Shorti i Championsit, Pep i druhet duelit me të ardhmen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjysmëfinale të nxehta, sido që goglat t'i vënë përballë ekipet. Katër skuadrat e kualifikuara garantojnë ndeshje të nivelit maksimal dhe drithërima për tifozët. Por, para hedhjes së shortit (ceremonia nis sot në orën 11:30), ka edhe nga ato përballje që dëshirohen të evitohen.
Pep Guardiola nuk do të preferonte që të sfidonte të ardhmen dhe të shkonte në Mançester si kundërshtar, pak muaj para se të merrte drejtimin e tyre. Një përballje, që në fakt do të ishte nga ana tjetër e dëshirueshme, duke ditur që bavarezët janë cilësuar si favoritët kryesorë për triumf këtë edicion (nga kompanitë e basteve), ndërsa milionerët e Sitit si ekipi me më pak shanse.
Në Spanjë po kryqëzojnë gishtat që të evitohet përballja mes dy madrilenëve. Arsyeja? Duke u përballur me Sitin dhe Bajernin ka mjaft shanse që ato të përballen në finale dhe që trofeu të luftohet mes dy klubeve iberike. Por të gjitha mbeten në kuadrin e hamendësive dhe llogarive të bëra në letër.
Mançesteri i Pelegrinit po shijon për herë të parë pjesëmarrjen në këtë raund të Ligës së Kampioneve dhe kërkon që të shkojë sa më gjatë, pa u ndier nën presion. Reali do Champions-in për të shpëtuar sezonin zhgënjyes në kampionatin vendës (u eliminua nga Kupa, renditet i treti në kampionat).
Bajerni dëshiron që të largojë Pep Guardiolën me një trofe të rëndësishëm si Championsi, misioni që pati prej ditës së parë në krye të klubit gjerman. Ndërsa Atletiko kërkon që të thyejë tersin, pas dy finaleve të humbura. Kush do t'ia dalë? Duelet mësohen sot, ndeshjet nisin më 26 prill...