'Shperthen' Kapllani, dopiete me Frankfurtin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Edmond Kapllani ka treguar edhe njëherë formën e shkëlqyer që po kalon te FSV Frankfurti në Gjermani. Sulmuesi shqiptar ka shënuar dy gola në fitoren e djeshme të skuadrës së tij, 3-1, ndaj skuadrës së Aue në Bundesliga II. Serinë e golave në këtë takim e hapi Oumari në minutën e 5-të, teksa në të 15-ën në katedër u ngjit Kapllani. Sulmuesi shfrytëzoi më së miri një kundërsulm të ekipit të tij të nisur nga këmbët e Lekie. Ky i fundit ka pasuar për Majkëll Gorlitz, i cili ka pasuar në qendër të zonës për Kapllanin, aty ku sulmuesi kuqezi nuk di të gabojë: devijon dhe 2-0 për vendësit. Por “show” i durrsakut nuk përfundon me kaq.
Një çerek ore më vonë, në minutën e 30-të, pas pasimesh të shumta të lojtarëve të Frankfurtit, në mesfushë është Nils Teikseira ai që gjuan fort nga distanca, por topi pasi ndalet nga portieri dhe një mbrojtës, mbetet sërish në zonë, aty ku në vendin dhe kohën e duhur është sërish Kapllani. Me qetësi, sulmuesi shënon edhe golin e dytë personal dhe të tretin për ekipin e tij. Sakaq, në minutën e 74-t miqtë shkurtojnë diferencën me atë të Konig, por ky gol nuk mjafton për të dalë me pikë nga kjo ndeshje. Pasdite e mirë ka qenë e djeshmja edhe për Shkëlzen Gashin, i cili realizoi golin e vetëm të Grasshopersit në barazimin 1-1 në fushën e Thunit. Mesfushori me tipare sulmuese i Kombëtares shqiptare e pat nisur takimin nga pankina, por në pjesën e dytë, në minutën e 46- të, ai u hodh në lojë, duke ia shpërblyer në njëfarë mënyre trajnerit, pasi shënoi golin e barazimit në minutën e 66-të. Gashi u ndëshkua edhe me një karton të verdhë në minutën e 54-t, ashtu sikundër edhe Amir Abrashi, i cili luajti si titullar dhe mori një të verdhë për ndërhyrje të gabuar në minutën e 78-të. Që të dy lojtarët janë grumbulluar nga De Biazi për dy ndeshjet e radhës me Kombëtaren.