e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shehu: Agostineli e kuptoi, fitues me recetën e Bobit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shehu: Agostineli e kuptoi, fitues me recetën e Bobit

Ish-lojtari dhe trajneri i Partizanit, Ylli Shehu, në një prononcim për "Panorama Sport", pohoi se "demat" kanë filluar ta gjejnë formën edhe nën drejtimin e trajnerit italian.ylli shehuPër Shehun, këshillat e Starovës për Agostinelin e dhanë efektin, pasi të kuqtë në derbi shfaqën mentalitetin e "Bobit". Ish-sulmuesi deklaroi se Partizani ia ka marrë dorën Tiranës këto kohët e fundit. Ndërsa për titullin ai pohoi se të kuqtë e kanë vetë në dorë, por në fazën e katërt hynë në lojë edhe aleancat.

Sipas Ylli Shehut, asnjë ekip nuk ia del i vetëm, prandaj Partizanit i duhen edhe aleancat për të dalë kampion në fund.

Si e pa Ylli Shehu derbin e fundit Partizani-Tirana?

Trepikëshi i bëri shumë punë Partizanit, kjo ishte e rëndësishmja në këtë sfidë. Pastaj, së fundmi, "demat" sikur ia kanë marrë dorën Tiranës në derbi. Në sfidën e fundit, bardheblutë nuk ishin në formë.

Në kuadrin e gjashtë ditëve, nga barazimi në Pukë te Tirana, skuadra u transformua totalisht. Si e shpjegoni këtë ndryshim kaq të shpejtë?

Mobilizimi duhet të ketë qenë më i madh se në ndeshjet e tjera, plus që edhe interesi për këtë takim është më i madh. Por edhe vetë lojtarët kanë filluar ta ndiejnë më shumë rëndësinë e derbit, gjë e cila bën që ata të jenë më të karikuar në ndeshje të tilla. Besoj se ka ardhur koha që ekipi të përshtatet dhe ta tregojë veten edhe me trajnerin italian. Gjithnjë kur vjen një trajner i ri duhet kohë që komponentët të përshtaten. Them se lojtarët e kanë përfunduar fazën përgatitore nën drejtimin e Agostinelit.

Mund të themi se Partizani diktoi ndaj kundërshtarit duke mos i lënë asnjë shans?

Të kuqtë u treguan më energjikë se në ndeshjet e tjera, gjë e cila nuk u pa te Tirana. Duke u bazuar te derbi, mendoj se lojtarët po i kthehen formës së tyre optimale. Duke qenë të tillë, Partizani i Agostinelit mund të jetë më i fortë në pjesën në vazhdim, pasi edhe organika është e plotë për ta përballuar me sukses kampionatin.

Ndryshimi i klimës në javën e derbit, ku trajneri italian darkoi me paraardhësin e tij, apo rikthimi i bashkëpunimit mes drejtuesve i dha frytet në derbi?

Ndryshimi i klimës sigurisht ka ndikuar për mirë. Ka pasur biseda mes italianit dhe Starovës, kështu që njohja ka qenë më e madhe për ta përballuar me sukses derbin. Mendoj se Agostineli e ka kuptuar se nuk ia del i vetëm, duke mos e njohur realitetin dhe për këtë arsye është ulur me këmbë në tokë duke u konsultuar me paraardhësin e tij.

Në stadium u dha ideja se në derbi u duk dora e "Bobit". A mund të themi se Agostineli e pati të gatshme recetën fituese?

Dora e Starovës ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës në ekip, por kësaj radhe mbase ekipi luajti me mentalitetin e ish-trajnerit të pjesës së parë të sezonit. Sigurisht, Starova, si njohës i mirë i kampionatit tonë, por edhe vetë Tiranës, do t'i ketë treguar sekretet Agostinelit si të dalë fitues në derbi. Mendoj se Sula do t'i ketë dhënë sugjerimet e tij për markimet e lojtarëve të veçantë, si dhe sekrete të tjera që ai i ka përdorur në përballjet e mëparshme ndaj Tiranës. Edhe pas kësaj jave, diferenca me Skënderbeun mbetet 4 pikë.

Duke ditur se mbeten edhe 12 ndeshje për t'u zhvilluar, sa shanse ka Partizani për të fituar titullin?

Partizani e ka komplikuar vetë çështjen e titullit, pasi ka lënë pikë me skuadrat më të dobëta, ndërsa me rivalët kryesorë ka bilanc pozitiv. Me korçarët janë kokë më kokë, ndaj Tiranës dhe Kukësit janë superiorë, por kanë lënë pikë me Tërbunin, Bylisin, Flamurtarin dhe Vllazninë. Bilanci përfundimtar me këto ekipe mund të rëndojë, ashtu si vjet, por nëse luhet si në derbi, gjithçka është e mundur dhe e realizueshme.

Pra, sipas jush, të kuqtë e kanë vetë në dorë daljen kampion?

Duke ditur kalendarin e mbetur, ku dy herë do të përballen direkt me Skënderbeun, normalisht që Partizani e ka vetë në dorë fitimin e titullit. Tani kërkohet që skuadra e trajnerit italian të jetë më e kujdesshme. Partizani i ka të gjithë komponentët e duhur për të ecur përpara. Për korçarët kemi thënë se janë skuadër më taktike, ndërsa të kuqtë i janë përgjigjur me fizik. Faza e katërt është më e lodhshme, pasi ndihet ngarkesa, por Partizani është më i favorizuar, pasi ka stol të kompletuar dhe ka luksin që të lërë në pankinë apo në tribunë edhe titullarë. E shkuara ka treguar se në fazën e katërt përcaktues bëhen edhe faktorë të tjerë, siç janë aleancat.

Druheni se kjo histori mund të përsëritet edhe këtë sezon?

Këto gjëra janë bërë normale në futbollin tonë. Për një gjë jam i bindur, se në Shqipëri asnjë ekip nuk ia arrin t'ia dalë i vetëm. Kështu që po nuk pate aleatë, kryesisht skuadra të mesit të tabelës, nuk arrin të fitosh titullin. Prandaj edhe Partizanit i duhet të gjejë aleatët e tij, pasi i vetëm nuk mund t'ia dalë për të realizuar qëllimin final.

Përgatiti: ILIR CARA