Nikolini u jep zemër vlonjatëve: Fitojmë në Laç
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ignacio Nikolini është i bindur se Flamurtari do të marrë maksimumin në Laç. Në një prononcim për "Panorama Sport", uruguaiani e shikon të vështirë ndeshjen e së shtunës, por jo të pamundur. Sipas tij, vlonjatët i kanë të gjitha mundësitë që të marrin një rezultat pozitiv në këtë transfertë delikate.
Sikundër dihet, për kuqezinjtë rreziku ende mbetet, ndaj që të gjithë futbollistët e kanë të qartë se në këto 7 javë të fundit që kanë mbetur, duhet të marrin maksimumin për të siguruar një herë e mirë mbijetesën. Mesfushori sqaron se skuadra mund t'ia dalë, gjithnjë nëse luan si ndaj Partizanit.
"Në fund të kësaj jave do të kemi një ndeshje shumë të vështirë, e cila luhet jashtë fushës sonë. Përballë do të kemi Laçin, një kundërshtar tejet i fortë. Ata kanë bërë mirë deri më tani dhe mbi të gjitha kanë një skuadër me lojtarë që luajnë në grup.
Por edhe ne kemi një grup shumë të mirë futbollistësh, që bëjmë maksimumin. Mirëpo, unë kam bindjen se, nëse do të luajmë ashtu si në ndeshjen me Partizanin, do arrijmë të marrin një rezultat pozitiv. Nuk është mision i pamundur të marrësh pikë në Laç dhe ne këtë jo vetëm do ta tentojmë, por kam bindjen se do ta arrijmë", shprehet fillimisht uruguaiani.
Barazimi - Pika e marrë një javë më parë kundër Partizanit ishte tejet e rëndësishme për vlonjatët. Madje, ai e cilëson si kthesën e madhe. Mesfushori evidenton faktin që në atë takim ekipi jo vetëm mori rezultatin, por tregoi karakter. "Jam i kënaqur për barazimin që morëm përballë Partizanit.
Ishte një pikë e merituar përballë një kundërshtari me emër në futbollin shqiptar, që këtë vit pretendon edhe titullin kampion. Edhe pse në pjesën e parë u ndëshkuam nga një gol, në të dytën barazuam. Besuam deri në fund, derisa erdhi dhe goli i Dalinos (i referohet brazilianit Alvesh).
Ky ishte një barazim shumë i vlefshëm për ne", tha ndër të tjera Nikolini. Mbijetesa - Uruguaiani është i bindur se Flamurtari nuk bie nga kategoria. Mesfushori e pranon se rreziku është ende prezent, por e thotë me bindje se skuadra e tij do të mbetet pjesë e Superiores.
"Ne jemi ende në luftën për mbijetesë dhe deri në fund do të jetë e vështirë, pasi tani gjërat sa vijnë dhe bëhen më të vështira. Por duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe marrë pikë, ne do të qëndrojmë në Superiore. Besoj te karakteri dhe te forca e grupit, por edhe te dëshira e të gjithëve për të bërë të gjithë së bashku më të mirën për të arritur objektivin", përfundoi Nikolini.