e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shega Ligori terhiqet nga politika, debat me Ramen per listat

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shega Ligori terhiqet nga politika, debat me Ramen per listat
Deputetja e qarkut të Elbasanit poston në Facebook mesazhin e saj. “Mirënjohje qytetarëve që mbështetën grevën tonë të urisë”. Deputetja e qarkut të Elbasanit, Shega Ligori, deklaroi dje tërheqjen nga politika aktive. Ligori, si e vetmja femër në listën e PS në qarkun e Elbasanit, u propozua që të ishte në vendin e shtatë ose tetë të listës së kandidatëve për deputetë në këtë qark. Mësohet se ajo nuk e ka pranuar këtë pozicion dhe ka vendosur të tërhiqet nga politika. Vendimi për t’u tërhequr duket se është marrë pas një takimi që deputetja ka zhvilluar me kryesocialistin Rama ditët e fundit.

Deputetja socialist ishte caktuar nga Asambleja Kombëtare dhe shtabi elektoral në qark që të mbulonte organizimin e zonave zgjedhore që përfshijnë bashkitë e Cërrikut dhe Belshit. Dje, përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social “Facebook”, Ligori shpreh mirënjohje dhe falënderime për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këto vite, Grupin Parlamentar, betejat e zhvilluara dhe sigurisht, grevën e urisë së Partisë Socialiste për hapjen e kutive më maj 2010. “Në përfundim e sipër të mandatit tim si deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë dhe teksa po përmbyllen listat e kandidatëve për legjislaturën e ardhshme, dua t’ju bëj të ditur vendimin tim për t’u tërhequr nga politika aktive. Do t’i rikthehem profesionit të avokatit, që e ndërpreva 4 vjet më parë.

Nuk ka qenë një vendim i lehtë për mua, por besoj se është i duhuri. Mirënjohje Partisë Socialiste, kësaj familjeje të madhe e fisnike që më besoi një detyrë të lartë dhe të nderuar. Shpresoj shumë ta kem merituar besimin që më falët. Mirënjohje qytetarëve të qytetit tim të lindjes, Elbasanit. Mirënjohje qytetarëve të Cërrikut dhe Belshit. Krenare që ju kam përfaqësuar!”, shkruan në mesazhin e saj Ligori.

Anëtarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve ishte një nga protagonistet e grevës së urisë së Partisë Socialiste për votën e lirë pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Ajo që bie në sy në mesazhin e Ligorit është mungesa e një falënderimi për kryesocialistin Rama, edhe pse shpreh mirënjohje për çdo aktor dhe faktor që ka bashkëpunuar me të në këto katër vite të mandatit të deputetit.

“Mirënjohje të gjithë qytetarëve që u bashkuan në betejat tona opozitare, në protesta e demonstrata e deri te greva e urisë e atyre grave e burrave që sakrifikuan gjithçka në betejën për votën e lirë. Mirënjohje e respekt për ata njerëz të pafajshëm që humbën jetën më 21 janar në mbështetje të kauzës sonë. Mirënjohje Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për angazhimin opozitar, dinjitoz dhe të vështirë në këto katër vjet. Mirënjohje për familjen e të afërmit që më qëndruan pranë dhe më mbështetën. Një ndjesë të sinqertë për të gjithë ata që mund t’i kem prekur me pa të drejtë gjatë veprimtarisë sime politike”, shkruan Ligori në mesazhin e saj.