e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shansi për të blinduar vendin e tretë, Duro sdo blof

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shansi për të blinduar vendin e tretë, Duro sdo blof

Pas tri fitoreve radhazi brenda dhe në transfertë, trajneri i nënkampionëve të Shqipërisë, Klodian Duro, kërkon fitoren e katërt në seri dhe revanshin për të mbrojtur vendin e tretë në kampionat.duro Sipas teknikut, skuadra ka bërë përgatitje maksimale, ndaj dhe nuk e tremb as koha e shkurtër për të përgatitur takimet dhe as kundërshtari.

Edhe pse përpara është një përballje e lehtë në letër, në realitet është një skuadër që u ka "hapur punë" ekipeve të kreut, ndaj fitorja është rruga e vetme për Kukësin.

Vini pas një fitoreje, por patët vetëm 3 ditë kohë për ta përgatitur këtë takim. Përbën problem për ju kjo ngjeshje e kalendarit?

Normalisht që do të ishte mirë që të kishim një javë të plotë në dispozicion për të përgatitur këtë ndeshje, por që për ne nuk përbën problem dhe kaq kohë. Kjo sepse në futbollin e sotëm janë të njohura këto fenomene. Tërbuni i ka hapur probleme Kukësit në fazën e shkuar, duke i marrë barazimin.

Si e vlerësoni këtë përballje?

Nuk ka ndeshje të lehtë në kampionat, pasi për një skuadër si ne, që lufton për objektiva madhorë, duhen vetëm fitore. Të arrish te fitoret është gjithmonë e vështirë, e në këtë kuadër edhe kjo ndeshje nuk bën përjashtim. Megjithatë, ne futemi në fushë për ta fituar.

E keni studiuar kundërshtarin dhe a ia dini pikat e forta dhe të dobëta?

Shikoj çdo ndeshje të ekipeve me të cilat do të përballemi dhe si e tillë, kam parë dhe Tërbunin. Është e vërtetë që është një nga ekipet që u ka hapur punë skuadrave të kreut, por ne kemi bërë përgatitjet e duhura për ta zgjidhur këtë ndeshje e për të marrë tri pikët.

Ndeshjen e fazës që shkoi Kukësi e mori lehtë dhe e nënvlerësoi. A keni nxjerrë mësime?

Ne e vlerësojmë maksimalisht takimin dhe jemi me këmbë në tokë, por, nga ana tjetër, Kukësi ka një skuadër që ka ndryshuar shumë nga atëherë, që tashmë e merr çdo takim shumë seriozisht dhe futet në fushë vetëm për fitore.

Nëse do të fitoni këtë takim, do të arrini fitoren e 4-t të "ultimatumit" të presidentit. Pas kësaj, do të mbetet vetëm me kaq?

Duke parë punën tonë, ne futemi në këtë përballje vetëm për fitore që besoj do të përkojë me serinë e 4 fitoreve që dhe presidenti na ka thënë më parë. Nuk do të ndalojmë me kaq, pasi do të vijojmë përditë duke punuar më shumë, me qëllim që në fund të marrim atë që duam dhe atë që na takon, pjesëmarrjen në Kupat e Europës nga kampionati.

Keni presion tani që jeni në vend të tretë për ta ruajtur, apo presioni shkon mbi Tiranën dhe Teutën?

Ne po punojmë që t'i marrim ndeshjet një nga një dhe të marrim maksimumin prej tyre, ndaj nuk dua të merrem me kundërshtarët. Ne nuk kemi presion, përkundrazi përgatitemi qetësisht nga java në javë.

Duke parë kalendarin, mendoni që mund të shkëputeni sadopak nga dy ndjekësit më të afërt?

Mjafton që ne të fitojmë, të bëjmë detyrën tonë dhe nuk më intereson se si do të dalin kundërshtarët. Nga ana tjetër, sigurisht që ne duke vazhduar në këtë njëtrajtshmëri rezultatesh, do të vijë edhe momenti i ecjes sonë më lart në renditje, kështu që vendi i tretë do të jetë i sigurt.

Përveç rezultateve, edhe fati ka qenë me ju, pasi e keni pasur skuadrën të plotë, pa mungesa dhe pa dëmtime. Do të jetë një plus për ju edhe në këtë sfidë?

Që pas fazës përgatitore në Ulqin, çdo gjë ka shkuar mirë, pasi nuk kemi pasur mungesa dhe çdo gjë në lidhje me futbollistët ka shkuar siç duhet. Për këtë fakt unë jam shumë i kënaqur dhe shumë i lumtur, pasi që atëherë ne nuk kemi pasur asnjë dëmtim që të na kushtëzojë në lojë, përveç rasteve që kemi pasur ndonjë mungesë për shkaqe kartonësh.

Po me tifozët si i keni marrëdhëniet, a janë ata të kënaqur me skuadrën?

Mendoj që po, pasi skuadra po bën maksimumin për të arritur vetëm rezultate të mira, që të vazhdojë të ecë më lart dhe të kënaqë vetveten, si dhe tifozët e saj. Na kanë mbështetur shumë dhe u bëj thirrje që të jenë sa më të shumtë në shkallët e stadiumit, pasi ata janë lojtari ynë i dymbëdhjetë dhe një armë shtesë e jona. Besoj se e kemi justifikuar besimin e tyre.