Austria kambanë alarmi, mjaft me 9 mbrojtës!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Humbja kundër Austrisë ishte një kambanë alarmi për Kombëtaren. Jo sepse u mundëm, por sepse Shqipëria nuk luajti futboll në pjesën më të madhe të ndeshjes. Sigurisht, shumëkush mund të thotë se Austria është një skuadër më e mirë dhe në fund të fundit ishte një miqësore, por kjo pjesë duhet analizuar me kujdes.
Jemi dakord që të të mundë Austria nuk është fundi i botës, por kur skuadra jonë nuk prodhon futboll, atëherë besoj se ka vend për reflektim. Me gjithë respektin për Lilën, ai nuk mundet kurrsesi që të luajë si mesfushor krahu në të djathtë. Është e tepruar t'i kërkosh të japë më të mirën aty, por ndërkohë kjo penalizon edhe gjithë pjesën tjetër të skuadrës.
Ndërkaq, nëse vëmë re me kujdes, Shqipëria e nisi ndeshjen me një formacion gati me 9 lojtarë me tipare defensive... Kjo është e pabesueshme, po aq sa edhe mënyra se si e trajtoi opinioni sportiv këtë performancë. Nuk kemi pse të heshtim kaq shumë kur shohim paraqitje gati mediokre të skuadrës.
Askush nuk i mohon meritat ee lojtarëve dhe skuadrës për atë që kanë bërë deri tani dhe për arritjen spektakolare në finalet e Europianit, por është koha të përmirësohemi akoma më shumë. Ose minimalisht të qëndrojmë siç ishim, por jo të kthehemi mbrapa duke shpikur skema me nëntë futbollistë me tipare mbrojtëse në formacion...
Trajneri, por edhe shumë të tjerë përpiqen të mbulojnë gjithçka me pjesën e dytë, por në fakt ai i pjesës së dytë duhet të kishte qenë formacioni titullar. Nuk kemi pse denatyralizohemi deri në atë pikë sa të bëjmë eksperimente duke futur në fushë një skuadër pa ide dhe të cunguar deri në atë farë feje sa të mos jetë në gjendje të ndërtojë aksione normale në fazën sulmuese.
Shqipëria sot ka bollëk lojtarësh, por ka edhe cilësi, ndaj duhen marrë në konsideratë të gjitha alternativat. Për këtë motiv gjykoj që duhen përcaktuar mirë objektivat se çfarë duam të bëjmë në ndeshjet miqësore dhe çfarë duam të bëjmë në të ardhmen.
Nëse miqësoret, ashtu sikundër u reklamua me të madhe, janë testi për Europianin, Shqipëria duhet të rishikojë planin që ka për formacion kaq defensiv, sepse kështu nuk shkojmë larg. Nëse miqësoret janë thjesht eksperiment, atëherë De Biazi nuk mund të bëjë dy ndërrime pikërisht në fundin e ndeshjes thjesht sa për justifikim. Austria ka vetëm një "ngushëllim": Thjesht që ishte miqësore, sepse për të tjerat asgjë nuk foli pro nesh...
