e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Servet Pellumbi: Bojkoti i PS i sherben Sali Berishes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Servet Pellumbi: Bojkoti i PS i sherben Sali Berishes
Zoti Pëllumbi, po hyjmë në një sezon të ri politik, i cili ka risjellë në vëmendjen publike të njëjtat tema të nxehta, si hetimi i zgjedhjeve apo ligji për SHISH. Si e komentoni momentin politik që kalojmë?

Momenti i tanishëm politik nuk është gjë tjetër veçse një edicion vjeshtor i krizës politike të nisur në vjeshtën e vitit të kaluar. Është një mungesë totale e efektivitetit të politikës dhe e besimit reciprok nga të gjitha krahët e saj. Më copë mund të thuhet, se në Shqipëri nuk bëhet politikë, por ka vetëm përplasje interesash, sherre, grindje, garë se kush kujt do t’ia hedhë më parë. Politika, siç dihet, është marrëdhënie, dialog, urë komunikimi, marrëveshje, gjetje e zgjidhjeve optimale të përbashkëta. Fatkeqësisht, këto tek ne nuk quhen shprehje substanciale të politikës. Populli që, si rregull, i paguan të gjitha “harxhet”, vazhdon të jetë i hutuar, i zhytur në hallet e veta dhe nuk po di se kujt t’ia prishë dhe kujt t’ia ndreqë në procesin e manipulimit që po i bëhet kur i flitet vetëm për suksese e radhitje të Shqipërisë gjithnjë e më afër kreut të listës së shteteve më të zhvilluara! Realisht ai po njeh një anë tepër të errët të demokracisë pluraliste, thelbi i së cilës nuk është ekzistenca e shumë partive dhe e lirisë anarkiste, por sigurimi i ekuilibrit, dialogut dhe stabilitetit të shoqërisë. Kjo i mungon shoqërisë sonë edhe në këtë vjeshtë kur presim që të tjerët të na vlerësojnë me heqje të vizave.

Opozita vjen në këtë takim të ri vjeshtor pas një viti të gjatë kontestimi të zgjedhjeve, një bojkotimi gjashtëmujor të Kuvendit , një greve urie 20 ditore dhe një numri lëvizjesh që kanë synuar afirmimin e pozicionit të saj politik. Si e gjykoni performancën e PS në këtë vit të parë pas zgjedhjeve, që lamë pas?

Partia Socialiste i bëri të gjitha ato veprime, që përmendët ju në pyetjen tuaj, madje i bëri me tepri. Normalisht, në një vend demokratik nuk ka nevojë për masa të tilla radikale si bojkotimet e zgjatura dhe aq më pak për greva urie masive, por do të mjaftonte artikulimi i qartë i kërkesave dhe gatishmëria për të bashkëpunuar për zgjidhjen e tyre në rrugë demokratike institucionale. Kjo është arsyeja që , jo vetëm unë por dhe plot të tjerë kanë pasur rezerva për disa nga taktikat e PS-së. Ndërkohë, ndodhi ajo që pritej më pak: qëndrimi refraktar i maxhorancës, që me ligj ka përgjegjësinë për të siguruar zgjedhje të lira, raporte normale me opozitën dhe funksionim demokratik të institucioneve. Nuk pati asnjë lloj bashkëpunimi të frytshëm për të realizuar transparencën e zgjedhjeve të 29 qershorit 2009 që kërkoi opozita, në përputhje me të drejtën e saj. Madje, rëndom dëgjohej që të thuhej: ”kemi një shumicë, qeverisim dhe pa opozitë”. Për rrjedhojë, të dyja palët mbetën në pozicionet e adoptuara një vit më parë, pa lëvizur asnjë hap në drejtim të njëra-tjetrës. Edhe pse nuk munguan ndërmjetësimet, darka në “Krokodil”, por dhe presionet nga institucionet më të larta evropiane.

