Shpërthen Agostineli: Uroj të mos më kritikoni qëllimisht!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri italian, Andrea Agostineli është parë tejet i nervozuar në koferencën e sotme për shtyp ku ka dalë për të folur para gazetarëve lidhur momentin që po kalon klubi i kuq si dhe për ndeshjen e fundjavës ndaj Vllaznisë.
Agostineli ka marrë vetë fjalën para se të fillonin pyetjet duke shprehur hapur pakënaqësitë për ato që fliten për Partizanin, por edhe për atë personalisht. Ai deklaroi se është i hapur për t'i pranuar kritikat, por uron që mos behen qëllimisht për të demtuar imazhin e tij.
"Përpara së gjithash kërkoj të citoj se përgjatë këtyre 2 ditëve ka pasur një reagim masakrues kundrejt meje në veçanti dhe skuadrës. Dua të sqaroj nga nis ky sulm ndaj personit tim që nga momenti që kam ardhur në krye të Partizanit:
Nuk e di nëse bëhet për Partizanin apo për mua personalisht, por në eksperiencën time 40 vjeçare në botën e futbollit si trajner apo edhe si lojtar ka diçka që më duket se nuk shkon dhe menjëherë dua të jem i drejtpërdrejtë.
Objektivat e Partizanit që nga momenti kur kam ardhur këtu ishte që skuadra të luftonte për titullin kampion, e dinim që nuk ishte e lehtë, por jemi akoma në garë. E dyta na kërkohej të rikthenim tifozët tanë në stadium, pasi kishte shumë zhgënjim. U përballa nga presioni për rezultate edhe pse jam një trajner i huaj dhe kisha pak njohuri për futbollin shqiptar.
Përtej rezultati sportiv që skuadra duhet të arrinte duhet të riorganizoja në tërësi grupin ku gjeta shumë lojtarë "të paprekshëm". Këto dy situata të cilat unë i gjeta shpresoj që kam arritur ti përmirësoj. E para nuk ka më lojtarë të paprekshëm në skuadër. Kam vënë rregull dhe në sjellja është përmirësuar.
Që në momentin që kam ardhur nëse do të kishim shënuar 11 metërshin me Skënderbeun do të ishim ekipi që ka mbledhur më shumë pikë plot 23, ndërsa kemi 21. Askush nuk ka shkruar se jam i vetmi që nuk kam humbur asnjë takim. Për më shumë kam dëgjuar se është bërë dramë ai ndërrim që unë kam bërë në takimin ndaj Flamurtarit, Torasa- Kalari.
Dua të konfirmoj se personalisht i përgjigjem vetëm dhe gjithmonë presidentit Demi Duke i përmbledhur ne kemi një projekt që do të na mbajë gjallë dhe shpresojmë që titullin ta diskutojmë në Korçë, më pas nëse presidenti do të kërkojë një tjetër projekt për të ardhmen jam në dispozicion të tij për të pranuar çdo gjë.
Për të përfunduar dua të citoj diçka, nëse kujtoni Tërbunin kam qenë i pari që kam thënë se ne si skuadër duhet të qëndronim 1 javë në Pukë si dënim, pasi ishte e turpshme.
Kritikat i pranoj dhe jam i ndërgjegjshëm për to, por nëse kritikat bëhen për të dëmtuar personin tim qëllimisht kjo nuk do të më pëlqente aspak. Këtu nuk llogaritet Agostineli apo lojtarët, pasi të gjithë ne ikim dhe ajo që mbetet janë tifozët dhe emblema e klubit", ishin fjalët e teknikut italian.