e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shkodran Mustafi te Valencia?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shkodran Mustafi te Valencia?

Menaxheri i Valencia-s, Nuno, ka konfirmuar interesin që klubi i tij ka për mbrojtësin e Sampdoria-s, Shkodran Mustafi.  Ai tha se 22 vjeçari Mustafi, është një nga lojtarët të cilët do të bëhen pjesë e skuadrës së  Valencia-s përpara fillimit të sezonit të ri. 

“Ai është një kampion bote”, tha Nuno. “Ëndrra jonë është të futemi në Champions League vitin e ardhshëm dhe mendoj se është e mundur. Shpresoj se ëndrra jonë do të bëhet realitet dhe se fansat do ta shijojnë sezonin e ri. Jam i sigurt se kur të vijë 24 gushti, ne do të jemi më të fortë dhe më të armatosur se kurrë.  Do ti bëjmë fansat të ndihen krenar për ne”, shtoi ai. 

Sipas medieve italiane, transferimi i Mustafit te Valencia është thjesht një çështje kohe. Mustafi, futbollisti i parë me origjinë shqiptare që u shpall Kampion Bote në botërorin e 2014-ës në Brazil, do të marrë një shumë prej afërsisht 8 milionë eurosh që do të paguhen në dy vitet e ardhshme. Ky ishte propozimi që spanjollët i bënë klubit italian i cili duket i kënaqur me një shumë të tillë. Kampioni i botës me Gjermaninë do të largohet kështu nga Seria A për tu përballur me lojtarë si Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo.