Shpaloset flamuri i Vorio Epirit në ndeshjen Greqi-Mali i Zi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në momentin luajtjes së himnit grek, gjatë ndeshjes Greqi-Mal i Zi në stadiumin "Karaiskaqi", pjesëtarë të organizatës nacionaliste "Epiri i Veriut 1914" që ishin të pranishëm, kanë hapur një flamur gjigant të Epirit të Veriut, shkruan "Top Channel".
Një flamur propagandistik i ndaluar rreptësisht në ambiente të tilla sportive, njësoj si tymueset apo mjetet e forta të cilat ndalohen që në kontrollet e policisë përpara futjes në stadium.
Por nëse sendet e forta, tymueset apo shashkat janë të përmasave të tilla që edhe mund të evitojnë kontrollet, një flamur gjigant i këtyre përmasave, që edhe regjia e kanalit grek OTE që transmetonte ndeshjen e ka futur në transmetim, ndoshta gabimisht, vështirë të fshihet dhe t'i kalojë kontrolleve të policisë.
Një incident i tillë në ndeshje zyrtare do të kishte pasoja të rënda për vendin organizator, por në rastin e kësaj ndeshjeje që ishte miqësore, delegati i UEFA-s mungon dhe si rrjedhojë nuk raportohet si incident.