Në asnjë vend demokratik e me politikanë të përgjegjshëm, nuk ndodh një shkallë e tillë papërgjegjshmërie politike. Prandaj viti i parë pas zgjedhjeve nuk “flet”mirë për performancën e opozitës, por është e sigurt që “flet” shumë keq për qeverisjen Berisha 2, që kujton se mund të “mbretërojë” pa pasur një shumicë plotësisht legjitime, duke përçarë popullin dhe duke shpërfillur opozitën. Qeveria ka menduar dhe vazhdon të mendojë se përgjigja më e mirë ndaj krizës politike që ka mbërthyer vendin, është të fitojë kohë, që koha të ç’vlerësojë kërkesat e opozitës dhe të “shërojë” krizën ekonomike. Arsyetim foshnjarak, që çon në një humbje fatale për të gjithë, pavarësisht nëse njëri betohet se është i “djathtë” që s’njeh tërheqjen, kurse tjetri krenohet që s‘është i “majtë”, por do t’u kthehet mitingjeve!

Është për të ardhur keq se nuk është nxjerrë asnjë mësim nga një vit “xhirimi kot në vend-numëro”, sepse po shohim, edhe këtë vjeshtë, që palët po zhyten përsëri secila në “barrikadën e vet luftarake”, duke bërë qitje me fishekë “manovre korrupsioni” në adresë të njëra-tjetrës. Çfarë duan realisht lidershipet përkatëse, askush nuk po e merr më vesh... Ata që besojnë në zot, e shohin të udhës të thonë: ”Një zot e di se ku po e çojnë këtë vend politikanët”! Po të tjerët, sidomos inteligjencia, pse preferon më tepër heshtjen?

Debati i brendshëm në Partinë Socialiste është fokusuar kryesisht tek mungesa e pretenduar e mendimit ndryshe dhe tek efektiviteti i lidershipit të kryetarit Rama. A ka , sipas jush, mungesë lirie në PS e sotme?Cili është opinioni juaj për lëvizjen e Mendimit Ndryshe , që ka lindur brenda partisë?

Realisht në Partinë Socialiste nuk shoh asnjë lloj debati të mirëfilltë. Madje, nuk është bërë ndonjë debat serioz as për strategjinë politike që po ndjek ajo dhe as për taktikat në funksion të saj. Nuk po ndodh një gjë e tillë, as për atë që do të bëhet e pritet të ndodhë në një periudhë të ardhshme afatmesme. Për çështje të tilla, do të kishte kuptim që të inkurajohej edhe mendimi ndryshe. Në të vërtetë në PS qarkullon një “mendim ndryshe i pretenduar” dhe ndonjë “mocionist arrivist” që vazhdon të “fërkojë duart ”, meqë nuk po e lëviz njeri nga Kryesia dhe sekretariati i saj!

Tregues i keq për “mendimtarët ndryshe”, nëse këtë e marrin si respekt për “mendimin ndryshe”. Por do të ishte edhe më keq në qoftë se drejtuesit e PS-së do të vazhdonin ta shihnin me frikë ç’do ndryshim në strukturat drejtuese të Partisë, se mos u thonë: “Po mbytni mendimin ndryshe”! Lëvizja për “Mendim Ndryshe” (LMN) është një emër i madh, pas të cilit qëndron një grup i vogël, aspak koherent, që nuk mund të përfaqësojë kurrsesi mendimin ndryshe dhe aq më pak një Lëvizje, përderisa si objektiv ka pasur dhe vazhdon të ketë vetëm ndryshimin e lidershipit të PS-së, sipas motos karrieriste: ”Ik ti të vij unë”. Asgjë më tepër.

Si ka qenë, sipas jush, drejtimi që i ka bërë Partisë zoti Rama?

Zoti Rama ka ndjekur rrugën institucionale, është zgjedhur nga dy kongrese dhe përmes votimit “një anëtar një votë”, prandaj është legjitim dhe nuk ia ka rrëmbyer kujt atë post partiak, që në vetvete, përbën një detyrë të vështirë dhe me shumë përgjegjësi para një partie të madhe siç është PS-ja. Për punën që ka bërë dhe po bën, për vendosmërinë që po tregon për mbrojtjen e demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira në Shqipëri, meriton respekt dhe mbështetje. Veçse, i qëndroj vërejtjes që e kam bërë edhe më parë (dhe që ia kam thënë vetë edhe Ramës drejtpërsëdrejti), se atë e joshin si tepër disa “novacione” që qarkullojnë në “odat”e qarqeve të caktuara të Internacionales Socialiste, mbi rrugët e” treta dhe të katërta”dhe mbi zëvendësimin që tani të partisë masive dhe të strukturave partiake, me iniciativat qytetare dhe rolin e mediave.

Përqëndrimi më tepër tek puna për shëndoshjen e PS-së në bazën e saj, nëpërmjet një lëvizjeje, të ngjashme në formë, me atë të “Dialogut me Shqipërinë”mund të ishte, besoj, një sugjerim dashamirës për Z.Rama si kryetar i PS-së, që ndodhet para zgjedhjeve vendore dhe parlamentare, më pas apo njëherësh, në majin e vitit të ardhshëm. Pa këtë, pa forcimin e partisë, edhe sikur të hapen kutitë, nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe për sigurimin e fitores së dëshiruar.

A duhet të kandidojë për një mandat të katërt në bashkinë e Tiranës Edi Rama, apo mendoni se tashmë ka ardhur koha që ai ta këpuste këtë “litar”që ia mban duart të lidhura, edhe në raport me detyrën tjetër, atë të kreut të opozitës?

Është një pyetje që po bëhet shpesh dhe mendoj se ka ardhur koha që të marrë një përgjigje, veçse jo nga mediat dhe jo nga individë që vetëm mund të hamendësojnë. Përgjigjen duhet ta japin institucionet e PS-së dhe vetë Zoti Rama. Kjo , mendoj, se ka për të ndodhur disi me vonesë, sepse duhet zgjedhur me kujdes midis “këputjes së litarit”, që e mban të lidhur z.Rama pas bashkisë, për të mos u marrë sa duhet me partinë , siç u shprehët ju në pyetjen tuaj dhe nga ana tjetër, qenies së tij kandidatura më e fortë, më e përshtatshme e fituese e PS-së për herë të katërt të kreut të bashkisë së Kryeqytetit. Gjithsesi, strukturave partiake dhe vetë zotit Rama u duhet të llogaritin mirë e me përgjegjshmëri të lartë politike edhe koston e një humbjeje, që do të ishte e dyfishtë.

Po përvijohet një qëndrim brenda opozitës, sipas të cilit pa hetimin e plotë dhe korrigjimin e defekteve të zgjedhjeve të shkuara nuk duhet të ketë pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme. Me çfarë kushtesh konkrete duhet të hyjë, sipas jush, PS në zgjedhjet vendore?

Nuk di që të jetë përvijuar ndonjë qëndrim i tillë. Hetimi i zgjedhjeve të kaluara është një kërkesë, që edhe pa u hapur kutitë për ta bërë atë të plotë dhe transparent për këdo, ka dhënë frytet e veta. Tashmë, opinioni, brenda dhe jashtë vendit, është sensibilizuar në një shkallë të konsiderueshme në lidhje me deformimet serioze të votës së elektoratit më 29 qershor 2009. Opozita është në të drejtën e saj duke vazhduar të kërkojë transparencë të plotë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka filluar të mendojë dhe të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Unë mendoj se bojkotimi i zgjedhjeve nuk është dhe nuk mund të jetë opsion i PS-së. Madje, as “hipotezë pune”.E vërteta është se qeveria Berisha e ngacmon një çështje të tillë nëpërmjet mediave afër saj, apo edhe ndonjë “mendimtari ndryshe” në PS. Për koalicionin Berisha-Meta do të ishte e dëshirueshme një mos pjesëmarrje e PS-së në zgjedhjet vendore, prandaj për ta shtyrë drejt një hapi të tillë ekstrem vazhdon edhe refuzimi i kërkesave të saj të ligjshme.

Kështu , sipas gjykimit të tyre aspak demokratik , së pari, do të mbyllej përfundimisht çështja e zgjedhjeve të kaluara;së dyti, do të lehtësohej vazhdimi i etiketimit të opozitës si komuniste, që është kundër zgjedhjeve, sepse do marrjen e pushtetit me rrugë revolucionare;së treti, do të shtinin në dorë gjithë pushtetin vendor dhe kjo do të përdorej nga koalicioni PD-LSI për të qëndruar me lehtësi në pushtet për aq kohë sa zoti do t’i japë“ymër Berishës”( siç e ka deklaruar vetë Berisha disa herë). Ëndrra të tilla, si rregull, janë të denja për regjimet totalitare që nuk njohin hapësira për opozitën. Ndërkohë, opozita nuk ka për të rënë në grackën e bojkotimit të zgjedhjeve vendore, por duhet të hyjë për ti fituar ato.

