e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shehri: Dënimi smë heq të drejtën të jap mendimin tim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shehri: Dënimi smë heq të drejtën të jap mendimin tim

Deklarata e Dritan Dervishit nuk është kaluar në heshtje nga Sajmir Shehri. Saimir-Shehri-658x370Reagimi i shefit të administratës së Tiranës ka qenë i menjëhershëm kundër drejtorit të të kuqve. Ai ka sqaruar se mendimi i tij është totalisht personal dhe fakti që është i dënuar nuk i heq kurrsesi të drejtën që të japë opinionin e tij.

"Meqenëse drejtori sportiv i Partizanit është marrë personalisht me mua, edhe unë do t'i përgjigjem personalisht. Ndaj dua ta ritheksoj që reagimi është personal dhe jo në emër të klubit! Ylli i kuq me pesë cepa është simbol i 'triumfit të komunizmit në pesë kontinentet', siç thoshte 'udhëheqësi i dashur'. Dhe kur ky i fundit e vendosi në fanellën e klubit në fjalë, në 1946-ën, nuk e vendosi në nder të yjeve të flamurit amerikan, siç thotë folësi.

Sa për dënimin tim 'shembullor', desha të sqaroj se do ta kryej me kënaqësi, por ky dënim nuk mund të më detyrojë që të mos e them mendimin tim. Gjithashtu, është shumë domethënës fakti që folësi i qan hallin 'Tironës', për prezencën time si bashkëpunëtor i zotit Halili. Është në rolin e një lideri të vërtetë dhe për këtë gëzon respektin tim maksimal", thotë drejtori i Tiranës për "Panorama Sport" si kundërreplikë për Dervishin.

E gjithë kjo histori me replika dhe kundërreplika ka nisur pas vendimit të Partizanit për të kthyer stemën e vitit 1946, ku bie në sy ylli i kuq me pesë cepa. Shehri dha opsionin e tij, duke i cilësuar rivalët e përjetshëm nostalgjikë për simbolet e komunizmit. Dhe, për më tepër, atij nuk i la shije të mirë pasi vjen pas 25 vitesh demokraci.