e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shkodra permbytje ne heshtje

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shkodra permbytje ne heshtje
Hapja e portave të HEC-ve ka vënë Shkodrën dhe rrethinat e saj si në gjendjen e vitit 2010. Por këtë herë banorët janë të braktisur. Nuk janë lajmëruar. Nuk kanë ndihma. Pse heshtin qeveria dhe opozita. Kostoja e dëmeve.

Nënshkodra por edhe vetë Shkodra me të gjitha gjasat do të zgjohet sot në ujë pas shkarkimeve nga të katër anët. HEC-et e Drinit i hapën portat. Banorët nuk janë lajmëruar. Nuk ka më ndihma. Nuk ka situatë emergjence. Nuk ka transmetime live nga media. Nuk ka politikanë në zonat e mbytura. Tirana ka halle të tjera. Zallamahia e koalicioneve të reja, ka lënë KESH-in pa drejtor. Ministri i ri Energjetikës sapo ka marrë detyrën. Reshjet nuk po pushojnë. Kështu që rezultati dihet. Shkodra do të përmbytet, po qeveria ka një arsye të jetë më e qetë. Është e sigurt që nuk do të ketë viktima në njerëz, pasi tashmë banorët e atyre zonave janë kanë marrë dorën. Kanë dy muaj që gjumin e bëjnë me radhë. i kanë varkat për shtëpi. Rrobat i kanë të lidhura. Opozita po hesht se ka mbartur fajin me vete, pasi LSI e ka menaxhuar për katër vite me radhë sektorin e energjisë. Po as qeveria nuk ka fytyrë të përballet me banorët, pasi nuk i shpërndau kurrë dëmshpërblimet e përmbytjeve të mëparshme.

Shkarkimet

Në orët e para të ditës se djeshme Fierza nisi të shkarkonte 500 metër kub për sekondë. Niveli kishte arritur rekord, në 296.5 metra, në një kohë që niveli maksimal lejon 296 metra. Mirëpo shkarkimet nga portat dhe turbinat kur përplasen në Vaun e Dejës i kalojnë mbi një metër kub për sekondë. Sipas informacioneve të mbasdites, harta e përmbytjeve i ka kaluar të 8 mijë hektarët. Specialistë të Fierzës bëjnë të ditur se rregullorja e këtij hidrocentrali parashikon fillimin e shkarkimeve në kuotën e 290 metrave, por për shkak të shmangies së përmbytjeve shkarkimet janë shmangur deri mbrëmjen e një dite më parë, kur ishte i detyrueshëm fillimi i shkarkimeve. Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u mblodh grupi i punës për përballimin e situatave emergjente. Përfaqësues të METE-s, KESH-it, OST-së dhe CEZ-it bënë një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes elektroenergjetike, duke raportuar të dhënat nga terreni për kushtet klimaterike, prurjet e ujërave dhe shkarkimet nga liqenet e HEC-eve në kaskadën e lumit Drin.

Banorët

Banorët e zonës shprehen të revoltuar, sepse askush nuk i kishte lajmëruar për hapjen e portave dhe rritjen e shkarkimeve. Ata tregojnë se janë lënë pa asnjë ndihmë në këtë situatë ku vërshimi i ujit ka shkatërruar të mbjellat, por edhe bazën ushqimore. Ndërkohë, shkarkimet e larta nga hidrocentralet mbi Drin kanë rritur nivelin e ujit edhe në zonat që prej ditësh qëndrojnë të përmbytura, si Oboti, Gorica dhe  Shirgji. Si pasojë e rritjes së shkarkimeve, rruga nacionale e komunave Dajç dhe Velipojë është bërë e pakalueshme.  Ndërsa në qytetin e Shkodrës, dalja e liqenit ka përmbytur edhe rrugën pedonale, në zona të caktuara, pasi rrjedha e fortë e Drinit  nga hapja e portave pengon shkarkimin e liqenit në lumë.

Ndryshe nga herët e tjera, përmbytja e Ultësirës Perëndimore në këtë periudhë, në këtë fillim pranvere, vjen me kosto më të mëdha për bujqësinë e zonës. Për shkak se një pjesë e tokave tashmë janë të mbjella me kulturat e pranverës dhe pjesa tjetër ishte në përgatitje për mbledhjet e sezonit të verës, që zakonisht ndodhin në këtë periudhë. Ekspertët e Bujqësisë shpjegojnë se dëmet në këtë sektor do të jenë të  pallogaritshme, nëse përmbytjet vërshojnë edhe në sipërfaqe të tjera toke, nga sa kanë zënë deri më tani. Bujqësia në këtë zonë është e zhvilluar ndjeshëm dhe përfaqëson kultura të shumëllojshme, që nga perimet, zarzavatet, gruri, misri etj. Reshjet në këtë periudhë përveç që do të vonojnë në mbjelljen e kulturave të pranverës, do të bëjnë të papërdorshme dhe për disa kohë tokën e përmbytur.