e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Serie A, Ska fitues ne 'San Siro', Inter e Milan ndahen ne barazim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Serie A, Ska fitues ne 'San Siro', Inter e Milan ndahen ne barazim
Nuk pati fitues derbi mes Interit dhe Milanit. Të dyja skuadrat nga Milano u pajtuan me rezultatin 1-1, duke ndarë kështu nga një pikë.  Interi e nisi lojën mjaft mirë në minutat e para duke u shfaqur të rrezikshëm në aksionet sulmuese. Mirëpo skuadra që vinte si pritëse në këtë derbi, nuk shfaqi organizimin e duhur për të shënuar në portën kundërshtare.  Ndërkohë, Milani ishte më i qartë në aksione dhe gjeti shpejt golin e avantazhit me anë të El Shaarawy-t. Balotelli pati një shans mjaft të mirë por nuk e shfrytëzoi siç duhej.

Pas kësaj, Boateng krosoi bukur në zonë duke gjetur El Shaarawy-n, i cili me elegancë dhe klas arriti ta dërgonte topin në rrjetë në minutën e 21-të, duke shënuar golin e 16 të këtij sezoni në Serie A. Në pjesën e mbetur të pjesës së parë, Milani pati edhe disa shanse të mira për të thelluar rezultatin e takimit, por Handanovic, ishte në ditën e tij më të mirë, teksa mohoi dy gola thuajse të sigurt.

Pjesa e dytë nisi me Interin në sulm, ku lojtari më i rrezikshëm u shfaq Guarin. Ai pati një shans mjaft të mirë, por ishte Abbiati ai që ia mohoi golin e barazimit. Por Interi nuk u ndal me kaq dhe shumë shpejt barazoi shifrat e takimit. Mbrojtësi i krahut, Nagatomo, dërgoi një harkim në zonë, ndërsa i sapo futuri në lojë, Schelotto, e dërgoi topin në rrjetë duke e goditur me kokë në minutën e 71-të të takimit.Pas barazimit të rezultatit, loja u ngadalësua disi, por gjithsesi rastet nuk munguan. Asnjëra nga skuadrat nuk dëshironte të humbte këtë takim dhe në fund të dyja u ndanë me nga një pikë.

Pas kësaj ndeshjeje, Milani mbetet në vendin e tretë me 45 pikë, ndërsa Interi gjendet një vend më poshtë me një pikë më pak.