjithë të tjerët janë në dispozicion dhe me shumë gjasa do të aktivizohen, pasi janë lojtarë të mirë dhe i kemi për të luajtur.

Keni ndonjë lojtar të cilin e "sponsorizoni" për Kombëtaren A?

Kombëtarja A momentalisht ka shumë lojtarë. Siç keni parë edhe listën ka futbollistë që kanë mbetur jashtë saj, madje disa nga ata që e kualifikuan Shqipërinë për në Europian. Të thuash që janë edhe 5-6 të tjerë për të shkuar atje, është për të krijuar presion të panevojshëm. Megjithatë, ju garantoj që 7-8, në mos më shumë nga këta të ardhmen e afërt do të veshin fanellën e ekipit kombëtar dhe ndoshta ky është rast unik.

A mund të shpresojmë që Shpresat të jenë furnitorë kryesorë për në Kombëtaren A dhe të ketë sa më shumë lojtarë që luajnë në Shqipëri?

Ky ekip ka 24 lojtarë sot dhe nga këta 22 kanë ardhur nga ekipet e moshave, shqiptare edhe të tjera, përveç Shkallës dhe Sherit. Sot ne kemi 8 lojtarë nga Shqipëria dhe nuk janë pak, të cilët luajnë në Superligën shqiptare dhe disa të tjerë janë produkt i futbollit shqiptar.

Mund të na zbardhni ndonjë emër të ndonjë lojtari që po vëzhgohet dhe mund të thirret nga ju?

Në janar bëmë një turne në Antalia të Turqisë me lojtarë që nuk janë sot këtu, përveç dy prej tyre. Përveç 24 futbollistëve kemi rreth 40 lojtarë që i mbajmë nën vëzhgim dhe i ndjekim, sepse shumë prej tyre janë në moshë të re dhe, në qoftë se nuk i bashkohen ekipit A, do të jenë sërish me ne.

Cili është ylli i skuadrës, sipas jush?

U bë 6 vjet që punoj me moshat dhe kemi eksperienca të këqija nga këta liderët e U-21 dhe në përgjithësi asnjë nga ata nuk përfundon të bëjë diçka, ndaj nuk dua t'i mbyll rrugën asnjërit duke e përmendur (qesh). Në përgjithësi është shumë e vështirë që këta lojtarë, të cilët shfaqen shpejt në U-21 apo U- 19, të kenë një vazhdimësi, kështu që mendoj se ky grup ka shumë dhe nuk kemi ende dikë që të spikasë mbi të tjerët.

Kur do sigurojë Kombëtarja U -21 pjesëmarrjen në kampionatin europian?

Këtu bëhet fjalë për elitë dhe janë pak a shumë po të njëjtat skuadra që shkojnë dhe bëhet fjalë vetëm për 12, ndaj duket një gjë gati e paarritshme për t'u kualifikuar.