Shi eurosh per klubet shqiptare 550 mije jane vetem per kampionin

'Shi eurosh' per klubet shqiptare, 550 mije jane vetem per kampionin

Shpërblimet

Liga e Kampioneve – Pjesëmarrja në turin e dytë eliminator për ekipin shqiptar siguron 300 mijë euro, ndërsa 250 mijë euro i jepen çdo skuadre kampione që nuk shkon në fazën në grupe

Europa League – Shpërblimi i UEFA-s fillon nga 200 mijë euro për turin e parë, për t’u rritur me 10 mijë euro në secilin nga tri turet pasardhëse, deri në shumën 230 mijë euro të play-off

FSHF – Fitimi i Kategorisë Superiore çon në arkat e klubit fitues shumën prej 10 milionë lekësh, ndërsa fituesi i Kupës së Shqipërisë shpërblehet me 5 milionë lekë nga FSHF-ja

 

 

Klubet shqiptare do të kenë përfitime më të larta nga pjesëmarrja në Kupat e Europës në sezonin e ardhshëm, edhe nëse nuk kalojnë asnjë tur. UEFA ka rritur shpërblimet për skuadrat që marrin pjesë në aktivitetet e saj, duke filluar nga turet paraeliminatore, në të cilat luajnë rregullisht ekipet shqiptare. Falë kësaj rritjeje, ekipi Kampion i Kategorisë Superiore për këtë edicion, do të mbulojë pjesën më të madhe të shpenzimeve të sezonit.

UEFA publikoi dje rritjen e të ardhurave nga aktivitetet që organizon, si dhe vendimin për t’ua shpërndarë përsëri një pjesë të madhe klubeve për edicionet 2015-2018. Nëse për klubet e mëdha diferencat mund të mos jenë shumë domethënëse, për klubet e vogla që marrin pjesë në turet paraeliminatore dhe që nuk shkojnë asnjëherë në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve apo Europa League, si ato shqiptare, rritja e zyrtarizuar dje i mundëson të përballojnë më mirë investimet për një sezon.

Për tri edicionet e ardhshme, ekipi Kampion i Shqipërisë, i cili futet direkt në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, do të përfitojë 300 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen. Në turin e tretë e pret një shpërblim prej 400 mijë eurosh nëse nuk kualifikohet, pasi nëse kalon këtë fazë dhe arrin në play-off, fitimet do të jenë shumë më të mëdha. Për fituesin e play-off të Ligës së Kampioneve, UEFA tashmë paguan menjëherë 2.5 milionë euro si shpërblim, ndërsa 12 milionë euro të tjera i jepen sapo fillon faza në grupe e turneut. Edhe klubi humbës ka fitime të ndjeshme, pasi përveç kalimit direkt në fazën në grupe të Europa League, merr një shpërblim prej 3 milionë eurosh. Gjithsesi, duke marrë për shembull skuadrat e vendeve të vogla që nuk kanë arritur asnjëherë qoftë edhe në play-off të këtij turneu, si ato shqiptare, UEFA ka vendosur një pagesë të re solidariteti. Në tri sezonet e ardhshme, çdo ekip kampion që nuk kualifikohet në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve do të përfitojë një pagesë prej 250 mijë eurosh. Kjo do të thotë se skuadra kampione e Shqipërisë, në rastin më të keq të mundshëm, ku nuk kalon asnjë tur në Ligën e Kampioneve, do të përfitojë 550 mijë euro. Po t’i shtosh kësaj shume “minimale” edhe shpërblimin prej 10 milionë lekësh që shpërndan FSHF-ja për ekipin Kampion, atëherë ekipi fitues i Superiores do të ketë të mbuluara më shumë se gjysmën e shpenzimeve të sezonit.

Një rritje domethënëse kanë pësuar edhe shpërblimet e skuadrave që marrin pjesë në Europa League. Klubet shqiptare, si ata që sigurojnë pjesëmarrjen nëpërmjet kampionatit, ashtu edhe ai që fiton Kupën, marrin pjesë në turin e parë eliminator. Shpërblimi për këtë tur është 200 mijë euro, ndërsa pagesa rritet me 10 mijë në secilin prej tri tureve pasardhëse, për të arritur në 230 mijë euro në play-off. Klubet shqiptare kanë arritur të shkojnë deri në play-off më parë (Kukësi dhe Skënderbeu në sezonin 2013-2014), por këtë radhë do të kenë një incentiv më të madh për të kaluar në fazën në grupe të Europa League, pasi do të kenë të garantuar menjëherë 2.4 milionë euro si shpërblim nga UEFA.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama