Hoxha: Fituam me lojë dhe rezultat, gara e hapur
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kapiteni Alban Hoxha, pas ndeshjes me Kukësin, pohoi se Partizani bindi me lojë dhe rezultat, gjithsesi ai pranoi se i druhej përsëritjes së historisë së takimit me Vllazninë.
Ndonëse rivalët janë ankuar për favorizime të "demave" nga gjykimet, Hoxha nuk kërkon të polemizojë.
Mbrëmë Skënderbeu ka fituar edhe me ndihmën e gjyqtarit, por kapiteni i kuq nuk ka dashur të polemizojë, por është i bindur se gara mbetet e hapur dhe Partizani do t'ia dalë në fund.
Alban, më në fund Partizani rikthehet te trepikëshi në kampionat...
Sot (dje) ishte një ndeshje e mirë, pasi ne patëm edhe rezultatin dhe e dominuam Kukësin edhe në lojë. Megjithatë, edhe ndaj Laçit e Flamurtarit kemi zhvilluar takime të mira, por nuk kemi pasur rezultat. U rikthyem aty ku i takon Partizanit: te fitorja dhe te loja e bukur.
Keni fituar, por sërish vuani. Pse ndodh kjo?
Po vuajmë për të dalë te fitoret. Edhe në dhomat e zhveshjes këtë gjë po diskutonim me djemtë. Duhet që të krijojmë më shumë dhe të mos humbasim shumë aksione përpara porte. Duhet të luftojmë deri në minutën e fundit në çdo takim. Kjo ka qenë pak e vështirë për ne.
Në minutat e fundit patët frikë se mund të përsëritej historia e takimit me Vllazninë, ku fitorja u iku nga duart në limitet e sfidës?
Kishim frikë, pasi goli mund të hyjë në çdo moment, qoftë në minutën e parë apo edhe në të fundit. Eksperienca e hidhur në Shkodër na bëri që të ishim më të përqendruar deri në fund të sfidës me Kukësin.
Korçarët janë ankuar në fillim të sezonit se Partizani fiton vetëm me penallti. Por tani janë ata që bëjnë këtë gjë, madje edhe janë favorizuar në ndeshjen e fundit me Tiranën...
Mendoj që penalltitë e Partizanit kanë qenë të rregullta. Ne morëm disa penallti rresht gjatë fazës së parë dhe të gjithë folën për këta 11- metërsha. Tani janë duke na u mohuar penalltitë, mbase ngaqë arbitrat u vunë nën presion. Nuk mund të flas për penalltitë e Skënderbeut. Flas për ekipin tim, ka takime plot dhe shpresoj që të vazhdojmë në këtë rrugë.
Pothuajse të gjitha ekipet i janë vërsulur Partizanit për favorizime arbitrash, madje edhe Kukësi u ankua për penallti të padhëna. Ka ndonjë luftë ndaj "demave", apo është strategji presioni?
Nuk di çfarë të them. Për mendimin tim, gjykimi sot ka qenë mjaft korrekt dhe nuk kam ndonjë gjë që mund të them për këtë pjesë. Në çdo ndeshje po bëjnë gabime kundër nesh, ndaj kemi edhe ne ankesat tona. Sa u përket pretendimeve të Kukësit për penallti të mohuara, nuk jam aspak dakord. Madje, për njërin nga rastet, mendoj se gjyqtari duhet të kishte ndëshkuar me karton të verdhë kundërshtarin për simulim.
Skënderbeu fitoi falë një gabimi të arbitrit, që u pranua edhe nga vetë korçarët?
Më vjen mirë që te Skënderbeu e pranojnë, por unë shoh Partizanin dhe më duhet të them se kemi pasur shumë probleme me arbitrat.
Mbeteni sërish 4 pikë larg Skënderbeut, si e shikoni garën për titull?
Gara për titull kampion është ende e hapur. Ne si Partizan besojmë plotësisht dhe jemi të bindur që do t'ia dalim në fund të kampionatit.