e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shfryu pas humbjes me Shqipërinë, Evra urrehet nga francezët

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shfryu pas humbjes me Shqipërinë, Evra urrehet nga francezët

"France Football" ka hartuar një listë me 10 futbollistë që sportdashësit francezë urrejnë më shumë, mes të cilëve habit fakti që nuk bën pjesë sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema, edhe pse ky i fundit është përfshirë në një seri skandalesh.

img1 - Marko Materaci

Imazhet e goditjes me kokë që Zinedin Zidan i jep mbrojtësit italian në finalen e Botërorit 2006 bënë xhiron e botës në pak sekonda. Në Francë kurrsesi nuk e falën dhe s'do ta falin provokimin e Materacit që në atë periudhë ishte lojtar i Interit.

2 - Samir Nasri

Mesfushori i Sitit nuk ishte pjesë e Kombëtares franceze për Botërorin 2014, por reagimi i ashpër i vet lojtarit ndezi nervozizmin e sportdashësve: "Nuk do të kthehem të jem më pjesë e Francës, as sikur në pankinë të ulej babai im".

3 - Matjë Valbuena

Për lojtarin në fjalë arsyet për ta urryer janë shumë. Pikësëpari, Valbuena ka qenë gjithmonë një lojtar i urryer për faktin se simulon shumë gjatë ndeshjeve, duke ekzagjeruar me gjestet e tij. Së dyti, urrejtja për të është shtuar shumë në lidhje me skandalin e videos seksuale që e përfshiu së bashku me Benzemanë dhe, së treti, tifozët e Marsejës, nuk ia falën kurrsesi kalimin e tij te Lioni, aq sa në "Velodrom" e pritën duke shpalosur një manekinë të varur, me foton e Valbuenës.

4 - Frenk Riberi

Imazhin e francezit e njollosi jo pak çështja "Zahia", një prostitutë minorene, me të cilën jo vetëm Riberi kishte pasur marrëdhënie.

5 - Patris Evra

Pas humbjes kundër Shqipërisë, në "Elbasan Arena" Evra shpërtheu kundër shokëve të skuadrës, ndonëse ky gjest nuk u pëlqeu shumë tifozëve: "Ndonjëherë më duket se shumë prej nesh nuk e kuptojnë sa me fat janë, që bëjnë këtë profesion, por sërish ka shumë nga ata që nuk e respektojnë fanellën e kombëtares. Personalisht prisja një reagim të fortë nga ana e Deshampit që nuk erdhi. Habitem sesi e pranuam kaq lehtë këtë disfatë, por shpresoj që të zgjohemi sa nuk është vonë".

6 - Harald Shumaker

Gjatë Botërorit spanjoll të vitit 1982, Franca përballej me Gjermaninë, por në këtë takim një imazh do të mbetej përjetë në histori. Në një dalje jashtë zonës së tij, portieri i "pancerave" bën një ndërhyrje shumë të dhunshme ndaj sulmuesit francez Batison, i cili përfundon në tokë pa ndjenja.

7 - Tiago Mota

Ish-lojtari i Barcelonës, Interit dhe aktualisht te PSG-ja kritikohet shpesh për agresivitetin e tij të tepruar në fushë. Sportdashësit transalpinë e shoqërojnë urrejtjen ndaj italo- brazilianit me një video, ku Mota godet me parakrah në fytyrë një lojtar të Lionit.

8 - Fabris Flores

Kalimi i tij nga PSG-ja te Lioni tronditi shumë tifozë.

9 - Brandao

Problemet e tij fizike dhe legale në Marsejë nuk e ndihmuan. Agresiviteti i tij jashtë fushe gjithashtu. Aq sa në Francë për të thonë se të mos ishte për emrin, asnjë nuk do ta besonte që ai ishte brazilian.

10 - Emir Spahiç

Në Ligën 1 ka luajtur vetëm 57 ndeshje, por në to grumbulloi 16 kartonë të verdhë dhe 3 të kuq, shifra që mjaftojnë për ta bërë një lojtar të urryer.

Përgatiti: JETON STAMOLLA