Para pak ditësh LSI largoi nga qeveria ministrin e saj të ekonomisë, post që e mori zoti Meta. Si e shihni këtë postim portofolesh, si një shenjë krize të brendshme të kësaj partie, apo si një riformulim të natyrshëm të raporteve të saj me ekzekutivin dhe aleatin e madh, Partinë Demokratike?

Kam përshtypjen se në perceptimin e opinionit publik, ky ndryshim është pritur mirë, si një hap pozitiv. “LSI, aleati i vogël i PD-së, i dha një mësim dhe një shans edhe Berishës për t’u distancuar nga korrupsioni dhe qeveritarët e përfshirë në afera korruptive”. Duke e marrë këtë si të mirëqenë, them se një analizë më e qetë nxjerr edhe aspekte të tjera të problemit.

Ndër të tjera i dëshirueshëm do të ishte thellimi i kësaj linje, vënia para përgjegjësisë partiake, institucionale e ligjore e të korruptuarëve, pa e reduktuar këtë te ish-ministri i ekonomisë, që pretendon se po e pësuaka ngaqë nuk “ka qenë vegël e askujt”! Ky duhet të formulohet edhe si një kusht për marrëdhëniet me ekzekutivin dhe koalicionin. Në të vërtetë ka mundësi që të mos ndodhë asgjë tjetër dhe kjo ngjarje “të harrohet për tre ditë”, për të vazhduar njëlloj si më parë. Kjo nuk do të sillte as krisje dhe as çarje të koalicionit, por vazhdim të notimit “në ujëra të ndenjura”, ose atje ku do “timonieri”.

Analiza e mëtejshme mund të nxjerrë edhe aspekte të tjera që flasin për të kundërtën, për krisje e madje, për një lloj krize brenda koalicionit qeverisës. Mund të supozohet: 1. Që Berisha ka pasur ndonjë detyrim(!) për të bërë ndryshimin e kreut të diplomacisë shqiptare pikërisht tani;2. Që pranimi i ndryshimeve të propozuara nga LSI të jetë në vijim të taktikave të Berishës, për të ç’vlerësuar rolin e aleatit LSI dhe për të krijuar përçarje të brendshme (Meta e largon si të korruptuar ministrin e ekonomisë, kurse Berisha deklaron se ka bashkëpunuar shumë mirë me D. Priftin!) ; 3. Që Berisha, nëpërmjet veprimit të LSI-së do që të tërheqë vëmendjen e të vetëve, por njëherësh të marrë pozita mbrojtëse për të evituar pakënaqësitë dhe çdo mundësi për ndonjë “mosbindje” nga ndryshimet qeveritare më të thella, që i rrezikojnë votat dhe pushtetin.

Thënë ndryshe, kemi përpara një shfaqje tipike të brishtësisë së koalicionit dhe të qeverisjes aktuale, thellim të krizës, pamundësi të luftës kundër korrupsionit, paaftësi dhe frikë nga një bashkëpunim institucional me opozitën për të përballuar krizën bashkërisht. Çdo gjë ka marrë përmasa ekzistenciale dhe kjo nuk mund të mbulohet me sofizma të tipit: ”Kemi të bëjmë me zhvillime brenda koalicionit, por jo me ndryshime në qeveri”! Nga kjo analizë e shpejtë, gjithsesi, mund të deduktohet, se kjo që ndodhi në“minikrahun”e koalicionit qeverisës, në thelb, është kthim vetëm i një flete në pazaret Berisha-Meta. Vështirë që, hë për hë, të gjesh apo të presësh ndonjë gjë më të madhe në “Shqipërinë që po ndryshon”!!!

Ju keni një përvojë të gjatë elektorale si drejtues i lartë politik. A nuk ju duket se zgjedhjet në Shqipëri nuk përcaktohen edhe aq nga garancitë që jepen me letër gjatë negociatave mes palëve, por edhe nga truket shumëformëshe dhe konkrete që konsumohen në qendrat e votimit gjatë ditës së zgjedhjeve. Si mund të parandalohet kjo situatë, ku duket sikur të gjithë vjedhin , ose të paktën përpiqen të vjedhin njëri tjetrin?

