Serbi-Shqiperi, neser vendimi i Komisionit te Apelit ne UEFA
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Komisioni i Apelit do të mblidhet të martën për të dhënë vendimin e tij në lidhje me ngjarjet e dhunshme që ndërprenë ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe përfaqësuesit e zyrës juridike ndodhen në Nion të Zvicrës për të mbrojtur pretendimet e faktuara në një dosje voluminoze. Me anë të pamjeve të ndeshjes, por edhe kontradiktave në relacionet e zyrtarëve të sfidës në Beograd, Federata Shqiptare kërkon nga Komisioni i Apelit tri pikët e fitores.
Sipas palës shqiptare, ishte e pamundur që ndeshja të luhej pas dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë, por edhe dështimin në organizimin e ndeshjes të reflektuar që në fillim me vërshëllimën e himnit, por edhe thirrjet raciste te tifozëve vendas. Nga ana tjetër, Federata Serbe e Futbollit ka paraqitur pretendimet e saj në Komisionin e Apelit. Ajo kërkon riluajtjen e ndeshjes në një fushë neutrale dhe, sipas medieve lokale, këtu do të bazohet e gjithë mbrojtja e saj.