e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

11 blerjet me te shtrenjta te merkatos se veres

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
11 blerjet me te shtrenjta te merkatos se veres

Teksa po i afrohemi fillimit të sezonit të ri futbollistik 2014-2015, është e natyrshme që ekspertët e futbollit të nxjerrin një bilanc të asaj çfarë ka dhuruar merkatoja futbollistike e verës. Edhe pse mungojnë diçka më pak se 30 ditë nga gongu final i mbylljes së merkatos, mund të themi se shumë prej skuadrave thuajse kanë marrë formën e tyre përfundimtare. Duke analizuar panoramën e transferimeve, në çdo repart të fushës mund të rreshtojmë skuadrën apo 11 lojtarët që kanë kushtuar më shumë në këtë merkato vere. Padyshim, transferimi më i shtrenjtë deri më sot, këtë sezon është ai i Luiz Suarez nga Liverpuli tek Barcelona.

Bomberi uruguajan u ka kushtuar katalanasve plot 81 milionë euro. Pas tij vjen transferimi i James Rodrigues nga Monako tek Real Madridi. Kampionët e Europës, për të bërë të tyrin kolumbianin kanë derdhur në arkat e skuadrës së principatës franceze plot 80 milionë euro, vetëm 1 më pak se sa i kushtoi Barcelonës Suarez. Por, le ta nisim rreshtimin e skuadrës nga porta deri në sulm. Në portë, transferimi më i shtrenjtë është ai i portierit Jan Oblak tek Atletiko Madrid. Nënkampionët e Europës paguan në arkat e Benfikës plot 16 milionë euro. Në mbrojtje, skuadrat angleze mbajnë rekord këtë sezon.

PSG bleu nga Chelsea mbrojtësin David Luiz për vlerën 50 milionë euro. Më tej ishin tre mbrojtësit e Southamptonit që ndërruan fanellë. Fillimisht mbrojtësi i majtë, Luke Shaw, që iu bashkua djajve të kuq për vlerën 37,5 milionë euro, të njëjtën rrugë ndoqi mbrojtësi i djathtë Calum Chamber, por ky u transferua tek Arsenali për vlerën e 20,2 milionë euroë. Së fundmi ishte qendërmbrojtësi i Southemptonit që iu bashkua Liverpulit. Skuadra e kuqe pagoi 25,3 milionë euro tek Southempton për të siguruar kartonin e lojtarit. Në mesfushë kemi tre lojtarë, ku më i shtrenjti është padyshim James Rodriguez, 80 milionë euro. Në qendër të mesfushës ishte sërish Real Madridi që ka bërë blerjen më të shtrenjtë në atë repart, duke siguruar nga Bayern Munich, Tony Kroos, i cili u kushtoi madrilenëve 30 milionë euro, ndërsa në krahun e djathtë është Manchester United, e cila ka shënuar blerjen më të shtrenjtë në këtë repart. Skuadra e Van Gaal siguroi Ander Herreiran për vlerën e 36 milionë eurove, të cilat “shëndoshën” arkën e Athletico Bilbaos.

Në sulm, veç Suarezit janë shënuar dhe dy blerje të tjera mjaft të kushtueshme. Fillimisht është qendërsulmuesi kampion i Spanjës, Diego Costa, i cili braktisi Atletiko Madridin për Chelsean dhe blutë paguan për bomberin 38 milionë euro. Ndërsa i dyti është transferimi i Alexis Sanchez nga Barcelona tek Arsenal për vlerën e 37,8 milionë eurove. Deri më sot mund të themi se klubet angleze kanë qenë më të lëvizshmet në këtë merkato vere, pas tyre janë Barcelona dhe Real Madrid. Gjithashtu duhet kujtuar se ky formacion mund të ndryshohet mjaft shpejt, pasi siç dihet, Real Madridi është gati të përfitojë 75 milionë euro nga PSG për transferimin e Di Marias, si dhe po Real Madridi është gati të bëjë çmendurira për të siguruar bomberin Falcao.