Shifra të frikshme, në Korçë varen nga Hamdi Salihi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skënderbeu i këtij sezo nivaret nga Hamdi Salihi. Njeriu gol, ende pa u mbyllur sezoni, po kap shifra të frikshme për një sulmues në kampionatin shqiptar.
Nga korriku i 2015-s, kur luajti për herë të parë me fanellën bardhekuqe në Ligën e Kampioneve, e deri në prill të këtij viti, bomberi shkodran ka luajtur 36 ndeshje dhe ka arritur të shënojë 32 gola.
Kryegolashënuesi i kampionatit shënon nga çdo pozicion, por gjithashtu me të dyja këmbët, me kokë, por natyrisht edhe nga goditjet e 11-metërshave. Nga 32 golat e shënuar deri më tani, 12 herë sulmuesi ka dërguar topin në rrjetë pas goditjes me të djathtën.
Më pak gola ai ka realizuar me këmbën e majtë, vetëm 6. Kjo këmbë nuk është e preferuara e shkodranit, pasi interesant është fakti se më shumë ka shënuar me kokë: 7 herë. Gjithashtu ka qenë i saktë në 7 penallti, ndërsa ka humbur vetëm një në kampionat. Salihi ka qenë vendimtar për Skënderbeun, edhe atëherë kur ka nisur ndeshjet nga stoli.
Pikërisht është rasti i Superkupës së Shqipërisë kundër Laçit, kur u aktivizua në pjesën e dytë dhe arriti të shënojë dy herë. Që Skënderbeu i këtij sezoni është i varur nga sulmuesi 32- vjeçar, këtë e tregon edhe transferta më delikate që korçarët patën në këtë fillim të fazës së katërt. Pa shkodranin në fushë, kampionët humbën në Kukës.
Golat europianë - Nëse Skënderbeu ka thyer një tabu për kampionatin tonë, duke u bërë ekipi i parë që merr pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, pa dyshim që pjesën më të madhe të meritës e ka Salihi, autor i pesë golave në ndeshjet paraeliminatore të Ligës së Kampioneve.
Që në debutim kundër Krusadersit shënoi dy gola në atë fitore 4- 1 të Skënderbeut në Korçë. Si një makineri golash, ai do të përsëriste dopietën edhe ndaj Milsami Orheit në turin tjetër paraeleminator. Nuk u ndal me kaq, por ndaj moldavëve shënoi edhe në ndeshjen e kthimit.
"Mëkati" i vetëm i këtij bomberi ishte mosprania në ndeshjet e kthimit kundër Dinamos së Zagrebit, por gjithashtu edhe mosshënimi i ndonjë goli në ndeshjet e grupeve të Ligës së Europës. Kampionati - Pavarësisht dëmtimeve që nuk e kanë lënë të qetë, Salihi nuk ka falur asnjë ekip në Superiore. U ka shënuar të gjithëve të paktën nga një herë.
Sulmuesi i Skënderbeut ka realizuar 24 herë më 23 ndeshje të luajtura deri më tani në kampionat. Gjahu i tij i preferuar deri në këto momente mbetet Laçit. Skuadrës kurbinase Salihi i ka realizuar plot pesë gola në tre takime, kurse pas tij vjen Flamurtari, që me tripletën e ndeshjes së fundit shkon në katër gola. Ndërsa Partizani është klubi që Salihi i ka shënuar më pak në këtë sezon, vetëm një gol. Por ai i realizuar në humbjen 1-2 në "Qemal Stafa" ishte më i bukur për shkodranin gjatë këtij kampionati.