e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kukan: Zgjedhjet, vendimtare per te ardhmen e Shqiperise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kukan: Zgjedhjet, vendimtare per te ardhmen e Shqiperise
Brukseli u kërkon partive dhe politikanëve shqiptarë që t’i vlerësojnë zgjedhjet e 23 qershorit si vendimtare për perspektivën europiane të vendit. “Imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit, e ardhmja e procesit të integrimit europian do të varen shumë nga këto zgjedhje: si do organizohen ato, cila do të jetë ecuria dhe si do të pranohen rezultatet e tyre nga forcat që marrin pjesë në këto zgjedhje.

Pra, unë mendoj se kjo është plotësisht në përgjegjësinë e politikanëve, nëse ata janë me të vërtetë të interesuar për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Sigurisht, ata thonë se janë për këtë, por duhet që edhe me sjelljen e tyre të jenë të përgjegjshëm e në përputhje të plotë me këtë rrugë, duke pasur si kryesore në punën e tyre interesat e popullit e të vendit”, – tha dje për “AS” Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të PE-së. I pyetur se si i komenton tensionet politike në Shqipëri edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, Kukan përgjigjet se për zgjedhjet duhet bashkëpunim.

”Unë jam në dijeni të konflikteve që kanë atje partitë politike. Por po i kthehem prapë asaj që thashë. Kemi gjithashtu edhe shembuj të tjerë. Për shembull, këto parti që nuk kanë besim te njëra-tjetra kanë punuar, megjithatë, së bashku për procesin e liberalizimit të vizave. Pra, ky shembull tregon se partitë politike edhe në Shqipëri mund të punojnë së bashku dhe të kenë një sjellje të përgjegjshme kur është fjala për të ndihmuar njerëzit. Pra, kështu është e mundur të arrihen rezultate, ndryshe kjo do të ishte e pamundur. Ne jemi duke ndihmuar dhe këshilluar. Unë jam i bindur se të gjitha institucionet europiane duan të shohin progres në Shqipëri, por ai mbetet për t’u bërë nga vetë partitë dhe politikanët shqiptarë”, – tha ai.