e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shoferi Fatmir Hoxha e pengoi kryekomisar Adem Tahirajn ne perballjen me Ilir Xhakjen

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shoferi Fatmir Hoxha e pengoi kryekomisar Adem Tahirajn ne perballjen me Ilir Xhakjen
Kryekomisar Adem Tahiraj, është penguar nga shoferi i tij, Fatmir Hoxha, në menaxhimin e përballjes me Ilir Xhakjen më 13 shtator. Lajmin e bën të ditur Panorama. Gazeta shkruan se dy policët kanë qëndruar duarkryq kur Ilir Xhakja ka mbërritur i nxehur në vendin e ngjarjes, pasi ishte ndaluar nipi i tij, Ledian Krasnaj. Pasi ka shkuar aty, Xhakja ka pasur një konflikt verbal me sharje, fyerje dhe kërcënime në adresë të shefit të komisariatit të Shijakut. Me të njëjtën monedhë i është përgjigjur edhe Tahiraj. Në këtë kohë mësohet se Fatmir Hoxha ka hyrë në mesin e tyre dhe në shumicën e kohës ka qëndruar me fytyrë nga shefi i tij, Adem Tahiraj.

“Hoxha akuzohet se ka vepruar si një individ që hyn për të ndarë e jo si një efektiv policie, që duhej të neutralizonte personin me armë pa leje,” thanë burime nga hetimi.

Sipas tyre, më i rëndë është momenti i pesë të shtënave. Duke shfrytëzuar qëndrimin e shoferit në mes, Ilir Xhakja i ka vënë dorën në shpatullën e majtë Fatmir Hoxhës dhe duke u fshehur pas trupit të tij, ka nxjerrë dorën e djathtë në anën tjetër, duke shkrepur pesë herë armën në gjoksin dhe brinjët e komisarit. Adem Tahiraj, ndonëse me armë në dorë, ka qenë i penguar për të vepruar pasi nëse qëllonte, rrezikonte jetën e shoferit të vet dhe së dyti ka qenë i penguar pasi ka pasur përpara Fatmir Hoxhën dhe nuk ka mundur të shohë veprimet e Ilir Xhakjas. Hetimi thotë se edhe pasi ai ka qëlluar mbi kryekomisarin, sërish dy policët nuk kanë bërë asgjë.