Sherri me Kandrevën, Tare sqaron mesazhin me gazetarin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë përplasje me futbollistin Antonio Kandreva në seancën stërvitore të pak ditëve më parë, në ndeshjen kundër Gallatasarajit.
Në një prononcim për "Mediaset Premium", para ndeshjes mes Lacios dhe Sasuolos (0-2), Tare është shprehur se nuk ka asgjë për të sqaruar, pasi mes tij dhe Kadrevës nuk ka pasur konflikte dhe se "sherri" i pretenduar është sajuar në media.
"Pas ndeshjes mora një mesazh nga një gazetar dhe i shpjegova atij që mos të abuzojë edhe pse do të shpikin diçka menjëherë. Në fakt, ditën tjetër doli kjo e sherrit të pretenduar. Nuk kam asnjë respekt për gënjeshtarët, për atë që nuk thotë gjëra të vërteta dhe për atë që ka qëllime të këqija. Nuk ka pasur kurrë asnjë zënkë dhe asnjë debat. Kjo nuk është gazetari, por gjëra të sajuara",-ka deklaruar Tare.
Reagimi i tij vjen pak ditë pas lajmit të publikuar në disa media italiane se "Tare ka kapur për fyti Kandrevën".
Ndër të tjera, Tare ka shtuar se këtë çështje do ta çojë edhe në gjykatë. Drejtori sportiv i Lacios ka folur edhe për objektivat e skuadrës, duke u ndalur tek pjesëmarrja në kupat e Europës.