Po, analiza e zgjedhjeve të bëra deri tani na bind se është harxhuar shumë mund e kohë për të rënë dakord për rregullat e lojës, për ligjin elektoral, aq sa nuk ka ndodhur që të kemi bërë dy palë zgjedhje me të njëjtin ligj apo kod. Gjithmonë ka ekzistuar prirja për të ndryshuar , herë pjesërisht e herë rrënjësisht, rregullat e lojës duke besuar se do të mjaftonte hartimi dhe arritja e konsensusit rreth ligjit të zgjedhjeve që të kishim zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike.I njëjti mentalitet veproj edhe në rastin e zgjedhjeve të 29 qershorit 2009. Madje, Berisha e lakoj gjatë hilenë e radhës:”Ia lemë opozitës të propozojë sistemin dhe kodin zgjedhor që ajo do”!Dhe në letër përgjithësisht çdo gjë ka qenë e “kopsitur”, kurse çdo gjë ka çaluar në zbatimin e ligjit apo të kodit.

Në shumë raste manipuluesit e zgjedhjeve kanë ditur të fshihen pas neneve të veçantë “llastikë” të ligjit, ose i kanë shkelur hapur. Në vitin 1996 maxhoranca e sotme, që ishte e tillë edhe atëherë, edhe pse ligjin zgjedhor e hartoj vetë pa opozitën, në praktikë e shkeli atë në 43 nene (e certifikuar kjo edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë).A nuk veproj në të njëjtën mënyrë edhe më 29 qershor 2009 kur u mohoj të drejtën dy anëtarëve të KQZ-së për të kërkuar rinumërimin e votave në disa zona?Madje, e vulosi edhe me një vendim të Kolegjit Zgjedhor.Pa përmendur faktin që “specialistët”e politizuar në komentet e tyre deformojnë edhe vetë nenin përkatës që dikur u shpall “nen që mbron interesat e pakicës”!. Këtu, siç dihet, ka ngecur në thelb edhe problemi i transparencës. E, megjithatë kjo është njëra anë e problemit që flet për mangësi serioze të kulturës juridike dhe demokratike që shfrytëzohen për keq nga politika.

Çfarë duhet bërë pyesni ju? Si mund të parandalohen apo të bëhen të pavlefshme “truket shumëformëshe”që përdor politika për të deformuar procesin e për të vjedhur votat?Pyetje jo e lehtë për ti gjetur përgjigjen kur politika nuk sheh asgjë tjetër veç luftës për pushtet. Do të ishte iluzion të besoje në ekzistencën e garancive të plota ligjore për të evituar padrejtësitë, apo edhe më keq vjedhjen e votave që , në thelb, është qindrafish më e keqe nga vjedhja e një dyqani, shtëpie apo dhe banke. Por, fatkeqësisht ndodh, që një hajdut xhepash të dënohet me të drejtë, kurse një hajdut votash, me të padrejtë, të mburret për “trimërinë” që ka bërë, madje të shpërblehet me ofiqe qeveritare apo thjesht me pare kesh nga të taksapaguesve!.

Pa hequr dorë nga përsosja e rregullave të lojës do të nënvizoja një faktor që , shpesh, harrohet. Ky është vetë qytetari në rolin e zgjedhësit , që me të drejtën e tij kushtetuese për të dhënë votën atje ku ai mendon se është më mirë për të dhe për të mbrojtur votën e tij, merr ose jep pushtet në mënyrë periodike. Në këtë aspekt zgjedhjet e lira të qytetarëve të lirë janë zemra e procesit politik pa të cilin të drejtat e njeriut nuk do të kishin vlerë reale. Kjo nënkupton përgjegjësinë qytetare, që zgjedhësit të jenë racionalë në dhënien e votës së tyre, por në praktikë, shpesh, ata janë nën ndikimin e një vargu faktorësh irracionalë, pse jo dhe të ndikuar nga interesa të vogla të çastit, nga probleme vetjake të pazgjidhura nga varfëria e tyre deri dhe e skajshme. Këtu do parë, si faktori bazë i deformimit të votës , ashtu dhe çelësi për të parandaluar shitblerjen e votës , të komisionarëve dhe deri të vëzhguesve të të gjitha niveleve. Kësaj hallke, deri tani të pavlerësuar si duhet, forcat politike elektorale lipset ti kushtojnë vëmendje maksimale dhe jo vetëm kur vijnë zgjedhjet për të mbushur sheshet e mitingjeve elektorale apo të protestës pasi ndodh hataja!