Shameti i shokuar: Nuk e ofendova arbitrin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bardhyl Pashaji duket se është i fiksuar për të nxjerrë me karton të kuq mbrojtësin e Kukësit, Ylli Shameti. Kjo është hera e tretë që ndodh brenda dy sezoneve.
Por, nëse për ndeshjet e viteve të kaluara me Kukësin mbrojtësi është ndëshkuar nga Pashaji me karton të kuq për ndërhyrje, dje arbitri e ka nxjerrë lojtarin nga fusha për shkak të një përplasjeje me njëri-tjetrin.
Mirëpo, në bisedën për "Panorama Sport" pas ndeshjes, Shameti mohon të ketë ofenduar arbitrin. "Është e habitshme, por i njëjti gjyqtar më ndëshkon me të kuq për një arsye absurde.
Pas faullit ndaj Bardhit, nuk i kam folur aspak gjyqtarit, thjesht jam kthyer në drejtim të tij, duke menduar se nuk meritoja të ndëshkohesha me të verdhë për një ndërhyrje të tillë. Mirëpo, shikoj që më nxjerr direkt karton të kuq.
E pabesueshme kjo që po më ndodh me këtë arbitër. Nuk e kam ofenduar, nuk i kam thënë asnjë fjalë. Gjithsesi, e ndiej si detyrim t'i kërkoj ndjesë klubit, trajnerit, shokëve të skuadrës dhe tifozëve për këtë ndëshkim të pamerituar. Më vjen keq që do të mungoj në ndeshjen e radhës", ka thënë Shameti.